Albin, Isë, Vjosë, mos u tallni...

Albin, Isë, Vjosë, mos u tallni...

Nga Syri.net Kosova - 04/12/2019

Ngërçi politik mes VV-së e LDK-së, paralajmëron shmangien nga parimet për të cilat janë zotuar partitë opozitare, që fituan zgjedhjet.

Nëse e kanë seriozisht bashkëqeverisjen për të mirën e qytetarëve, atëherë nuk ka vend për pazare, siç ka ndodhur në të shkuarën.

Diferenca e ngushtë mes subjektit të parë dhe atij të dytit, nuk duhet të shërbejë, si alibi për të kalkuluar pozicione, para kohe.

Gjatë fushatës, edhe Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike, premtuan se kush del i pari, merr kryeministrin. I bie që, i dyti, merr pozicionin tjetër të lirë, kryeparlamentarin.

Herët është të diskutohet tani për presidentin. I mirë apo i keq, e dimë të gjithë se kënd e e kemi në krye të Republikës. Sidoqoftë, Hashim Thaçi ka ende mandat.

Kur të vjen koha, natyrisht që pa kompromisin e partive në pushtet, nuk mund të zgjidhet as presidenti i ardhshëm, cilidoqoftë ai, Isa Mustafa apo ndonjë tjetër.

Vështirësia e negociatave për formimin e qeverisë, është e natyrshme, por emergjenca e vendit për konstituimin e Kuvendit dhe ekzekutivit, peshon më shumë se çdo interes i ngushtë politik.

Në këto rrethana, kur kushtëzimet në arritjen e një marrëveshjeje, ndërlidhen me pozita të caktuara, është e domosdoshme që të dëgjohet zëri i kandidates së LDK-së për kryeministre.

Vjosa Osmani nuk mund të heshtë më dhe thjesht të postojë në Facebook, një komunikatë shtypi të partisë së saj.

Ajo duhet të flasë hapur dhe të mbajë një qëndrim në lidhje me ngërçin e krijuar.

Gjykata Kushtetuese, e ka sqaruar, se partia fituese e formon qeverinë. Nëse dështon, vendi shkon në zgjedhje. Por, kujt i konvenojnë zgjedhjet e reja në këtë moment?

Kjo do të ishte humbje kohe dhe boshllëk me pasoja të rënda për shtetin. Parashikimet se kush do të fitonte janë fare të kota. Është si të thuash, si do të dalë një ndeshje, pasi je duke e parë reprizën...

Këto parti dhe liderë që po thirren në interesin publik dhe të mirën e qytetarëve, duhet t’i japin drejtimin e pritur situatës e të mos bëjnë shaka me një popull të tërë.

Rezultati tashmë dihet!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco