Pamfletin e tij «Drejtësi për Serbinë» Handke e botoi më 1996, në Prishtinë

Pamfletin e tij «Drejtësi për Serbinë» Handke e botoi më 1996, në Prishtinë

Nga Enver Robelli - 21/11/2019

Në një atmosferë të zymtë, kur shumica shqiptare po shtypej egërsisht nga regjimi serb, në Prishtinë, më 1996, u botua në serbisht libri i Peter Handkes «Drejtësi për Serbinë». Në perceptimin e Handkes, shqiptarët shumicë në Prishtinë dhe në Kosovë as që ekzistonin. Kjo flet shumë për syrin vëzhgues të autorit austriak.

Viti 1996 është viti i fundit para se në Kosovë të shpërthente lufta. Pas Marrëveshjes së Daytonit (1995), e cila i dha fund luftës në Bosnjë, por këtë vend nuk e bëri shtet funksional, Kosova po priste ende. Në Dayton çështja e Kosovës nuk ishte trajtuar fare, sepse këtë e refuzoi Slobodan Milosheviqi, i cili prej kasapit të Ballkanit u avancua në engjëll të paqes.

Strategjia e rezistencës pasive ishte para dështimit. Shqiptarët ishin të dëshpëruar që sërish po i linte anash Evropa. Më shumë se fjalë qetësuese nuk dëgjoheshin as nga lideri i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova. Mesazhi i pathënë që jehonte nga Perëndimi ishte ky: kush s'ka marrë pjesë në luftë, nuk ka karrige në tavolinën e negociatave.

Në shkurt të atij viti në Kosovë u sulmuan me mjete shpërthyese pesë vendstrehime për refugjatë (kolonistë) serbë që Beogradi i kishte nga Kroacia. Një snajperist vrau një student shqiptar. Në fund të prillit Beogradi u tregua «zemërgjerë» ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke ua hequr vizat për vizita në Shqipëri.

Shqiptarët vazhdonin të paguanin dy herë tatime: për administratën e dhunshme serbe dhe për ato që quheshin struktura paralele. Po në prill 1996 Adem Demaçi, që atëherë ishte rival i Rugovës, bëri thirrje për një ndërrim të kursit politik. Ideja e tij ishte kjo: një konfederatë mes Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Sipas tij, një formë e pavarësisë mund të arrihet edhe brenda «Jugosllavisë së re». Republika e Kosovës, ankohej Demaçi, ekziston në zemrat, në kokat dhe në fantazinë e shqiptarëve, por jo në realitet. Në gjysmën e parë të vitit 1996 kryetari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), Aleksandar Despiq, propozoi biseda me shqiptarët për ndarjen e Kosovës.

«Më mirë ndarje paqësore sesa një tragjedi e re», tha Despiq. Mediat perëndimore shkruanin se është e kuptueshme që shqiptarët po e humbin durimin. Më 1996 u hap në Prishtinë ajo që quhej Qendra Informative Amerikane, që në fakt ishte një përfaqësi diplomatike e Washingtonit. Pak para fillimit të vitit të ri shkollor, më 1 shtator 1996, presidenti serb, Slobodan Milosheviq, dhe Ibrahim Rugova nënshkruan një dokument mbi kthimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë në godinat shkollore.

Rugova nënshkroi vetëm me emrin e tij, pa funksionin e kryetarit të Kosovës, në të cilin ishte zgjedhur nga shqiptarët. Marrëveshjen e ndërmjetësoi një organizatë e Vatikanit. Më 23 maj 1996, agjencia zvicerane e lajmeve SDA njoftonte se 15 shqiptarë ishin futur në grevë urie afër portalit të stacionit të vjetër të trenit në Luzern. Me këtë akt ata protestonin kundër «pushtimit fashist» të Kosovës «nga Serbia e Madhe».

Viti 1996, nga këndvështrimi kosovar, është edhe vit kur në Prishtinë u botua një libër, një pamflet, për të cilin flitet edhe sivjet, më 2019, pasi në fillim të tetorit shkrimtari austriak Peter Handke u shpërblye me çmimin “Nobel” për letërsi. Libri quhet «Një udhëtim dimëror te lumenjtë Danub, Savë, Moravë e Drina ose Drejtësi për Serbinë» dhe në serbisht u botua nga shtëpia botuese serbe «Grigorije Boz?ovic?», e cila i takonte grupit «Panorama», një ndërmarrje serbe që kishte grabitur pasurinë e «Rilindjes».

Në perceptimin e Handkes, shqiptarët shumicë në Prishtinë dhe në Kosovë as që ekzistonin. Kjo flet shumë për syrin vëzhgues të autorit austriak. Në pamfletin e tij Handke tërbohet kundër gazetarëve të huaj, të cilët e kanë demonizuar Serbinë, ai pyet nëse myslimanët e Bosnjës (boshnjakët) vërtet janë popull, pasi që ata janë me prejardhje serbe dhe flasin serbisht. Këso fjalish duken si të kopjuara nga arkivi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.

Botimi i librit të Handkes në Prishtinë ishte një qëndrim politik, sot do të thuhej një stejtment: pro administratës së dhunshme serbe dhe kundër shumicës shqiptare që e terrorizonte kjo administratë. Në manifestin e Handkes, sipas shkrimtarit boshnjak Xhevad Karahasan, shihet njëri prej «kontributeve më të pështira të nihilizmit etnik të kohës sonë», një indiferencë «grandioze» ndaj viktimave dhe mosnjohuri e fakteve elementare. Karahasan vazhdonte më 1996: «Kolektivizimi i nocioneve morale si faj, përgjegjësi, drejtësi më huton dhe frikëson, dhe neverit».

Një përgjigje e këtij niveli nga ana e ndonjë intelektuali të Prishtinës ka munguar më 1996, por edhe në vitet në vijim. Ka dëshmitarë të gjallë të viteve ‘90, të cilët nga afër, me fuqinë e të parit, do të mund të përshkruanin Kosovën që Handke ka refuzuar ta shihte - atëherë, por edhe më vonë, kur e vizitoi Kosovën - jo për të ndërruar ndonjë fjalë me shqiptarët, por për të takuar vetëm pakicën serbe dhe për të përshkruar me esteticizëm pseudoelitar botën e një fshati me shumicë serbe (për shembull te libri «Qyqja e Hoçës së Madhe»).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco