Dy fusha ku vendi duhet të ndryshojë rrënjësisht

Dy fusha ku vendi duhet të ndryshojë rrënjësisht

Nga Vigan Qorrolli - 19/11/2019

-I-
Për 20 vjet rresht qeveritë e Kosovës me secilën parti deri sot qeverisëse – e kishin në organogram Ministrinë e Ambientit. 20 vjet më vonë, me secilën parti në krye të kësaj Ministrie, Kosova vazhdon të jetë vendi më i ndotur në Evropë. Përveç kësaj, shkalla e vdekshmërisë për shkak të ajrit të ndotur ka prekur majat.

Në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë: 2018”, të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, thuhet se nga ajri i ndotur në Kosovë kanë vdekur 3 mijë e 700 persona për një vit, duke bërë Kosovën të renditet e para në Evropë sa i përket kësaj çështjeje.

Këtu nuk frikohet më askush nga ligji, madje as nga Zoti.

Çmenduria e njerëzve dhe e vet shtetit që nuk i kontrollon shkelësit e ligjit, është shndërruar në nyje të pazgjidhshme midis vrasjes së të pafajshmëve dhe mosndëshkimit të vrasësve me bekim të shtetit.

Imagjinoni edhe komunat në organogramin e tyre e kanë të ashtuquajturën pozitë pune "zyrtar i lartë për mjedis." (?!) Kjo ministri ose duhet të shuhet, që ta dijë populli se nuk ekziston dhe nuk ka iluzione që shteti do reagojë – ose të ndërrojë radikalisht mendësia qeverisëse me këtë dikaster, duke i ndaluar automjetet në zonat urbane, duke e kontrolluar naftën, duke e ndaluar qymyrin, dhe të tjera masa të forta represive – ose do VDESIM të gjithë kolektivisht nga ajri më i ndotur në Evropë!

-II-
Kosova e ka të themeluar Agjencinë e saj kundër korrupsionit prej më tepër se 15 vitesh – por e ka shkallën më të lartë të korrupsionit në Evropë. Secili progres raport i Bashkimit Evropian (cikli vjetor i vlerësimit për secilin shtet aspirant) – e tregon Kosovën me indeksin më të lartë në Ballkan për sa i takon korrupsionit të lartë, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë së tyre. Dikush do thotë që AKK nuk e lufton korrupsionin? E saktë. Por AKK tanimë nuk po e marrin seriozisht as gjykatat e rregullta, sepse pavarësisht obligimit që secili zyrtar i lartë e ka në mënyrë periodike – deklarimin e rregullt të pasurisë – ajo për ta në vend që të shkojë drejt zvogëlimit, po shkon drejt trashjes dhe shtimit.
AKK nuk është preventiva. Gjykatat duhet të godasin majën e piramidës së krimit. Politikanët e lartë dhe zyrtarët e mesëm dhe të vegjël që vjedhin ditë e natë “me letra”, së pari për partitë që ju takojnë dhe së dyti, për vete. Shiheni pasurinë e tyre, luksin, dhe veturat e shtrenjta – e vëreni prej nga vjedhin. Janë në disproporcion me të hyrat e tyre, me rrogat mujore që marrin nga shteti.
Ç’kapja e prokurorive dhe e gjykatave duhet të nis sa më parë, në mënyrë që të goditet KRIMI dhe KORRUPSIONI. Deri tash këto dyja janë luftuar më tepër në hollet e hoteleve të shtrenjta të Prishtinës përmes tryezave klisheiste të OJQ-ve, sesa në bankat e serta të gjykatave.
[...]

ANOMALI të tjera, shoqëria jonë, ka me bollëk. Arsyetimi im dëshiron t'i qëndrojë besnik të vërtetës, e cila në Kosovë, më shumë sesa të përkrahet, përqeshet.

Kjo e vërtetë është absurde me këto dy fenomene tmerrësisht të rënda për shoqërinë tonë: korrupsioni dhe ajri i ndotur. Nga e para po vritet ideali dhe qenësimi i shtetit; nga e dyta po vdesin njerëzit secilën ditë e më shumë.

Ekuacioni i që të dyjave është: MODEL i ri qeverisës dhe ndershmëri në trajtim të këtyre dy fenomeneve të shëmtuara.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco