Pjetër Bogdanin e mohuat, kund varr nuk i latë. Josip Bagerin e harruat!

Pjetër Bogdanin e mohuat, kund varr nuk i latë. Josip Bagerin e harruat!

Nga Gani Mehmetaj - 19/11/2019

E shikoja dhe nuk u besoja veshëve për ato që më thoshte. Ku i kishte mësuar këto gjëra ky maskara, megjithëse mik e kisha, e doja sepse nuk kishte urrejtje ndaj nesh, përkundrazi, ishte ndër të mirët e kombit të tij. Megjithatë kurrë nuk ma kishte thënë cilit komb i takonte.

“Po sikur të ketë të drejtë?”. Birra me shijonte, e vërteta më fshikullonte. Mbase pas disa gotave me kishte rënë në kokë alkooli. Fundja kisha ardhur t’ia përplasja të vërtetën time në fytyrë, e jo t’ia dëgjoja dërdëllitjet. Ai i kishte përgjigjet në maje të gjuhës. Brisk prej goje ishte.

-Dimçe, pranoje se shqiptarëve ortodoksë ua keni zënë frymën, shqiptarët katolikë i dëbuat, me shqiptarët myslimanë talleni, i trajtoni si fëmijët e vonuar mendërisht, luani shëbimësh të fshehta, ua hapet rrugën turqve e arabëve t’i mashtrojnë me hurma e xhami, ndërsa shkollat nuk ua lejoni.

-Kush i pengon priftërinjtë të luten e të predikojnë shqip? Nga Shqipëria nuk ua dërguan asnjë prift, ashtu si nuk u dërgojnë as libra arsimor. “Nuk kemi të drejtë të përzihemi në Maqedoni”, thonë herë pas herë. Diaspora shqiptare në Amerikë i ka futur veshët në lesh. Me shqiptarët myslimanë tallen të gjithë: shteti, Turqia, Serbia, shtetet e pasura arabe, madje edhe Irani. Turqia i jep shtetit tonë armë që t’i vrasin shqiptarët kur rebelohen. Çka mendon ti se shteti do t’i lejonte ashtu kot shqiptarët ortodoksë pas 100 vjetësh të thonë se ja nga ky qastë jemi shqiptarë, kthena gjuhën dhe predikimin shqip. Kot që shpresoni. Kthimi i shqiptarëve në rrënjë do t’i trondiste themelet e shtetit të ri e të brishtë, -ma tha një përgjigje më pak vonesë, pasi e piu një gllënjkë të madhe birre. Për herë të parë mu bë që shikoi anash. Thua edhe ai të ketë frikë?

– Akademia jonë e Arteve dhe e Shkencave, që shteti e nxitë të jetë shumë aktive kundër shqiptarëve, apo edhe kultura, arti, letërsia, filmi, muzika e piktura kulmore qëndrojnë mbi supet e shqiptarëve ortodoksë të konvertuar. Ashtu si xhamitë turke që po i grithe dalin kisha katolike e ortodokse, edhe akademikët, artistët, këngëtarët e shkrimtarët maqedonas po i grithe pak, dalin shqiptarë ortodoks e më pak edhe shqiptarë myslimanë, të kthyer në sllavë. Ndonjëri prej tyre kur e përfundon karrierën a del në pension me gjysmë zëri e thotë, në grahmat e fundit: isha me prejardhje shqiptare. Por këtë guxim mos e prit nga ata që janë në kulmin e suksesit, sepse do t’ua këpusnin karrierën e këngën, do t’ua nxinin jetën.
Doja të mos e besoja, por e dija që ishte e vërtetë. E pashë më vëmendje Dimçën, e zhbirova deri në rrashtën e kokës, por shikimi i tij një herë i luhatshëm më rrëshqiti, pastaj pati reflekse frike. Sikur deshi të më thoshte diçka, por zëri i brendshëm i tha të heshtte.

Nuk e di pse, por ky duhej të jetë shqiptar, mu ngulitë në kokë. Nuk është sllav, nuk është as turko-mysliman që flet sllavisht, asnjëherë nuk me tregoi cilit komb i takonte, asnjëherë nuk shprehu simpati as patetikë ndaj shtetit, ndërsa të tjerët që e flisnin gjuhën e tij ma lodhnin kokën me Maqedoni.

-A je shqiptar, nga nëna a nga babai, Dimçe?, me shkrepi pyetja, ende pa qenë i sigurt se duhej t’ia thosha.
Një herë pa anash, pastaj u kthye të shihte ku ishte kamerieri. Me pa më vëmendje të madhe, mi nguli sytë, sa që e pash fytyrën time në bebëzat e syve të tij.

-Nga të dytë. Të dy gjyshet e mia vetëm shqip dinin. Por babai e nëna na dërgonin rrallë në katund për Krishtlindje a për Bajram. Njëra gjyshe ishte ortodokse, tjetra myslimane. Babai e nëna ishin ateist. Por edhe atëherë kur shkonim të gjyshet ziheshin. Babai e nëna u thoshin: do të na merrni në qafë me këtë gjuhë, ndërsa i dëgjoja gjyshet kur ua kthenin përgjigjen: ç’më duhen nipat kur nuk ma kthejnë shqip. Unë gjuhën e saj e kuptoja, por me kishin thënë të mos e flisja se rrezikoja punën e babait. Pastaj moshatarët në Shkup do të na tallnin. Ishte turp të ishe shqiptar në lagjen elitare ku banoja.
Më pushtoi angështia.

-A ka kush që na nxjerr nga ky batak, – i thash vetës më shumë se sa që e pyeta Dimçen. Nisa të imagjinoja Gjergjin shpatzhveshur se si çante gardhin e armiqve, imagjinova se si futej për herë të dytë në Shkup.
Nuk folëm më. U err. Porosisnim shishet e birrës njërën pas tjetrës. Shihnim si binte muzgu. Ndriçoi thekshëm kryqi gjigant në malin e Shkupit, u dëgjuan altoparlantët nga disa xhami njëherësh, u rralluan njerëzit në shëtitore e trotuare. Erdhi ndërrimi tjetër i kamerierit. Edhe ai na shërbente në heshtje, por edhe na shihte më dyshim.
Donim të deheshim, por nuk deheshim dot, alkooli fironte nga trupi ynë, nuk na zinte, ndërsa na gërryente pikëllimi i pafund.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco