Qeveri pa kushtëzime

Qeveri pa kushtëzime

Nga Flaka Surroi - 19/11/2019

Do të ishte fat shumë i keq për Kosovën që të detyrohej të kalonte edhe një herë nëpër përvojën e rëndë të krijimit të Qeverisë që do t'i akomodonte qejfet, në vend se të merrej me problemet shumë serioze që njëzet vjetët e fundit ia kanë krijuar politikanët e paaftë dhe zhvatës të së mirës publike

Ankesa e NISMËS parashtruar PZAP-it rezultoi me dërgimin në rinumërim të 1472 vendvotimeve, prej të cilave doli se 65 tashmë ishin rinumëruar. Kur merret parasysh se paraprakisht ishin rinumëruar edhe rreth 800 vendvotime, atëherë del se thuajse 90% e votave kësaj radhe janë rinumëruar në procesin më të mërzitshëm zgjedhor që kemi pasur deri tash.

Porse, ajo që është shumë me rëndësi për NISMËN është se votat e ardhura nga Serbia janë anuluar që të gjitha, dhe për pasojë, mbështetur mbi shënimet para rinumërimit del se kjo parti me partnerët megjithatë mund ta kalojë pragun.

Shtyrja e NISMËS me zor

Të gjitha akrobacionet që i pamë që nga dita e dytë pas zgjedhjeve na shtyjnë te përfundimi se i gjithë ky cirkus bëhet për ta futur NISMËN me zor në Kuvend, dhe për t'i dobësuar dy partitë që pa këtë subjekt kishin numër të mjaftueshëm votash për ta krijuar Qeverinë e re. Ne nuk e dimë se çfarë ndodh në QNR, sepse atje nuk ka kamera, siç ka pasur te rasti i numërimit të votave, kur u vendos se kush do të ishte kryetari i Prishtinës në zgjedhjet e shkuara.

Përgjegjësia për të evituar keqpërdorime eventuale në rinumërim është çështje e komisionarëve të partive, që, në parim, do të duhej ta mbronin votën.

Çështja kyç që NISMA ta kalonte pragun qe puna e votave të ardhura nga Serbia. KQZ-ja e kishte pasur në duar vendimin që ato vota t'i anulonte menjëherë. Por jo, lejoi që ato të numëroheshin, për më tepër, u shkaktua drama e "helmimit" e më pas edhe shfaqja e numërimit të tyre me maska thuajse jemi në Çernobil.

Nuk u mor vesh se çka e ka shkaktuar helmimin, nëse ka qenë helmim; nuk u mor vesh se kush ishin ata që u prekën nga ky helm apo reagens alergjik; nuk u mor vesh nëse këto vota u çuan në karantinë dhe nëse do të asgjësohen si material toksik, e as nuk u mor vesh se në interes të kujt qe zvarritja shtesë që shkaktoi numërimi i tyre për të ardhur te pika kur këto vota u shpallën të pavlefshme.

Çështja tjetër, e cila nuk kaloi, qe puna e votave nga diaspora që ishin nisur me kohë por kishin arritur me vonesë. Këto nuk u anuluan, ngase Supremja kishte vendosur njëherë t'i pranonte. NISMA kishte llogaritur në shumë vota nga jashtë, duke e marrë parasysh partneren e saj AKR dhe përkrahësit e Pacollit, porse llogaria nuk i doli ashtu siç e kishte planifikuar.

Atë që me gjasë nuk e ka planifikuar mirë që nga fillimi është vetë rinumërimi që tash po ndodh - se edhe aty mund të ketë lëvizje në numra, dhe të mos ketë garanci të plotë se pragu të jetë kaluar, me gjithë insistimin e Limajt se "drejtësia u vu në vend". Deklaratë që vjen nga dikush që ka qenë në pushtet shumë gjatë dhe që është i njohur për shumë abuzime me pushtet së bashku me njerëzit e tij, sidomos në qeverisjen e shkuar.

Plani i mundshëm

Sido që të jetë, duke supozuar se NISMA e kalon pragun, VV-ja dhe LDK-ja do të jenë të detyruara të luftojnë edhe për katër vota që iu nevojiten për ta arritur shumicën e thjeshtë. Nëse e duan çkapjen e vërtetë nga PAN-i, gjëja e fundit që duhet t'u shkojë në mendje është që ta ftojnë NISMËN në Qeveri. E aq më pak Listën Serbe, ngase për asnjërën nuk kanë nevojë. Përparësia e tyre kësaj radhe është që mund të llogarisin në votat e pakicave joserbe, me kusht që t'u plotësohen apetitet, ngase secili komunitet po e kërkon nga një ministri.

Siç e kanë theksuar vetë LVV-ja dhe LDK-ja, Qeveria e re do të duhej t'i kishte 12 ministri, prej të cilave një u takon serbëve, kurse tjetra minoriteteve të tjera joserbe. Po qe se secili komunitet do ta fitonte një ministri, atëherë shqiptarët do ta bënin pakicën në qeveri, dhe kjo nuk duket si një mundësi fort e realizueshme. E aq më pak do të duket zgjidhje e drejtë.

Nëse insistimi i pakicave është që secili komunitet ta ketë ministrinë e vet, më mirë është që të shkohet në zgjedhje të reja, sepse kjo nuk do të kishte logjikë fare. E nëse LVV dhe LDK vendosin, në rast kalimi të pragut, që megjithatë ta ftojnë NISMËN në Qeveri, atëherë përfundimisht do t'i thyenin parimet dhe premtimet mbi të cilat edhe i fituan këto zgjedhje. Dhe, do t'ia zgjasnin jetën një grupi partish të vogla që kanë bërë shumë dëm në pushtetin e shkuar, të cilin vetë u përpoqën ta rrëzonin.

Nga ana tjetër, është një moment tjetër që e komplikon paksa punën, sa i përket ndarjes së posteve më të larta shtetërore. Ajo që kemi tash tregon se VV-ja do të bëhet me postin e kryetarit/es së Kuvendit dhe me kryeministrinë. Posti i kryetarit të shtetit, edhe pse jo në ofertë tash, mbetet si një temë për të cilën me gjasë LDK-ja insiston për ta negociuar. Kjo praktikisht na kthen në situatën e zgjedhjeve të 2014-s dhe marrëveshjen PDK-LDK që Thaçi të zgjidhej kryetar. Votimi shumë i kritikuar i shumicës së deputetëve të LDK-së e solli në këtë post njeriun, i cili së shpejti do të mund të mbetet pa të.

Në situatën hipotetike, të cilën e përmenda javën e shkuar, që Thaçi ta marrë ftesën për në Hagë dhe të japë dorëheqje para certifikimit të rezultateve, Kosova do të gjendej në një situatë të paprecedencë: që të ketë një kryeministër të dorëhequr, të mos ketë Kuvend të konstituuar, e as kryetar/e Kuvendi dhe, përfundimisht, as shef shteti.

Pra, nëse kjo ndodh kështu, atëherë opsioni i vetëm që të shkohet para është që pas certifikimit të zgjedhjeve Kuvendi të konstituohet, e që të zgjidhet kryetari/ja e Kuvendit, që sipas Kushtetutës, do ta ushtronte detyrën e kryetarit të shtetit për jo më shumë se gjashtë muaj. E konstituimi i Kuvendit do të ishte kyç për dy arsye: një, që të mos kishte ende vakuum dhe që të mund të zgjidhej Qeveria e re, ngase mandatin mandatarit do t'ia jepte ushtruesi i detyrës së kryetarit të shtetit, që njëkohësisht është edhe i pari apo e para e Kuvendit.

Kush kryetar?

Partitë fituese që mëtojnë ta krijojnë Qeverinë e re tashmë e kanë thënë publikisht se kanë arritur të merren vesh për programin qeverisës, i cili nuk do të bëhet publik para se t'i vijë radha në Kuvend. Porse, nga LDK-ja insistohet që të mos bisedohet në nivel liderësh deri në certifikimin e rezultateve, që do të mund ta zgjaste edhe pak agoninë që e krijuan këto zgjedhje që nisën mirë e po mbarojnë si jo më keq.

Përherë po bëhet më evidente se LDK-ja e do postin e kryetarit të shtetit për vete, dhe që mbase ky do të jetë një pengesë jo e vogël në arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes. Se kush do të ishte kandidati i LDK-së për këtë post, kjo përfundimisht do të jetë çështje e trupave partiake, porse mbase LDK-ja do të duhej të mendonte për një kuadër të ri, mbi 35 vjeç (se ashtu e cakton Kushtetuta) me kapacitet intelektual dhe përvojë të mjaftueshme për ta marrë këtë obligim. Kjo natyrisht, nëse VV-ja pajtohet që ta negociojë edhe këtë post në këtë pako.

E nëse LDK-ja mendoi se Vjosa Osmani do të mund të ishte kandidate e mirë për kryeministre, nuk ka arsye që të mos mendojë se do të mund ta kryente edhe punën e kryetares së shtetit, ani pse kjo do të nënkuptonte se Osmani do të duhej të tërhiqej nga të gjitha detyrimet partiake. Mbase edhe kjo do ta përmbushte qëllimin e një krahu brenda LDK-së: që Osmani të dilte nga loja brenda në parti.

Çështja e kryetarit/es të shtetit është edhe çështje për të cilën palët mund të merren vesh edhe më vonë, ngase mandati i Thaçit skadon në prill të 2021-s. E mund të merren vesh edhe në çastin hipotetik të dorëheqjes së këtij - dhe objektivisht nuk do të duhej të ishte problemi që do ta parandalonte krijimin e Qeverisë së re. Nëse bëhet pengesë aq e madhe sa nuk mund të tejkalohet, sërish, më mirë është që të shkojmë në zgjedhje të reja, e të tejkalohet ngërçi, sesa të përgatitemi për ta shikuar edhe një telenovelë të gjatë mungese institucionesh, ku qeveria në dalje ende do të ketë kohë për të marrë edhe një sërë vendimesh me implikime buxhetore e politike.

* * *

Ashtu siç ia kanë nisur rinumërimit të votave (deri mbrëmë ishin numëruar vetëm 170 vendvotime) del se do të na nevojiten minimum 16 ditë pune për t'u numëruar krejt. Kjo i bie përafërsisht se rezultatet do t'i kemi andej kah fundi i këtij muaji apo fillimi i tjetrit (pra dy muaj pas zgjedhjeve) dhe se mund ta kemi konstituimin e Kuvendit deri kah mesi i dhjetorit. Nëse ka marrëveshje mes partive fituese, Qeveria mund të zgjidhet menjëherë. Nëse jo, do të mbetemi edhe pa buxhet, e ndërkohë mbase edhe do të detyrohemi të shkojmë në zgjedhje të reja.

Pra, sado e keqe mundësia që t'i nënshtrohemi torturës së numërimit dhe rinumërimit të sërishëm të votave në një palë zgjedhje të reja eventuale, mbase kjo është zgjidhje më e mirë sesa të kemi qeveri të ndërtuar mbi këmbë të qelqta dhe mbi kushtëzime që përparësi u japin interesave të ngushta sesa atyre të përgjithshme.

Do të ishte fat shumë i keq për Kosovën që të detyrohej të kalonte edhe një herë nëpër përvojën e rëndë të krijimit të Qeverisë që do t'i akomodonte qejfet, në vend se të merrej me problemet shumë serioze që njëzet vjetët e fundit ia kanë krijuar politikanët e paaftë dhe zhvatës të së mirës publike.

Topi është te LVV-ja dhe LDK-ja. Përgjegjësia duket se është më e madhe se kurdoherë. Për që të dyja subjektet, ky do të jetë provimi më i madh. Rënia nga ai do të ketë pasoja edhe për ta, por më së shumti për ne.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco