“Faroni” i piramidës së panairit të librit

“Faroni” i piramidës së panairit të librit

Nga Alfons Zeneli - 18/11/2019

Në një stendë tek Panairi i Librit, ka dy grumbullime. Nga njëri krah nën shoqërinë e një numri modest miqsh, një poet,romancier, studiues, eseist dhe përkthyes i jashtëzakonshëm promovon romanin e fundit. Ngjitur me të është dhe një shkrimtar tjetër brilant.

Të dy kavërdisen me të njëjtën audiencë. Në krahun tjetër të së njëjtës stendë, një poliedrik butaforik i pompuar me dëlir nga politikanë injorantë e servilë të etur për ekran dhe i grimuar nga parukierët e sektit të opinionmakers-ave hedh autografe papushim me shpejtësinë e krahut të një makine qepëse.

Rreth e rrotull mizëri njerëzish që presin radhën për foto dhe autograf nga poliedriku tamam si beduinë me enë në duar që presin radhën për të mbushur ujë pranë oazeve. Kudo ka plot botime serioze ku ndrit mendimi i të mëdhenjve të letërsisë, historisë e studimeve kombëtare dhe botërore por sa më serioz të jetë libri aq më pak njerëz i afrohen e ia hedhin sytë.

Rrallë e tek ndonjë. Afrohen me hapa të ngadaltë e të matur vetëm pasi ia shohin mirë e mirë kopertinën, citatet e shkruara për të dhe çmimin plot mëdyshje. Tamam sikur i afrohen skajit të ndonjë gremine.

Në Shqipëri ka me qindra shkrimtarë të lindur dhe personalitete të letrave e të mendimit që nuk kanë mundësi financiare, që nuk kanë suporet miqsh, tarafesh e klanesh dhe ekrane televizionesh për t'ua dhënë lexuesve dijen dhe dritën shpirtërore.

Janë talente e shpirtra të cilëve fati ju kanë vënë mungesë. Diku mes trafikut të dendur të zulmësisë autografdashëse, nëpër kalimet e ngushta midis stendave dalloj Xhevahir Spahiun me flokët e shkujdesur e të ngritur përpjetë si fije klithmash të bardha.

 Më kujtohet kur para ca vitesh takova mikun tim lirikun erotik, të madhin Pano Taçi të veshur keq që sillej nëpër Panair si një masë leckash të gjalla me sytë që i ndrinin sa gjithë dritat e panairit të mara sëbashku.

Ndërkohë, një punëtor me karrocë sjell njëherazi dy arka bananesh të mbushura jo me banane por plot me kopje të tjera nga të librit me kujtime të poliedrikut. Pasi arkat e mëparshme ishin ishin shitur. Jashtë, tek hyrja, trafiku i njerëzve pati një ngërrç.

Një tjetër punëtor po ngarkonte një nga ato kamionçinat e vogla të transportit me arka. Thanë që ishin shitur me prenotim dhe po dërgoheshin me urgjencë në destinacion.

Mbase kanë qenë dhe me autografe të nënshkruar paraprakisht. Autografi nuk ndikonte në çmim. Ishte libër me receta, pëshpëritej gjithandej. Nuk është e lehtë të mësosh të gatuash.

Pa një stomak të kënaqur nuk ka mendime të hajrit. Nëpër stomak kalon dashuria e jo më mendja Qindra palë sy lëpinin ambalzhin e arkave dhe bagazhin e kamionçinës më fatlume në botë që nuk ngopej me arka. Kjo ishte atmosfera, ky ishte ''Faraoni'' që zotëronte ajrin brenda Piramidës së Panairit të Librit.

Më ra në sy e m'u kujtua se destinomi fillestar i këtij lloji arkash është transporti i bananeve. Jo se bananet kanë ndonjë simbolikë të caktuar, jo se ato janë ushqimi nr.1 në menunë e majmunëve.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco