Frikë nga humbja

Frikë nga humbja

Nga Syri.net Kosova - 18/11/2019

Tejzgjatja e numërimit të votave, i ka shtuar zërat që paralajmërojnë zgjedhje të reja, pas votimeve të parakohshme të 6 tetorit.

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, ende nuk mund të kapërdihet nga regjimi, sidomos nga Partia Demokratike e Kosovës, që nuk po arrin ta besojë se tani gjendet në vendin e tretë.

Paqartësi të pritshme vërehen edhe në radhët e LDK-së, që doli e dyta, megjithatë dominon gadishmëria për të hyrë në një qeveri me partinë e Albin Kurtit.

Presionet politike, po ia zbehin pakëz fuqinë koalicionit LDK-VV duke ngjitur koalicionin Nisma-AKR-PD, mbi prag, megjithatë nuk ka kurrfarë argumenti të qëndrueshëm që të flitet për zgjedhje të reja.

Situata është dukshëm më e favorshme se në kohën e PAN-it, kur me gjithë deputetët e pakicave, fituesit e atëhershëm, nuk i bënin mbi 60 vota.

Bashkë me votat e pakicave joserbe, VV dhe LDK, kanë shumicën e nevojshme për ta zgjedhur qeverinë e re.

Nëse për zgjedhjen e Ramush Haradinajt kryeministër u deshën patjetër votat e Listës Serbe, në rrethanat aktuale, një gjë e tillë është e panevojshme.

Përjashtimi i tyre nga ekzekutivi, duket i pamundur sepse duke qenë kategori kushtetuese, përfaqësimin e kanë të sigurt, vetëm në rast se nuk pranojnë vetë.

Gjithsesi, humbësve të këtyre zgjedhjeve u shkon për shtat çdo lajm që përmend zgjedhjet e reja parlamentare. Por, është një përpjekje e kotë.

Askush nuk do të shkojë sërish në zgjedhjet, që mund të sjellin rezultatin e njëjtë. Ose në rastin më të keq për partitë që humbën, një debakël më të madh.

Për votuesin kosovar, çdo gjë është e kthjellët tashmë. Sovrani ka votuar që ta nxjerrë PAN-in në opozitë dhe aleatët e tij, si AKR-ja.

Për qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqet nga Albin Kurti, patericat si partia e Limajt dhe e Pacollit, mund të sjellin zhgënjim të madh.

Kosovës i duhet një ekzekutiv i pastër, pa sekserë e tenderistë, pa bashibozukë e manipulantë, pa politikanë të konsumuar e të inkriminuar.

Rinumërimi i panevojshëm i votave, gjithsesi do ta rikonfirmojë rezultatin, sepse as që pritet të ketë ndonjë përmbysje të minutave të fundit.

Kjo mjegull që përhapet përditë sidomos nga mediat e regjimit, shpreh frikën e fortë nga humbja e pushtetit.

Më shumë se humbje e privilegjeve të pamerituara është drojë nga zbardhja e skandaleve që mbajnë nënshkrimin e njerëzve të partive humbëse.

Qoftë i tillë epilogu i kësaj drame politike të 6 tetorit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco