Mbi  42 mijë “zemra” të pamjaftueshme për  Limajn, Pacollin e Aganin

Mbi 42 mijë “zemra” të pamjaftueshme për Limajn, Pacollin e Aganin

Nga Syri.net Kosova - 08/11/2019

Edhe humbja për politikanët është. Nuk ka dilemë më se për pak vota, koalicioni Nisma-AKR-PD, ka mbetur jashtë Kuvendit.

Ankesat e tyre gjithsesi janë të ligjshme dhe mund ta mbajnë ende gjallë shpresën e zbehur për të kaluar pragun.

Por, edhe vetë e dinë tashmë, se nuk mund të jenë në legjislaturën e re. Ndjekja e procedurave ligjore dhe ankesat e tyre publike, janë një formë justifikimi e ngushëllimi njëkohësisht, për humbjen e rëndë.

Është për keqardhje, sepse fundja mbi 42 mijë “zemra” siç preferojnë kandidatët t’i quajnë votuesit e tyre, “rrahin” për këto subjekte të penalizuara me 6 tetor.

Por, nuk ka asgjë të paligjshme që i ka dëmtuar, siç shprehen në kor, njerëzit e Nismës e AKR-së. Për PD-në mos të flasim, sepse ata kanë heshtur prej kohësh, që kur lideri i tyre, u përfshi në një nga skandalet e mëdha të mjekësisë kosovare.

Gabimet me formularët, nuk mund të ndikonin në numërimin e votave, sepse sistemi nuk do t’i pranonte formularët e tillë. Nisma e di këtë. Edhe AKR-ja.

Sa u përket votave nga Serbia dhe të diasporës, kjo nuk është as hera e parë, as e fundit me këtë sistem zgjedhor, që aplikohet një praktikë e tillë. Mund të ketë argumente morale dhe politike, por mungojnë shpjegimet ligjore, pse do të duhej të mos llogariteshin.

Gjithsesi, në garën zgjedhore, sovrani vendosi t’i lërë jashtë Fatmir Limajn, Behxhet Pacollin e Ferid Aganin.

Është e pamoralshme politikisht, ta fajësosh procesin apo KQZ-në, për një dështim të tillë. Rezultati do të duhej të lexohej drejt, pa frustrime, sepse rrugë tjetër nuk ka.

Natyrisht, është e rëndë kur e kupton se me mijëra vota një politikan nuk arrin të bëhet deputet e një tjetër me disa qindra, siguron një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ky është ligji elektoral në vendin tonë. A e morët ndonjëherë mundimin për ta ndryshuar deri tani? Asnjëherë seriozisht.

Për t’u ndarë me nder pas këtij debakli, Limaj e Pacolli do të duhej ta pranonin rezultatin duke marrë përsipër përgjegjësinë për humbjen.

Duke këmbëngulur pakuptimshëm, se gjoja qenka manipuluar rezultati etj, etj, nuk ka kurrfarë dobie.

Sovrani i ka ndëshkuar shumë politikanë në këto zgjedhje.
Le të shërbejë ky rezultat, si mësim për të gjithë ata që abuzojnë me pushtetin dhe mashtrojnë votuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco