Një furtunë e nevojshme pas 6 tetorit

Një furtunë e nevojshme pas 6 tetorit

Nga Syri Kosova - 07/11/2019

Një muaj pas zgjedhjeve, më në fund Komisioni Qëndror Zgjedhor ka shpallur rezultatet zyrtare, duke i hapur rrugën kështu konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

Kjo zvarritje e rezultateve erdhi për shkak të dobësive menaxheriale të KQZ-së si dhe të vetë sistemit elektoral që është në fuqi.

Ata që ankohen, duhet të mos harrojnë se kështu është ligji zgjedhor, këto janë procedurat dhe mekanizmat që vetë politika i ka krijuar.

Por, t’i kthehemi rezultatit final. Është e qartë se këto zgjedhje janë një hap cilësor në demokracinë e vendit tonë.

Legjislatura e re do të jetë e përbërë nga shumë emra të rinj,që mund ta ngjallin jetën parlamentare.

Edhe pse ka ende në mesin e deputetëve të zgjedhur, figura të konsumuara që nuk përfaqësojnë ndonjëfarë vlere, përbërja e Kuvendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, është dukshëm më premtuese.

Rrotacioni i pushtetit në anën tjetër, është i mirëseardhur, ndërsa “qershia mbi tortë” kuptohet se cila është.

Rënia e PDK-së nga pushteti, është në të mirën edhe të vetë kësaj partie, të stërkonsumuar në qeverisje prej katër mandatesh radhazi.

Sovrani kurrë nuk ka qenë më i qartë, më ndëshkues ndaj politikanëve mashtrues e banditë e më falenderues ndaj atyre që mund t’ia kthejnë shpresën këtij vendi.

Jo rastësisht mbetën emra të njohur jashtë Kuvendit. Jo rastësisht koalicioni Nisma-AKR-PD, nuk e kalon pragun.

Në këto zgjedhje, u dëshmua se sa fuqi ka, qoftë edhe një votë e vetme.

Pas 6 tetorit, asnjë parti apo politikan, nuk do ta injorojë më qytetarin.

Edhe bisedimet për formimin e qeverisë, të fokusuara për herë të parë në Kosovë, në programe dhe strategji veprimi, gjithashtu janë një tjetër shenjë optimiste.

Sidoqoftë, jemi ende në fillimin e qeverisjes së re dhe sfidat janë të forta. Qeveria Kurti do të përballet me një sistem të kapur e të kalbur, të cilin duhet ta pastrojë e ta çlirojë.

Dorëheqja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës, Shpend Maxhuni është vetëm një paralajmërim i furtunës së pritshme.

Nuk duhet të kursehet asnjë keqpërdorues i pushtetit, ashtu siç nuk ka vend për hakmarrje politike ndaj askujt.

Kosova, është dukshëm më ndryshe pas 6 tetorit, por një punë e madhe e pret qeverinë e re. Nëse ka vullnet, shumë gjëra mund të ndryshojnë pozitivisht.

Në tërë këtë histori, e keqja e vetme mbetet, e izoluar tashmë, në presidencën e Kosovës!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco