Aksham pazari i një qeverie hajdute

Aksham pazari i një qeverie hajdute

Nga SYRI.net Kosova - 06/11/2019

Vetëm  kryeministri i dorëhequr me bashkëpunëtorët e tij mund ta dinë arsyen e nxitimit për të zhvendosur dy ministri, në një objekt privat në Prishtinë.

Qeraja vjetore për të akomoduar stafin e Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Bujqësisë, kalon shifrën mbi 1.2 milionë euro. Më e vogël është vlera që ndan MKRS-ja për të subvencionuar artin dhe kulturën në Kosovë.

Por, pak rëndësi ka kjo. Me rëndësi, të mbushen xhepat e ndonjë pronari në prapaskenë, që me gjasë ka lidhje të ngushta me pushtetin. Burime jozyrtare flasin për përfshirjen direkte të kreut në detyrë të ekzekutivit, megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar nga organet kompetente.

Sidoqë të jetë, Ramush Haradinaj nuk është i vetëm në këtë sipërmarrje të ditëve të fundit në karriken kryeministrore. Asnjë fjalë nuk po del nga PDK-ja. Ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi është zhdukur fare.

Punëtorët kanë mbetur pa mbështetje dhe në mes të udhës. Kur partitë në pushtet e ndajnë biznesin përmes vendimeve të caktuara, natyrisht që nuk i reagojnë njëra-tjetrës. PAN-i kështu u krijua e kësisoj edhe po e mbyll njërin ndër kapitujt më të errët të qeverisjes në Kosovë.

Partitë fituese të zgjedhjeve, do të duhej të deklaroheshin qartë në lidhje me vendimin skandaloz të largimit të dy ministrive, në një objekt të papërshtatshëm dhe me kosto tepër të lartë.

Është e pakuptimtë se si mund të lirohet një objekt i shtetit që akomodon qindra zyrtarë, për t’u krijuar hapësirë stafit dhjetëra vetë të Presidencës.

E tëra kjo histori, bie era korrupsion dhe keqpërdorim.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, që pritet ta formojnë qeverinë e re, duhet të dalin me një qëndrim konkret në lidhje me skandalin e fundit të qeverisë në detyrë.

Nga ana tjetër, organet e drejtësisë, duhet të sqarojnë nëse ka të drejtë një qeveri që ka dhënë dorëheqje, të ndërmarrë veprime të tilla, që kanë pasoja milionëshe në kurriz të buxhetit të shtetit.

Këtu po flasim, për vendime që janë bërë publike, por sa e sa të tjera, mund të fshihen nëpër zyrat shtetërore, e për të cilat publiku nuk di asgjë.

Nëse fituesit e zgjedhjeve e kanë seriozisht luftimin e korrupsionit dhe keqmenaxhimit në institucione, mos të presin lutje për të folur, por të dalin në konferenca shtypi dhe të deklarohen prerë.

Përpëlitjet e fundit të këtij ekzekutivi, po u kushtojnë gjithnjë e më shumë taksapaguesve kosovarë.

Është koha që të ndalet kjo babëzi politike!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco