Na keni lodhur

Na keni lodhur

Nga Flaka Surroi - 06/11/2019

E keqja në mesin e gjithë këtyre lajmeve të këqija që po zbulohen dita më ditë në këtë vakum, është se të këtilla skandale do të jenë me mijëra e që mbesin të pazbuluara; pa dënim për ata që i shkaktojnë, e me pasoja të rënda për ne që duhet të jetojmë me to. E kjo e keqe duhet ta ketë një kufi – dhe zgjidhjen duhet gjetur pushteti i ri, me gjithë faktin që ky nuk do ta ketë një shkop magjik që mund t’i ndreqë gjërat përnjëherë. Porse është fakt se ky vend nuk do të mund të mbijetojë edhe gjatë pa pasur sundim të ligjit.

Andej kah zgjedhjet nuk ka asgjë të re, natyrisht, sepse thuajse një muaj më vonë, ende nuk e dimë se kush sa vota i mori. Për më tepër, nuk janë publikuar as rezultatet pas shumë rinumërimeve që u bënë, në formën e rezultateve preliminare. Kështu, tema e nxehtë e zgjedhjeve vazhdon të jetë e njëjta: a po e kalon NISMA pragun apo jo. Se pse është me rëndësi kjo çështje është se pa NISMËN në Kuvend, VV-ja dhe LDK-ja e sigurojnë shumicën e thjeshtë për t’i krijuar institucionet të vetme. Me NISMËN brenda, duhet qasur votave të të tjerëve për të qeverisur vetë, me ca ndihmë nga pakicat joserbe.

PZAP-i vendosi ta shpërfillte vendimin e Supremes që e detyronte KQZ-në për t’i numëruar votat nga diaspora të nisura para, por të arritura pas afatit, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja për akuzën eventuale se e ka shkelur ligjin. Ani pse edhe në zgjedhjet e shkuara ishin numëruar votat e ardhura pas afatit, e që ishin nisur me kohë nga jashtë.

Pardje, zëdhënësi i KQZ-së tha se do të duheshin dy ditë që të verifikoheshin zarfet, dhe se numërimi nuk do të mund të niste para së dielës. Po ja që dje u kuptua se nisi numërimi, i cili nuk do të duhej të zgjaste shumë, për ta përmbyllur këtë proces të tejzgjatur, që tregon për nevojën urgjente të reformimit të sistemit zgjedhor në Kosovë.

Mst: Urgjenca e përfundimit të procesit

Mbase edhe nuk është aq me rëndësi që procesi të përfundojë për shkak se na kanë lodhur fare me të, sa është me rëndësi që ky të mbarojë sa më shpejt për të mundësuar konstituimin e institucioneve të reja. Dhe, mbi të gjitha ndaljen e abuzimit me pushtetin që po e bën garnitura politike që ende i mban dizginat dhe që po bën dëm me veprimet e veta.

Të hënën, gazeta publikoi informatën në lidhje me një raport të përpiluar nga kompania “Hill”, e angazhuar nga Qeveria e Kosovës për ta bërë mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës për në Shkup. Kompania kishte konstatuar vonesat e paarsyeshme të kompanisë ndërtimore dhe kishte hedhur poshtë “argumentet” sipas të cilave “Bechtelit” duhej dhënë 53 milionë euro në emër të dëmshpërblimit për vonesa. Raporti nga 2017-a ishte injoruar nga ministri Lekaj, i cili për më tepër dyshohet se e kishte fshehur këtë raport dhe nuk e kishte ndarë me Këshillin ndërministror. Në fund, paratë u paguan, me gjithë kundërshtimet, me gjithë protestat dhe analizat që tregonin se kjo pagesë nuk kishte bazë.

Po të njëjtën ditë, u fol për “Projektligjin për ujërat” që MMPH-ja e kishte hedhur në debat publik pesë ditë para zgjedhjeve (sic!) me të cilin praktikisht synohet legalizimi i hidrocentraleve që janë ndërtuar dhe operojnë pa leje, apo në kundërshtim me ligjin. Pra, investimet e dikujt që e kanë marrë nga një gjysmë leje diku, në gjysmë pëlqimi diku tjetër, dhe i kanë futur nëpër gypa ata pak lumenj që i kemi, duke e shkatërruar biodiversitetin për pasojë, duke e shkatërruar vetë natyrën. Vërtet duhet qenë shumë shpirtngushtë e të kesh një interes personal a grupor financiar për të lejuar manipulimin me ujin, që është e mirë e përgjithshme që duhet ruajtur, e jo shkatërruar.

Të nesërmen doli përmbledhja e një raporti auditimi sipas të cilit u konstatua se i biri i Fatmir Limajt, që ka shërbyer si shef kabineti i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, i kishte shpenzuar 30 mijë euro për dy vjet vetëm në udhëtime zyrtare. Pa hyrë më thellë në analizën e shpenzimeve, ky fakt është një arsye e madhe që NISMA të mos e kalojë pragun: do të duhej të ishte ndëshkim për një parti të vogël që ka bërë zarar të madh në Qeverinë e shkuar. Fillimisht, po të kishte Prokurori ky vend, i gjithë rasti Limaj do të duhej të kishte përfunduar me një hetim për konflikt të pastër interesi. I biri i shefit të partisë, bëhet shef kabineti i ish-shefit të kabinetit të shefit të partisë... thuajse krejt muhabeti duhet të mbahet brenda në familje, ku dihet se shefi e ka fjalën e fundit. Edhe atë për t’ia lejuar të birit që ta sakatojë buxhetin – në vendin, i cili me gjasë, është i pari i punës për të. Ky do të jetë mbase shembulli më ilustrativ i pushtetit të kumandantave – suksesi matet me numrin e familjarëve dhe kushërinjve që i kanë angazhuar rreth vetes, për ta fituar dhe mbajtur pushtetin.

E sikur kjo të mos mjaftonte, në fund doli edhe një lajm që tregon se për shkak të mosreagimit të institucioneve të Kosovës, pensionistëve të cilëve Serbia ua vodhi paratë, nuk do t’u kthehen 2 miliardë eurot. Serbia ia ka dalë që ta relativizojë çështjen që kishte pasur aktgjykim nga Strasburgu, e që ta kthejë mbase në një temë për diskutim në negociatat Kosovë-Serbi. Nuk do të isha çuditur po qe se Kosova tash i del borxhli Serbisë për paratë që kjo e dyta na i vodhi të gjithëve në Kosovë.

E keqja në mesin e gjithë këtyre lajmeve të këqija që po zbulohen dita më ditë në këtë vakum, është se të këtilla skandale do të jenë me mijëra e që mbesin të pazbuluara; pa dënim për ata që i shkaktojnë, e me pasoja të rënda për ne që duhet të jetojmë me to. E kjo e keqe duhet ta ketë një kufi – dhe zgjidhjen duhet gjetur pushteti i ri, me gjithë faktin që ky nuk do ta ketë një shkop magjik që mund t’i ndreqë gjërat përnjëherë. Porse është fakt se ky vend nuk do të mund të mbijetojë edhe gjatë pa pasur sundim të ligjit.

Mst: Pika kthesë

Sundimi i ligjit natyrisht se nënkupton edhe hetimin e drejtë dhe profesional të rastit Dehari, i cili tashmë ka kaluar në kompetencën e Prokurorisë Speciale, me vendim të kryeprokurorit të shtetit. U desh të priteshin tre vjet për një vendim të këtillë. Mbase nuk do të duhen edhe aq për t’i marrë në përgjegjësi të gjithë ata që i bënin hallkat e zinxhirit, që rastin me këmbëngulje e paraqisnin si vetëvrasje me gjithë alogjizmat që i kishte.

Shoqëria civile u aktivizua – u pikturua një mural që tash është shndërruar në një vend pelegrinazhi, po qe se mund t’i thuhet kështu. Një vend, i cili do të shërbejë për të rikujtuar se drejtësia duhet vënë në vend, si për Deharin, ashtu edhe për të gjithë të tjerët që kanë mundur të pësonin nga sistemi i gjymtë i drejtësisë i këtij shteti.

Më datën 5 nëntor, në përvjetorin e tretë të vrasjes së Deharit, do të mbahet një marsh në Prishtinë, dhe po qe se do të jetë i ngjashëm me atë të para tre vjetësh, do të shndërrohet në vërejtjen e fundit për prokurorët dhe hetuesit e këtij vendi – se po qe se nuk sillen profesionalisht dhe sipas detyrës që ua ka përshkruar ligji, të hetuarit për mosveprim do të jenë ata. Mbase ky marsh do të jetë pika kthesë për Kosovën, e cila vuan për drejtësi, rend dhe ligj.

Një kishte të bënte me abuzimin e buxhetit në favor të personave që janë ftuar nga Specialja në Hagë, në cilësinë që ende nuk e dimë. Ligji i paarsyeshëm me të cilin personave ndaj të cilëve nis procesi në Hagë u sigurohet ndihma për mbrojtje juridike, parasheh që kjo ndihmë mund t’u akordohet vetëm në çastin kur ka aktakuzë. Deri më tani, nuk ka asnjë të tillë, për pasojë asnjëri nga ta nuk do të duhej të përfitonte nga ky ligj.

E megjithatë, vendimet e nënshkruara nga Enver Hoxhaj, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe në mungesë të Haradinajt, e varfëruan buxhetin për 70 mijë euro për katër të ftuar nga Specialja: Sami Lushtaku 9.187 euro; Mahir Hasani 6.991 euro; Sylejman Selimi 13.822 euro dhe Lahi Brahimaj 40.000 euro. Nuk dihet saktësisht se për çfarë janë shfrytëzuar këto para, porse nëse këta janë honorarët e avokatëve të huaj që po i mësojnë që të mbrohen në heshtje, janë para shumë të mëdha që Kosova e varfër vështirë se i përballon me këtë ritëm të pambështetur në ligj.

 

Lajmi tjetër dhe për ta përmbyllur javën qe paralajmërimi i BQK-së se do të rriteshin tarifat për sigurimin e veturave. E paralajmëruar qe një kohë, për shkak të falimentimit të një a dy kompanive të sigurimit, tash po mendohet për marrjen e një vendimi goxha arbitrar për t’ua mbuluar humbjet kompanive që kanë falimentuar, e që nuk dihet nëse i kanë deponuar milionat që do të duhej të shërbenin si garanci për situatën që është krijuar.

Në vend se shteti të merret me konfiskimin e veturave që nuk janë të regjistruara e që qarkullojnë lirshëm duke paraqitur rrezik të dyfishtë, qoftë ambiental, qoftë të sigurisë publike për shkak se as kontrollin teknik nuk e kryejnë, ky merret me dënimin e paguesve të rregullt. Sepse nuk ka se si të shihet ndryshe vendimi për ngritje të tarifave – duke i dënuar vozitësit e ndërgjegjshëm, ua siguron paratë kompanive private të sigurimit, ndërkohë që lejon që një numër i madh personash ta shkelin ligjin para syve të të gjithëve.

Çështja e veturave, importimi i këtij bërlloku nga jashtë, homologimi, kontrolli teknik shkel e shko dhe fakti se veturat në fakt janë luks e jo mjet pa të cilin nuk jetohet do të jetë edhe një nga temat urgjente me të cilat duhet marrë Qeveria e re. Sepse është edhe një temë ku ka pasur shumë interesa financiarë të rretheve të ngushta fisnore e biznesore.

Nuk e besoj se certifikimi i rezultateve do të kalojë aq shpejt sa do të dëshironim. Nuk e besoj se NISMA do të heqë dorë nga të gjitha shkallët e ankesave që mund t’i ketë në dispozicion, për t’i eliminuar nga numërimi votat e ardhura nga Serbia për t’u siguruar se mund ta kalojë pragun. Nuk e besoj se të pakënaqurit me vjedhjet e brendshme në listat partiake do të dorëzohen kaq lehtë kur e dinë se të jesh deputet është një privilegj i jashtëzakonshëm – sepse deri tash deputetët janë paguar për të mos bërë gjë.

Porse, kurdo t’i bjerë hiseja koalicionit të ri që ta krijojë Qeverinë, ajo do të ndodhë, ngase duket se kësaj radhe nuk ka se si të ndalet kjo punë. Me gjithë përpjekjet e atyre që me vite luftuan që të mbaheshin në pushtet, edhe me manipulimin e Kushtetueses. Të atyre që mbase kurrë nuk do ta kishin parafytyruar se do të vinte dita për një koalicion ku pushtetin nuk do ta kenë kumandantat.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco