Çka fshihet pas draftit për AKS të Kryeministrit Rama?

Çka fshihet pas draftit për AKS të Kryeministrit Rama?

Nga Dren Dushi - 09/06/2023

1. Zgjedhjet lokale që konfirmuan sëmundjen gjysmë shekullore të Shqipërisë

Shqiptari mesatar i mes shekullit të kaluar, pra rreth viteve 1950, gjendet pranë një pushteti të ri, përcaktuar nga Miladin Popoviq, pra përcaktuar nga Moska dhe Beogradi. Është shqiptari i dalë nga një periudhë tranzicioni të nisur nga Mbreti Zog, periudhë që deshi ta shpallë “të keqe” të kaluarën konservative otomane shqiptare, por që pushteti i ri i Moskës dhe Beogradit, përmes disa cubëve komunistë me në krye Enver Hoxhën, do e shpallte “demone” çdo gjë të së kaluarës, për të krijuar “njeriun e ri”, pra shqiptarin komunist. 

Ky “njeri i ri”, apo “shqiptari i ri”, mesatar, i krijuar nga pothuajse pesë dekada dhunë, terror, frikë, kontroll, ia arriti më në fund të merrte formë, të bëhej standard social. Sot kemi këtë “njeri të ri”, në Shqipërinë e mjerë, të ndërtuar nga Miladini, një njeri po i mjerë, i shkatërruar psikologjikisht, pa shpresë, që do të ikë nga Shqipëria, që nuk beson më në vlera demokratike, në votë të lirë, në ligj e rend, në drejtësi, që shet votën, që aprovon elita politike të lidhura me drogën, klandestinin, me shtet-kapjen, me media-kapjen, për aq sa merr një copë bukë goje, aq sa për të kaluar muajin, ashtu siç bëri për pesëdhjet vjet me Enver Hoxhën. 

Nuk ka qenie-krijesë më të aftë për përshtatje se njeriu, e njeriu i Miladinit, pra i projektit 5 dekadësh komunizëm, servilizëm, shkatërrim dinjiteti, është përshtatja e përgjithshme e këtij njeriu, që fatkeqësisht dominon në Shqipëri, dhe që, këtë gjë e din shumë mirë Kryeministri i saj, i dalë nga po këto celula “elitare”, pra nga ato që i kam quajtur “elita të Popoviqit”. 

Paratë e krimit, kanë mundësuar në shqipëri një neo-elitë popoviqe, e aprovuar edhe nga një pjesë e elitave ndërkombëtare, meqë kjo elitë popoviqe, i përshtatet skemës për stabilitokracinë e Ballkanit Perëndimor, e sidomos i përshtatet etërve që e kanë krijuar, pra i përshtatet një Ballkani të dominuar nga elitat e Beogradit. 

Rrjedhimisht, “njeriu i ri” i Shqipërisë, ky njeri nga i cili, kosovarët e varfër ankohen, se i mashtrojnë me çmime gjatë pushimeve, duke mos e kuptuar, se përgjithësisht, në një vend ku dominon një standard i përcaktuar nga ideja se “mashtrimi është mjet mbijetese dhe krejtësisht legjitim”, ka bërë që të vazhdohet e njejta formulë sundimi, si ajo e Enver Hoxhës, vetëm se në verzionin neo. 

Nuk mund të ndryshoj Shqipëria, pa ndryshuar mendësia e saj, pa u shkatërruar “njeriu i ri” i Popoviqit, dhe pa u zëvendësuar me njeriun normal, që beson se vota bën ndryshimin, që beson se një establishment pasardhësish të cubave të Popoviqit nuk janë më të fortë se një komb, që beson se disa klane drogjesh në Shqipëri mund të demolohen shpejt nga një njësit policor serioz dhe i pa korruptuar, se Shqipëria për të cilën Konica kishte thënë u bë, mund ta bëj edhe shqiptarin. 

Kryeministri Rama, është thjesht pasojë, përshtatje, prodhim i këtyre rrethanave, ai njeh mirë mendësinë e “njeriut të ri’’ të Popoviqit, sepse elita të cilës i përket ka marrë pjesë në ndërtimin e këtij njeriu, ai pra ka traditë, ai di të vazhdoj këtë traditë, dhe jo rastësisht gjendet si shqiptari me më së shumëti pushtet që jeton në botë, problemi i tij i vetëm është, shqiptari i dytë me më së shumëti pushtet në botë, Kryeministri tjetër shqiptar, Albin Kurti. 

2. Lëvizja e KM Rama, tentim vazhdimi i projektit Vuçiq-Rama-Thaçi
Tre shtete të kapura, Serbia, Kosova dhe Shqipëria, dhe tre kapës, Vuçiq-Rama-Thaçi, tri shtete autoritare, një skenë stabiliteti, vazhdim i asaj që kemi parë tash e shumë vite, u prish si skenë nga populli i pa nënshtruar i Kosovës, nga populli që ka një cilësi të veçantë, nuk është konformist. 

Teksa Baton Haxhiu me oratorinë e tij të ngjashme me të Hashim Thaçit, pra një oratori e limituar më shumë se zakonshëm, me jo mjaftueshëm fjalë, aq më pak kur mungojnë edhe argumentet, nuk ia doli dot të bindë opinionin publik, se shkëmbimi i territoreve është i mirë. Por tash, meqë shkëmbimin ia la në fyt populli i Kosovës, dhe drejtësia evropiane, apo thënë më mirë 100 viktimat, Batoni, që tashmë qëndron në Tiranë, më afër lozhës së Popoviqit, ka marrë për mision të propagandoj projektin për AKS. 

Meqë gjërat shkuan siç shkuan, me Ukrainën protagoniste të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, dhe të vardisjes ndaj Serbisë që tashmë ka nisur nga perendimi, vetëm që kjo e fundit të ecë sado pak më larg Rusisë, në Tiranë qe nisë një mbështetje për AKS, e cila u plasua nga Kryeministri Rama, në Berlin dhe Paris. 

Edi Rama, ndonëse i pa miratuar nga populli i Kosovës, ka vendosur të vendosë për popullin e Kosovës, meqë ai konsideron se kjo është tashmë çështje e kombit, dhe se ai po ashtu konsideron se ai është njeriu numër një i kombit, Albin Kurti është numër dy, dhe për më tepër, sipas pikëpamjes së tij, Kurti nuk po din, është i ri, po e dëmton Kosovën, me ato që i ka bërë në veri, dhe se ai (Rama) do ta shpëtoj me këtë draft status për Asociacionin, të cilin, po e pranuan si të mirë Berlini, Parisi dhe Beogradi, Kryeministri Kurti do të jetë në penall.

Duke qenë se nuk e dimë çfarë ka në këtë draft status (Baton Haxhiu sigurisht e din), nuk mund të themi nëse është i mirë apo i keq për Kosovën. Ajo që mund të themi është se me këtë gjest, Edi Rama ka injoruar popullin e Kosovës, meqë ky i fundit e ka autorizuar për Kryeministër të vet Albin Kurtin, teksa për Presidente Vjosa Osmanin. 

Kryeministri Rama, sikurse edhe Ambasadori Grenell (mik i Serbisë), e duan Thaçin në krye të Kosovës, meqë, Thaçi vjen nga i njejti trung politik nga ku vjen edhe Rama, pra janë pasardhës të komunizmit dhe strukturave të saj si dikur Partia Komuniste e LPK. Për më tepër, biznesi i të tre vendeve (Serbi, Kosovë, Shqipëri), dominohet nga miqtë, financuesit, shtet-kapësit e këtyre tre liderëve (njëri tashmë ish-lider).  Rama përmes draft-statusit, do të dëmtoj politikat e Kurtit, ta risë presionin, dhe ta vendosë Kurtin para aktit të kryer, dhe ta vë në pozitë të keqe, një pozitë që pretendon ta shpallë Kurtin si dikë të cilin nuk e pyet askush për asgjë, anipse e pyet populli i Kosovës, të cilin akademiku nga Prapashtica e shpalli analfabet funksional. 

Ky akt politik i Kryeministrit Rama, mund të jetë i suksesshëm nëse propozimi i tij për draft statusin, ka respektuar parimet Kushtetuese të Kosovës, dhe nëse ky propozim do të ishte i pranueshëm nga Kosova dhe Serbia. Por është e pafalshme që Kryeministri Rama, këtë lëvizje e ka bërë duke e anashkaluar dhe vendosur në pozitë të keqe Kryeministrin Kurti, madje edhe popullin e Kosovës. Prapa kësaj lëvizje, fshihen interesa të elitave të shprehura në këtë shkrim, elitave që tashmë kanë kaluar kufijtë në Ballkan, por jo me parime të njejta të tejkalimit të kufijve si në Evropë. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco