Saimir Tahiri, dhurata për Yuri Kim

Saimir Tahiri, dhurata për Yuri Kim

Nga Hysni Gurra - 05/06/2023

Lirimi nga burgu i Saimir Tahirit ishte dhurata që kryeministri Rama i bëri ambasadores amerikane në ikje Yuri Kim.

I dënuar kryesisht për shkak të këmbënguljes amerikane, ish-ministri i Brendshëm e pa nga shtëpia lajmin e ditës: Saimir Tahiri lë burgun.

Për dënimin e ish-ministrit më të suksesshëm të qeverisë Rama do të mjaftonte vetëm episodi i makinës së tij që përdorej nga kushërinjtë trafikantë. Nuk kishte nevojë për asgjë, qoftë edhe për faktin alarmues të kanabizimit të vendit më 2017 dhe inkriminimin e zinxhirit komandues të policisë së shtetit në këtë proces.

Saimi Tahiri mund të dënohej, nëse do të hetohej siç duhet qoftë për episodin e 900 mijë eurove kesh të gjetura në makinën që doli nga shtëpia e tij. Por hetimi i tij asnjëherë nuk u mor seriozisht nga Prokuroria.

ish-prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kërkuan arrestimin, deputetët e PS me në krye ministrin e sotëm të Brendshëm Blendi Çuçi u bënë gardh dhe agresivë për kërkimin e provave.

Vetë Rama herë pas herë dilte në TV edhe pas dënimit dhe e thoshte një fjali të tipit: T’i kërkojmë falje Saimir Tahirit.

Lirimi i Saimir Tahirit u desh të shoqërohej me një ‘tymuese’ nga pushteti, siç ishte lajmi i arrestimit të sekretares së Manastirliut, e kjo për të amortizuar disi goditjen për ata që besuan te Drejtësia e Re dhe për sponsorizuesit e mëdhenj të Reformës në Drejtësi.

Lirimi i Tahirit dëshmon se këtu ka dy drejtësi, një për gjithë qytetarët dhe një për Tahirët. Lirimi i Tahirit dëshmon se vendi tashmë ka një prokuror, një gjyqtar, një noter dhe një përmbarues. Emri i tij është Edi Rama.

Ndërsa sa i përket ‘arsyetimit’ të gjykatës së Elbasanit për lirimin e Tahirit, do të ishte shumë më mirë ta kishin liruar në ditën e 1 qershorit, në festën e fëmijëve, do të ngjiste më shumë arsyetimi se ‘fëmijët kanë nevojë për prindin’.

Si rregull, qeveria i bën një dhuratë një ambasadori të rëndësishëm në përfundim të mandatit. Dhe dhuratë më sinjifikative për ambasadoren Kim, se lirimi i Saimir Tahirit, nuk mund të gjendej.

Deri në lirimin për ‘arsye familjare’ të atyre që si ‘kau balash kanë futur vetë qafën në kularin e drejtësisë’ na mbetet të themi: para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe në të njëjtën kohë të shtrëngojmë nofullat që të mos qeshim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco