Dajaku i Draganit drejtuar KFOR-it dhe “Paqja me çdo kusht” e dy dekadave të fundit!

Dajaku i Draganit drejtuar KFOR-it dhe “Paqja me çdo kusht” e dy dekadave të fundit!

Nga Dren Dushi - 05/06/2023

Lufta që mund të zgjerohej në Ballkan qe bërë e mundur pas një vendimi të ish Presidentit serb, S.Milosheviq, që të bënte “zgjidhjen përfundimtare” për shqiptarët e Kosovës. Plani ishte i qartë, e kemi përjetuar vetë. Filloi me dëbimin tonë nga puna, kulmoi me përjashtimin tonë nga shtëpitë tona, duke na përndjekur me gjenocid, masakra, dhunime, djegje shtëpishë por edhe djegje njerëzish.

Kjo gjendje u bë problematike aq sa edhe civilët e Kosovës u desh të kapin ca armë, me idenë,“s’kemi ku të shkojmë më”. Dhe kur u kapën armët, u rrit frika se dhuna do kaloj kufijtë e Jugosllavisë së atëhershme. Kur dhuna ka tendencë të tejkaloj kufijë nga ku ka filluar, gjërat bëhen shumë serioze, dhe kjo shihet më së miri tash që Kosova, e drejta e saj, sovraniteti i saj, kushtetuta, bëhen gjëra shumë të pa rëndësishme për të fuqishmit e botës, meqë kjo po komplikon pikërisht këtë fakt.

Ka një dallim mes luftës dhe konfliktit, dhe këtë dallim mund ta kuptojmë mes asaj që po ndodhë në Ukrainë dhe në Kosovë. Pra në Ukrainë ka luftë, në Kosovë ka konflikt, e
përbashkëta është që në të dyja rastet, ka një palë që ka shumë të përbashkëta, Rusia dhe Serbia, kjo e përbashkët, është bërë pengesë për perendimin.
Bota perëndimore, pra bota që ka mundësuar Pavarësinë (ndonëse të cenuar) të Kosovës, tashmë është e përkushtuar fuqishëm që zona e luftës në Ukrainë, të jetë totalisht e izoluar,madje të mos ketë mundësi që të përhapen edhe zona tjera konflikti që kanë tendencë eskalimi, siç është rasti i Kosovës. Bota perëndimore, rrjedhimisht do që në mes të Kosovës dhe Serbisë të ketë normalizim të marrëdhënjeve, që do të thotë, paqe.

Duke e kuptuar këtë gjë Serbia, pra duke e kuptuar faktin se bota demokratike e do një paqe që, siç u kuptua nga zhvillimet e fundit, na përkujton titullin e librit të Ian King dhe Vhit Mason, “Paqe me çdo kusht”, por që titulli vazhdon; “...-si dështoi bota në Kosovë?”.

Këtu gjenden shumë përgjigjie të faktit se, Kosovën kanë mundësi ta braktisin rreth 200 mijë banorë brenda 10 viteve të ardhme, meqë, politika perëndimore me të vërtetë deshi kryesisht “paqe me çdo kusht”.

Por cilat ishin këto kushte që u e bënë të gërditshme jetën e njerëzve me dinjitet në Kosovë?

Vjedhja e zgjedhjeve, vrasjet politike, korrupsioni, shtet-kapja, nepotizmi, shndërrimi i mekanizmave të sigurisë së shtetit në mekanizma të sigurisë së partive politike, mbushja e Kuvendit të Kosovës për dy dekada me analfabetë funksional, mbushja e universiteteve, instituteve, OJQ-ve me mediokritet, pra me pak fjalë, atë që Niçe do ta quante rrafshimi i të gjithë vlerave, nuk kishte shumë rëndësi, rëndësi kishte “paqja me çdo kusht”.

Nuk kishte rëndësi se çka ndodhë me 2 milionë shqiptarë të Kosovës, me demokracinë e tyre, me jetërat e tyre, në një shtet të dështuar, nga i cili duan të ikin njerëzit, meqë, si vend i vogël që është, është dëshpëruese kur kjo rini sheh fëmijët e politikës teksa shkatërrojnë nga një veturë 100 mijë eurshe çdo vit. Por ama, ishte arritur një gjë, ishte arritur “paqja me çdo kusht”, dhe sigurisht, ishte arritur edhe konstatimi “bota dështoi në Kosovë”, të cilin e kishin kuptuar,  sqaruar e argumentuar shumë mirë dy autorët Mason dhe King, të cilën, si gjendje, po e sqaron gjendja e sotme në Veri.


Një dekadë pas Paqe, edhe me kusht që, Dragan Smigiq, me shkopin e tij të policit serb, ju bie pamëshirshëm dhe barbarisht forcave paqëruajtëse të KFOR-it, të shndëruara në forca për “paqe me çdo kusht”, nga një politikë e cila bllokoi rajonin e Ballkanit perëndimor për dy dekada, dhe që, krijoi kushte solide për sundime autoritare. Paqe, edhe po nuk u respektua rendi kushtetues i Kosovës, të mos flasim për sovranitetin e saj dhe një limiti se deri ku mund të ndërhyjnë ndërkombëtarët. Duket se ky limit nuk ekzistoka në rastin tonë.

Por duhen precizuar ca gjëra që janë me shumë rëndësi. Qasja “paqe me çdo kusht”, është neveritëse për ata që duan të kenë një shtet të së drejtës, të sundimit të ligjit. Nuk mund të bëhet fjalë për demolimin e strukturave kriminale në veri të Kosovës, të cilat mundësojnë që të lëndohen 30 pjestarë të KFOR-it, urdhëri ndaj të cilëve qe “paqe me çdo kusht”, edhe nëse në kokat e tyre hedhej eksplozivë, edhe nëse në trupat e tyre shtihej me armë, edhe nëse Dragani i çartur ishte mbushur frymë teksa nuk e ndalte goditjen me shkopin e tij të policit serb.

Sado qesharake të duket, akoma më qesharake bëhet kur na duhet të lexojmë reagime nga hartuesit e politikës “paqe me çdo kusht”, teksa, për të gjithë këtë fajsojnë kushtetutën e Kosovës, të cilën e kishin shkruar vetë. Me gjithë këto, le të kthehemi në realitet, e të lëmë idealen pak të pushoj, të mbetet në teori, aty ku njerëzimi ia ka caktuar vendin.

Fuqia ushtarake e Kosovës, është e cunguar, meqë nuk i lejohet as armatosje defanzive, ne mund të goditemi nga artileria serbe për muaj të tërë, pa pasur asnjë aftësi përgjigjëse (hipotetike e çmendur do thonin disa). Ne mund të goditemi nga ajri, mund të invadohemi nga tanket, dhe nuk kemi kapacitete defanzive, meqë, nuk na lejojnë të kemi. Po, e vërtetë është, “jemi të pavarur aq sa na thonë të jemi”.

Neve pra jemi në këtë realitet, ne nuk mund të mbrohemi vet nga Serbia nëse kjo e fundit nuk është e kënaqur me diçka, neve na mbron NATO, KFOR-i, nga ku na u tha së fundmi se nuk duhet të llogarisim shumë në ta për aq sa nuk koordinojmë çdo gjë me ta. Pra ne duhet të koordinohemi me ta, me çdo kusht.

Rast fantastik për të shpjeguar atë që në teoritë politike njihet si real-politika, për lexuesin që s’do të çaj fort kokën; real-politika është politika ku argument është potenciali ushtarak. Edhe këtë rast, ne mund të kemi fituar argumentin se në Veri ka struktura kriminale, se Serbia po do të ketë një tjetër Republika Srbska, se Kosova ka të drejt të ushtroj sovranitetin e saj, se Pako Ahtisari është Pavarësia, e se Kryetari i Komunës e ka vendin e punës në Komunë. Por jo, në real-politikë, Kryetari i Komunës e ka vendin e punës aty ku thonë rrethant e përcaktuara nga forca.

Sovraniteti i shtetit është i përcaktuar nga fuqia, jo e drejta. Struktura kriminale dhe dajaku ndaj KFOR-it, mbtet i pa cënuar për aq sa pas saj ka një ushtri të fuqishme si ushtria e Serbisë, në të vërtetë, nuk qe imazh i mirë për NATO-n, dajaku i Draganit. 


Zgjidhja, asgjë më shumë apo më pak, se “arti i së mundshmes”, midis korrupsionit, shtet  kapjes, banditizmit e rrafshimit të çdo vlere plus gjeopolitikës që ecë vetëm sipas real-politikës, ne duhet të zgjedhim të keqën më të vogël, të pranojmë gjeopolitikën, minus këto të parat, zgjidhje ideale nuk ka, jo në real politikë, pra jo në këtë botë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco