Një ‘triumf’ për Kurtin por ‘autogol’ për kryeministrin

Një ‘triumf’ për Kurtin por ‘autogol’ për kryeministrin

Nga Astrit Veliqi - 28/05/2023

Edhe përkundër hapave që mëtohet se janë bërë në marrëveshjen e fundit 'verbale' në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë, megjithatë, veriu mbetet një 'bombë e kurdisur'.

Kjo u dëshmua edhe nga pamjet e fundit që erdhën nga ajo pjesë e Kosovës, ku strukturat kriminale serbe, të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, por edhe nga qarqet tjera ruse, kishin për qëllim të barrikadonin institucionet e Republikës, duke pamundësuar në këtë mënyrë edhe punën e kryetarëve të zgjedhur së fundi.

Prandaj për t'u arritur kjo u deshë edhe ndërhyrja e njësive më elite të Policisë së Kosovës, të cilat, u bën edhe cak i sulmeve të bandave, duke u goditur me lloj-lloj materiesh të rrezikshme, sikur ishin gurët, koktel-molotovi, shock-bombat, por nuk munguan as breshëritë e armëve.

Megjithatë, si çdo herë, Policia e Kosovës me profesionalizmin e saj të lartë, arriti t'i zbrapsë këto banda kriminale, duke i çliruar objektete e komunave veriore, që në fund edhe simbolikisht u bënë pronë e Republikës sonë, duke futur brenda kryetarët e zgjedhur, por edhe duke hequr flamujt serbë, e duke i vendosur ata të Republikës sonë.

Ky hap i institucioneve kosovare u komentuar mjaft shumë, jo vetëm në opioninin e gjërë kosovar, por edhe jasht tij, herë duke u ‘aplauduar’ si një ‘triumf’ për Kurtin, por edhe duke u kundërshtuar nga BE dhe NATO, por reagimi më i fortë kësaj radhe ka ardhur nga SHBA-ja zyrtare, konkretisht nga DASH.

Reagimi nga Sekretari amerikan, Antony Blinken, ishte i pazakontë për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, i cili si i tillë, nuk mbahet mend asnjëherë që vendi ynë si aleati më i madh amerikan të goditet, aq fort dhe direkt dukë na bërë neve si fajtor për çdo eskalim të situatës në veri.

Prandaj nëse e lexojmë mes rreshtash një reagim të tillë, del se Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk e ka pasur koordinimin e duhur me aleatët përendimor për veprimet e fundit atje, të cilat nga shumëkush u konsideruan edhe si një ‘teatër’.

Kjo pa asnjë mëdyshje ishte një 'autogol' për kryeministrin, derisa në anën tjetër u pa si një 'triumf' për Albin Kurtin, i cili me veprimet e fundit, sipas tij bëri zgjidhjen e duhur, duke respektuar Kushtetutën për krijimin e një ambienti normal që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë funksionin e tyre ligjor.

Por sa do të zgjasin këto veprime dhe a do të kthehet ma në fund rendi dhe rregulli në veri, ditët në vazhdim do të jenë vendimtare, ngase do të jetë bukur e vështirë që çdo ditë policët tanë të bëhen pararojë e mbrojtjes së pronës komunale sikurse edhe të krerëve dhe punëtorëve të administratës.

Kjo do të jetë, jo vetëm një barrë e madhe për policinë dhe sistemin menaxhues atje por edhe për jetën e zyrtarëve policor, të cilët duhet të kenë kujdes nga provokimet e bandave të cilat nuk do të mbesin duarkryq.

Aq me tepër se provokimet në veri, edhe në planin politik i konvenojnë Vuçiqit dhe piunëve të tij rusë, të cilët synim të vetëm e kanë kaosin dhe zgjerimin e konfliktit në Ballkan, e ku dihet se 'baruti' i saj ende mbetet, Bosnja, Kosova, duke mos e përjashtuar as Malin e Zi.

Sido që të jetë, bandat e veriut, nëse kthehemi në retrospektivën mbi 20 vjeçare, njohin vetëm 'gjuhën e forcës', megjithatë shteti ynë i brishtë kujdes të shtuar duhet të ketë edhe në planin politik, ku çdo veprim në veri të jetë i koordinuar fuqishëm sidomos me aleatin tonë të përjetshëm, SHBA-në, duke mos munguar as BE-ja.

Pamjet e fundit që i kemi parë në veri, nuk duhet t'i shohim më, madje lutem qe as të mos përseriten, megjithatë edhe mund të jetë e gabuar, por prej 26 majit, përkundër 'triumfit' në sovranitet, themelet e ‘shtetit tinejxher 15 vjeçar’ kanë nisur të ‘lëkunden’ bashkë me ‘karrigen’ e kryeministrit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco