Shtatë mësime nga Kur'ani, që i shërbejnë gazetarisë

Shtatë mësime nga Kur'ani, që i shërbejnë gazetarisë

Nga Shkëlqim Ajdini - 31/03/2023

Libri i shenjtë islam, Kurani, përfshin në tërësinë e tij shumë mësime, tema, ngjarje e argumente.

Islami synon besimin e gërshetuar me argumente të prera dhe bindëse, dhe mohimin e hamendjeve.

Kurani njihet për mësimet që i jep për situata specifike, por edhe gjenerale, të cilat përdoren në mënyrë kontekstuale.

Më poshtë, keni disa ajete (mësime), që tregojnë për mënyrën e qasjes ndaj disa situatave a rrethanave.

Do theksuar se, këto janë vetëm disa ajete kuranore, të cilat kam arritur t'i identifikoj vetë. Natyrisht, se ka edhe shumë të tjera.

1. Thirrja për të folur, shkruar të drejtën. Dhe, me prova.

Kuran:

"Thuaju: Sillni provën tuaj nëse jeni që flisni të drejtën" (El-Bekare, 111)

2. Marrja dhe shpërndarja e lajmeve pa verifikimin e tyre.

Kuran:

"O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e godisni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë" (Huxhurat, 6)

3. Bëhuni të drejtë në atë që flsini, pavarësisht ndaj ose kundër kujt.

Kuran:

“Dhe, kur të flisni, bëhuni të drejtë, qoftë edhe kundër të afërmve tuaj". (En’am, 152)

4. Ndalimi i zbulimit të metave të dikujt në bazën e dyshimeve.

Kuran:

"O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgojoni njëri -tjetrin…”(Huxhurat, 12)

5. Maturia është një virtyt i lartë.

Kuran:

“Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë, vërtet që njeriu është i nxituar" (El Isra, 11)

6. Nëse shfaqen çrregulli, tensione, dhe pështjellohen situatat, mos gjyko për asgjë që ka të bêjë me atë situatë, derisa të kesh një përfytyrim të plotë dhe të qartë të asaj që ndodh.

Kuran:

“Mos shko pas diçkaje, për të cilën nuk ke dijeni" (El Isra, 36)

7. Është e domosdoshme që të mbahet drejtësia në çdo gjë që thuhet dhe gjykohet.

Kuran:

“Të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është ma afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut" (El Maide).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco