Pse Rama nuk e përkujtoi nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë?!

Pse Rama nuk e përkujtoi nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë?!

Nga Enver Bytyçi - 28/03/2023

Kaluan tri ditë nga 24-vjetori i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Ishte kjo ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar që prej antikitetit e sot në raport me faktorin ndërkombëtar. Ishte dhe mbetet ngjarja më e madhe e vetë Aleancës Atlantike dhe unike në historinë e botës. As në kohën e Perandorisë Romake, kur u konstruktua Evropa e sotme për herë të parë, nuk kishte ndodhur që vendet e krishtera evropiane të bëhen bashkë pa dallim në mbrojtje të një populli (kombi), siç ndodhi në pranverën e vitit 1999 me shqiptarët e Kosovës.

Por, megjithëse ngjarja është e përmasave të tilla, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk denjoi të shkruajë ose të thotë qoftë dhe një fjalë të vetme për të. Sot, pas tri ditësh, verifikova rrjetet sociale të tij, shkrova në Google fjalët kyçe, me të cilat mund të gjendej ndonjë fjalë e tij, por nuk gjendet asgjë. Heshtje e plotë! Heshtje, e cila në fakt nuk është heshtje. Sepse kjo heshtje foli të dielën me datën 26 mars, kur Rama artikuloi diçka interesante gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Tiranë. Tha pak a shumë se epërsia e Serbisë në dialog me Kosovën nuk është përgjegjësi e Albinit. Në këtë këndvështrim m‘u desh të bëj një lidhje në detajet, ku sipas Edi Ramës fle djalli, (unë them lepuri).

Në retorikën e kryeministrit të Shqipërisë duhet të jesh i kujdesshëm të dallosh se ku i dhemb atij. Mbasi në pjesën e parë të pohimeve të tij të dehin deklaratat patriotike, por gjithnjë pas tyre vjen helmi. Pse Edi Rama heshti ditën e përkujtimit e madje të festimeve të 24 marsit, kur presidenti amerikan, Bill Clinton, dha urdhrin për fillimin e bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë? Sepse ai llogaritë i ka me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Nuk i ka me Kosovën. Ai mund të flasë për Kosovën 24 orë me deklarata bombastike që intrigojnë shqiptarët dhe i mashtrojnë ata për thelbin e qëndrimeve të tij. Por nëse do të fliste për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, do të duhej të pohonte krimet serbe kundër shqiptarëve, masakrat, dëbimet, dhunën, gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, pra gjithçka që ka ndodhur asokohe. Duhej që të thoshte se ajo ndërhyrje ishte e drejtë, sepse parandaloi katastrofën humanitare dhe ekzekutimin e asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë si komb nga ana e Serbisë.

A do ia pranonte këto deklarata Aleksandër Vuçiç?! Po të pohonte këto, atëherë akuza do të shkonte drejtpërdrejt te vëllai i tij binjak, presidenti i Serbisë. Ta akuzonte si vëllanë e tij, do të sillte zemërimin e Beogradit. Zemërimi i Vuçiç dhe njerëzve rreth tij mund të conte ne reagime të disbalancuara, të cilat me siguri do ishin gjithashtu shumë të hidhura për kryeministrin e Shqipërisë. A keni vënë re sesi Edi Rama i bën avokatinë më të madhe Serbisë dhe Beogradit?! “Duhet që ta kuptojmë Serbinë në marrëdhëniet e saj me Rusinë. Është një marrëdhënie historike”, u thoshte homologëve të tij në Aleancën Atlantike. Luftën në Kosovë, gjenocidin serb kundër shqiptarëve, idetë për krijimin e Serbisë së Madhe, ai i konsideroi në një rast tjetër si “Një rrëmujë ballkanike”! Besoj edhe kjo ju kujtohet! Nuk po flas për mbështetjen që Edi Rama u dha të gjitha projekteve serbe kundër Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Të gjitha janë zhvilluar sipas një koreografie të skicuar në Beograd e sipas planeve të Serbisë. Kësisoj ai “lufton” për “të lënë pas të kaluarën”! “Për të harruar luftën, krimet, masakrat, gjenocidin serb në Kosovë”!

Për të mos u marrë më me vrasjet masive, eksodin po ashtu masiv, djegien e shkatërrimin e banesave dhe pasurive të shqiptarëve në Kosovë. Kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk shkroi asnjë fjalë për 24 marsin, edhe pse shkruan për aspekte krejt të parëndësishëm që ka të bëjë me interesat e tij politike. Ndaj dhe kur flet për epërsinë serbe në dialog, ai bën sikur ne shqiptarët nuk i dimë shkaqet e këtij fenomeni. Serbia dhe sidomos Serbia e Aleksandër Vuçiç u vendos në pozita superiore ndaj shqiptarëve në dialogun Kosovë-Serbi, pikësëpari, sepse kryeministri i Shqipërisë e promovoi presidentin e Serbisë në kancelaritë e Perëndimit. Sa herë iu dha rasti në këto dhjetë vite, Edi Rama foli me homologët e tij në Europë e në SHBA me superlativa për Aleksandër Vuçiç.

Dhe bota e civilizuar, e lodhur me konfliktet ballkanike, në mënyrë naive mendoi për një mundësi të re për paqen në rajonin tonë. Harroi se paqen nuk e bëjnë dy liderë të korruptuar, por popujt dhe udhëheqësit e përgjegjshëm për të pranuar të shkuarën dhe ndërtuar të ardhmen. Kjo është arsyeja kryesore e rehabilitimit të Serbisë përballë Kosovës dhe kostos që sot Kosova paguan për këtë rehabilitim. Ndërkaq Edi Rama, në vend të marrë përgjegjësinë për këtë transformim të agresorit në viktimë dhe viktimës në rolin e fajtorit, na hiqet si i “pafajshëm”!

Na thotë se ai nuk paska asnjë rol në këtë histori të turpshme të qeverisë shqiptare në një dekadë të plotë. Në fakt kryeministri i Shqipërisë, i ndërgjegjshëm se do të mbajë përgjegjësi para historisë për gjithçka ka ndodhur e ka bërë në interes të Serbisë e dëm të Kosovës, po kërkon të kurojë imazhin e tij në këtë aspekt. Por ama nuk guxon të dënojë gjenocidin serb në Kosovë. Nuk guxoi të flasë për të zhdukurit e masakruar nga Serbia në Kosovë e dërguar në ujërat e Danubit dhe Savës. Flet për kompromis rreth të drejtave të serbëve e të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, por jo edhe për të zhdukurit nga regjimi i Milosheviçit dhe Vuçiçit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco