Sharësi në parlament

Sharësi në parlament

Nga Ag Apolloni - 25/03/2023

Sharja edhe mund të injorohet, por jo kur është manifestim i një urrejtje permanente. Sharësi Shala ka një urrejtje deri në psikopati ndaj njerëzve të Malit të Zi. Para se të vetëpropozohej për akademik, Departamenti i Letërsisë Shqipe në UP kishte menduar ta propozonte poetin, studiuesin dhe profesorin Basri Çapriqi (për mua, një prej poetëve më të mirë shqiptarë). Mirëpo erdhi Sharësi si ministër, që pak muaj më parë ishte edhe zëvendëskryeministër, dhe u vetëpropozua, duke treguar që është marrë vesh edhe me ata në Akademi. Unë dhe rreth 50 profesorë të tjerë e patëm kundërshtuar këtë politikë të zgjedhjes, por atëherë në krye të shtetit ishte shefi i Sharësit, “kryeministri më i mirë në historinë e Kosovës”, siç e pati quajtur ky akademiku i ardhshëm, i cili ishte treguar i palodhshëm në betejën kundër “armikut” të shefit dhe të ikonës së tij, pra kundër “cërrnagorit” (crnagor - malazez) tjetër, akademikut Qosja. Pra, pasi e hoqi konkurrentin “crnagor”, siç u thotë Qarku këtyre të ardhurve nga Mali i Zi, pasi e kishte marrë lëndën e profesorit dhe akademikut “crnagor”, madje atë e quajnë edhe “serb”, radhën e kishte kryeministri ynë “crnagor”.

[Është po ky njeri ordiner, që është bërë profesor ordinar dhe akademik, pa ndonjë punim ndërkombëtar, që në mbledhjen e fundit në fakultet më kundërshtonte mua, duke ma bërë të ditur se duhej patjetër të botoja në Scopus e Web of Science. Unë përpiqesha t’ua shpjegoja këtij dhe qarkut të tij (që janë avancuar me artikuj për ‘letërsinë e mahallës’, siç i pati quajtur një studiues i madh e i urryer prej këtyre), se, siç e kam thënë në një letër të gjatë me titullin “Kambana e universitetit”, eprorët tanë (rektori, ministrja) që urdhërojnë botimin vetëm në dy platforma e kanë gabim dhe, prandaj, duhet të heqin dorë nga presioni ndaj profesorëve. Thashë se ata edhe mund të më largojnë, nëse kritikat e mia i keqkuptojnë, por unë s’do t’u nënshtrohem kurrë kërkesave absurde të tyre. Unë nuk jam si Sharësi që ka ardhë në fakultet nëpërmjet politikës dhe është bërë akademik falë pushtetit të tij politik. Për asnjë sukses timin (nëse kam pasur ndonjë) nuk më ka ndihmuar asnjë parti, asnjë politikan. Më ka ndihmuar vetëm Albert Camus duke ma dhënë model jetën dhe veprën e tij. Mund të rri pa fakultet, siç po rri pa akademi, edhe pse sa punon krejt Qarku i Prishtinës për një vit, unë punoj për një javë].

Sharësi vetëquhet rugovist, por presidenti i ndjerë do të skuqej po ta dëgjonte këtë në parlament. Rugovën edhe po ta shaje, nuk të shante. Këta “rugovistët” janë e kundërta e Rugovës, prandaj edhe e spastruan partinë e tyre nga rugovistët e vërtetë.
I thashë disa gjëra, sepse desha të them një gjë: shqiptarët e Malit të Zi janë kontribuesit më të mëdhenj në kulturën, shkencën dhe politikën e Kosovës, dhe kushdo që i sulmon ata, siç bëri ky Sharësi, ose nuk di për kontributin e tyre, ose e di, por vuan nga kompleksi i inferioritetit.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco