Dialog ku ndryshojnë veç kravatat e liderëve, e jo qëndrimet!

Dialog ku ndryshojnë veç kravatat e liderëve, e jo qëndrimet!

Nga Xhevdet Pozhari - 20/03/2023

Që nga data 27 shkurt kur në Bruksel u prezantua plani i njohur si “Franko-gjerman” që supozohet se do të relaksojë raportet midis Kosovës dhe Serbisë, e deri më sot kur ndodh takimi në Ohër me ndërmjetësimin e BE-së dhe presionin e SHBA, në opinionin publik ka dominuar tema e dialogut.

Opozitë dhe pozitë, përfaqësues ndërkombëtarë, analistë vendor dhe ndërkombëtarë kanë vazhduar frazat e stërpërsëritura duke theksuar rëndësinë e dialogut. Dikush me tone optimiste, dikush me pesimizëm, secili ka shprehur qëndrimet për një temë që zgjat tash e 24 vite, që nga koha e Konferencës së Rambujes. Pra, për më shumë se çerek shekulli, vazhdon saga në pjesën më të izoluar të Evropës, Ballkanin Perëndimor.

Deri më tani thuajse janë përfolur të gjitha skenarët, por askush nuk e din saktësisht epilogun. Madje, as vetë palët që janë të përfshira direkt në dialog. Krejt çka kemi parë deri më tani, kanë qenë taktizimet dhe përpjekja për t’u dukur sa më këmbëngulës në interesat e shteteve të cilat Kurti dhe Vuçiç i përfaqësojnë.

Por, agresiviteti medial për t’ja dhënë çdo sekondë të mundshme kësaj teme, veçanërisht në këtë periudhë, nuk është se ka zgjuar gjithaq interesimin e qytetarëve. Të zhytur në krizën që ka sjellë pandemia dhe më pas edhe inflacioni, së paku ata që jetojnë në Kosovë, janë bërë imun ndaj presioneve. Apo edhe më keq, janë bërë të pandjeshëm ndaj fatit kolektiv sidomos kur kjo nxitet nga artopalantë të ndryshëm që përpiqen ta bindin një popull se fati i popujve të vegjël me asgjë nuk varet nga vullneti i tyre.

Për më tepër, kur vetë historia ka dëshmuar se fati i shteteve të brishta kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha. Kjo dhe arsye të tjera, me gjasë, kanë ndikuar që shqiptarët të jenë të përmbajtur dhe jo shumë entuziast kur në pyetje janë temat të cilat tejkalojnë mundësitë e tyre. Një pjesë tjetër këtë abstenim nga tema e dialogut mund ta interpretojë edhe si një mundësi e fundit që është në duart e kryeministrit Kurti, i cili do të provojë të bëjë maksimumin dhe nëse edhe ai nuk ia del, pak gjasa ka që të tjerët të cilët janë marrë më shumë se një dekadë me dialogun të sjellin një epilog më të mirë.

E, derisa takimi në Ohër do të zgjasë deri në orët e mbrëmjes, protagonistët kryesorë dhe emisarët perëndimorë që janë duke ndërmjetësuar, deri më tani kanë ndryshuar vetëm kravatat, e jo qëndrimet tashmë të njohura publikisht: Vuçiçi nuk e njeh Kosovën, ndërsa Kurti as që e ka ndërmend të themeloj Asocicacionin.

Gjithçka është shndërruar në luftë të ftohtë nervash kur palët përpiqen të mbesin deri në fund në takimin e thirrur që më pas barra e përgjegjësisë mos të mbetet bashkë me pasojat potenciale që janë të vetmet që trembin liderët e të dy shteteve. Asnjëri nuk dëshiron të provokojë hidhërimin e bashkësisë ndërkombëtare, por gjithashtu asnjëri nuk dëshiron të lëshojë pe dhe të nënshtrohet para presionit. Kurti kërkon nënshkrimin si garancë, ndërsa Vuçiçi të kundërtën – zvarritjen pafund. Në këto rrethana, emisarëve do t’u duhet më shumë përpjekje deri në momentin kur të vendosin ndryshe – palët t’i sjellin para aktit të kryer!

Ndoshta ky është edhe skenari që ju shkon për shtat më së shumti – ta kenë të gatshëm fajtorin kujdestar dhe gjithmonë gishtin ta drejtojmë tek tjetri në përpjekje për të kamufluar pafuqinë tonë që të vendosim vet për fatin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco