Asociacioni i Votuesve të Veriut të Kosovës

Asociacioni i Votuesve të Veriut të Kosovës

Nga Sadri Ramabaja - 17/03/2023

Në fillim të marsit të vitit 2023, Bashkimi Evropian konfirmoi se i ka ofruar Kosovës 15 modele ekzistuese evropiane për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky hap pason marrëveshjen e akorduar të 27 shkurtit, të cilin presidenti serb refuzoi ta nënshkruante.

Në emër të shkëputjes së Serbisë nga ndikimi rus, BE-ja tok me SHBA-në po bëjnë koncesionin e radhës në dobi të Serbisë. Rrjedhimisht diplomacia është riaktivizuar dhe presionet janë shtuar.

BE-ja në emër të të ashtuquajturës realpolitikë, ka shmangur njohjen e Kosovës nga katër shtetet anëtare të NATO-s [Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Spanja], që de fakto pritej të ndodhte edhe si rezultat i strategjisë së re që po ia imponon Perendimit lufta në Ukrainë. Me këtë akt, drejtpërdrejt i ka kontribuar agjendës serbe [rrjedhimisht edhe ruse] për trajtimin tutje të Kosovës si “konflikt i ngrirë”!

Prandaj ne na imponohet rishikim i strategjisë dalëse.

Për rrjedhojë ne do të duhej të merrnim në konsideratë ndonjërin nga modelet e ofruara nga vetë BE-ja që kanë të bëjnë me trajtimin e minoriteteve brenda hapësirës së BE-së. Në këtë kuadër, ndër modelet më pak të dëmshëm për funksionimin e Republikës, është pikërisht ai që rregullon pozicionin e danezëve në Gjermani, që njihet me emrin: Asociacioni i Votuesve të Shleswigut të Jugut në Gjermani.

Minoritetit danez në Gjermani [Schleswig-u Jugor], është dëshmuar se i është mundësuar të gëzojnë mbrojtjen e interesave kulturore si pakicë kombëtare, sipas Konventës Kuadër Evropiane për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e cila u ratifikua nga Gjermania në 1997.

Një studim i kryer në Universitetin e Hamburgut në vitin 2015 bën të njohur faktin se në Gjermani jetojnë diku rreth 104.000 qytetarë të përkatësisë minoritare daneze, prej tyre diku rreth 42.000 në Shllesvigun e Jugut. Numri i popullsisë së minoritetit serb në Kosovë është pothuajse i përafërt me këtë danez. Madje edhe shpërndarja e tyre është pothuajse e përafërt.

Siç dihet nga dokumentet e ratifikuara Asociacionit të Votuesve të Shleswigut të Jugut, i cili është përfaqësues politik në parlamentin e shtetit Schleswig-Holstein, i është hequr pragu prej pesë përqind që vlen për votuesit tjerë gjermanë. Në rastin e minoritetit danez, marrëveshja parasheh edhe subvencionimin e aktiviteteve të danezëve nga që të dy palët (gjermane e daneze) për çështje gjuhësore dhe kulturore. Minoriteti danez në Schleswig-Holstein ka ndër të tjera shkolla dhe kopshte daneze, biblioteka, institucione kulturore dhe kisha. Ndërkaq kontaktet me Qeverinë Federale ekzistojnë nëpërmjet Komisionerit për Aussiedler dhe Pakicat Kombëtare.

Asociacioni i Votuesve të Shleswigut të Jugut në Gjermani mund të merret jo vetëm si model, por atij mund t’i “kopjohet” pjesërisht edhe emri – Asociacioni i Votuesve të Veriut të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco