Pulla ON/OF e pro/anti-amerikanizmit!

Pulla ON/OF e pro/anti-amerikanizmit!

Nga Dren Dushi - 08/03/2023

Një nga gabimet më të mëdha të establishmentit politik të Kosovës, ishte futja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë në diskursin e përditshmërisë politike, të karakterizuar nga një varfëri e argumenteve, logjikës dhe dikutimeve publike. 

Humbja e një pushteti që llogaritej i bunkerizuar, nga një marrëveshtje LDK/PDK që luanin role edhe të pozitës edhe opozitës, pra që kishin konsideruar se politika kosovare qe monopol i tyre, sikurse qenë përgjithësisht kompanitë e sigurimeve, financiare, industritë kryesore, tregjet, punësimi publik, përgjithësisht mediat, OJQ-të e deri te Akademia dhe Universitetet, u kuptua në fillim si një shok, e më vonë si një realitet i hidhur për ta. Shokimi është i madh edhe sot, dhe ky shokim ka sjellur tashmë edhe një prodhim politike të ndikuar shumë nga një panikë e një humbje kaq të madhe pushteti.

Qe pikërisht kjo panikë, që i bëri disa burra të merrnin vendim për minimin e Qeverisë Kurti 1, dhe për ta arsyetuar një komplot qesharak ku morri pjesë edhe tashmë i shpërbëlyeri i Beogradit, Ambasadori Richard Grenell, e tëra me idenë e pro-amerikanizmit. A ishte me të vërtetë pro-amerikanizëm rrëzimi i Qeverisë Kurti 1, një Qeveri pa PDK-në pas një kohe tepër të gjatë, në kohë pandemie, apo ishte thjesht një taktizim për të ruajtur benifitet e arritura nga kapja e shtetit dhe de-funksionalizimi i gjyqësorit deri në shkallën që, ndonëse me
një korrupsion endemik, askush përveq të dobëtve nuk denohet? Dhe përgjigjia gjendet te verdikti i zgjedhjeve të fundit nacionale, anipse financimi për të mos ndodhur ky rezultat, kishte tejkaluar të gjitha parashikimet. 

Disa javë para se të nënshkruhej Marrëveshtja e mbështetur fuqishëm nga SHBA-të, Gjermania-Franca (BE), në Serbi kishim një aktivitet opozitarë që, përkthyer në një terminologji të thjeshtë, kërkonte rritjen e kërkesave nga Qeveria serbe, në dialog me Kosovën. Por, për “çudi”, elita politike e tranzicionit kosovar, kryesisht LDK/PDK, meqë tashmë AAK po distancohet nga ta (me të drejtë), kërkonin uljen e kërkesave në dialog.

Takimet e shpeshta të opozitës me ndërkombëtarët që mbështesnin fuqishëm planin franko- gjerman, siç u kuptua dhe nga deklaratat publike të të dyja palëve, shprehnin qartë se opozita PDK/LDK ishin duke u shqetësuar se Qeveria Kurti 2, po prishte marrëdhëniet me SHBA-të nga rigiditeti që tregohej në negociata, sepse diplomacia e kohës së tyre, nuk ishte diplomaci negociuese, por thjesht aprovuese, dhe ndryshimi dukej i pa qartë.

Kishte shpresa të mëdha, siç u kuptua nga pëfaqësuesit e tyre (LDK/PDK) në mediat kryesore kosovare, se Qeveria Kurti 2 do të prishte raportet me SHBA-të duke refuzuar edhe planin franko-gjerman, dhe si pasojë të shkohej në zgjedhje të reja ku establishmenti i vjetër e merr situatën nën kontroll, nënshkruan me diplomacinë e tyre jo negociuese por vetëm aprovuese, duke e mirëmbajtur kështu sistemin e ndërtuar për shumë vite, dhe njëherish duke shpallur se “Kosova ju kthye pro-amerikanizmit”. 

Këtu lind edhe një nivel i pa-pjekurisë politike, një papjekuri që tenton të përdorë politikën e jashtme, diplomatët dhe interesat gjeopolitike të huaja, për të përfituar edhe një herë pushtetin e ndërtuar për shumë kohë. Të shfaqesh super-konstruktivë me diplomatë të jashtëm, dhe totalisht i kundërt në raport me politikën e brendshme, nuk mund të klasifikohet ndryshe pëveç si një interpretim adoleshent i “Princit” të Makiavelit.

Pro-anti/amerikanizmi nuk është i mundshëm kështu, kjo është një banalizim dhe papjekuri politike. Ta bësh pjesë diskutimi çështjen e aleancës shqiptaro-amerikane, për llogari të pushtetit të vilave në Brezovicë, e titujve akademikë përmes partisë, është tregues i madh i një humbje truaje, i një gjendje panikuese të të bërit politikë.

Nuk është i mundshëm sundimi i Kosovës, në formë jo demokratike, me korrupsion e shtet-kapje, duke u thirrur në pro-amerikanizëm, përkundrazi. Dhe këtë nuk e ka kuptuar e vjetra politike e Kosovës, andaj po del qesharake, duke e shtypur butonin pro/kundër të
amerikanizmit, sipas rrethanave të keq-interpretuara nga ta në panikë. 

Aq keq është gjendja e konsistencën politike të së vjetrës politike të Kosovës, saqë edhe kur po kritikojnë me argumente, gjë që ndodhë hera-herës, nuk po merret më fare në konsideratë nga opinioni publik. Dhe aq keq është gjendja e tyre e përfaqësimit në media (përmes “analistëve” politikë), saqë duhet të konsiderojnë tërheqjen e disa partiakëve (nga kryesitë) në nivel të “analistëve”, sepse aktualisht përfaqësohen nga shumë figura mediokre që janë shndërruar në persona të tallur, dhe pa një audiencë solide. 

Pulla on/of e pro/anti-amerikanizmit tashmë është e shkyçur, kot shtypet, duhen shpikur pulla të reja.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco