Ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe a mbeti kush që don normalitet në Kosovë?

Ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe a mbeti kush që don normalitet në Kosovë?

Nga Ilir Deda - 22/08/2019
  • Sot, 22 gusht 

Derisa me knaqësinë më të madhe pres që të votoj për shpërndarjen e Kuvendit sot, e kam bindjën e përforcuar që te ne nuk ka parlamentarizëm, kontrollë të pushteteve, apo përgjegjësi qeverisëse. Pse çka po mendoj unë, si mund të ketë çfarëdo përgjegjësie apo çkado tjetër normale politike në një shtet të kapur e shoqëri të gjysmë-dorëzuar?

A mashtrohet kush më t’i besojë PDK-së dhe “zotimit” për luftë të korrupsionit e krimit të organizuar, kapësve të shtetit, milionerave të ri, që për një dekadë u pasuruan duke shkatërruar gjithçka që patën mundësi? Po, rrafsh 20% e bashkëqytetarëve tanë.

A kanë përgjegjësi ata që u gjindën rreth PDK-së në kombinimet e bashkëqeverisjeve të ndryshme gjithë këto vite, dhe që nuk bënë ama bash asgjë për ndalje e kapjes së shtetit? Jo, sipas më shumë se 80% të bashkëqytetarëve tanë.

Vjeshtë, 2007 
Zgjedhjet e 2007-ës e sollën një ndryshim në Kosovë. Por, çfarëdo ndryshimi nuk do të thotë që gjithmonë është ndryshim i mirë. Çka në atë kohë cilësohej si ndryshim ishte humbja e partive të “qeverisë më të keqe e më të korruptuar” deri atëhere siç cilësohej gjithandej Qeveria AAK-LDK (2004-2007). Në zgjedhjet e 2007-ës fitoi PDK-ja, humbën LDK dhe AAK, dhe u largua nga skena politike me fabrikim zgjedhor partia ORA.

Në Kosovë zotëronte gëzimi i ndryshimit dhe shpresa. Thaçi kishte premtuar “qeveri me duar të pastra”, “luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, dhe “zhvillim të ekonomisë dhe infrastrukturës” në Kosovë.

“Mirë ka me u ba” me tregonin që ishte thënia e njerëzve gjithandej. Edhe ashtu shpejtë do të shpallej pavarësia dhe “gjithçka do të bëhet mirë”.

Pranverë, 2010 
PTK më 2008 kishte mundur të privatizohej për 1.1 miliardë euro. Nuk u privatizua sepse eksponentët e “qeverisjes së mirë” të PDK-së kishin kërkuar përqindje. Tetë investitorë serioz nga Gjermania, Austria e Zvicra u larguan nga Kosova për arsye të kërkesave për “hise” (potencialisht 40.000 vende pune). Privatizimi i ndërmarrjeve publike bëhej ashtu që këto ndërmarrje binin në “pronësi” të eksponentëve të “qeverisjes së mirë”.

U shkatërruan shumica e kompanive pak a shumë të pavarura të ndërtimit, rrethi i ngushtë i udhëheqësve të PDK-së u bënë me gurëthyes e kompani ndërtimi, filloi punësimi masiv partiak nëpër institucione publike, bordet, tenderomania, telekomi, policia, gjyqësia, të gjitha filluan të mbushen me njerëz të PDK-së (sot i themi kapja e shtetit). Gjithçka nuk po bëhej mirë.

“Qeveria e Kosovës është ndërmarrje e përbashkët kriminale” deklarova për “The Economist”, në artikullin ku shkruhej për korrupsion në Kosovë. Kjo edhe e çeli përfundimisht betejën e gjatë (dhe të egër) politike me PDK-në. Kur një grup i organizuar (partia) vie në pushtet, dhe e vjedhë qytetarin duke i keqpërdorur asetet publike apo buxhetin publik në mënyrë të organizuar, si mund të quhet ndryshe se një ndërmarrje e përbashkët kriminale?

Dimër, 2010
Në betejën vendimtare për ndalim e kapjes së shtetit pësuam humbje të gjithë në zgjedhjet e dhjetorit të 2010. “Vjedhja industriale e votave” në fakt ishte vjedhje e 42% të votave, vjedhje mbas të cilave PDK “fitoi” dhe i dha një goditje të fortë përpjekjeve për një Kosovë normale.

Partitë politike patën një javë mundësi që të bënin “diçka”. Ajo “diçka” ishte protesta të përbashkëta për mbrojtje të vlerës bazike demokratike. “Nëse nuk bëni diçka tash, e keni të humbur dekadën” iu tha partive politike demokratike në atë dhjetor nga shumë miq të Kosovës.

Shumica e partive vendosën mos ta shfrytëzonin mundësinë që e patëm, dhe arsyet e pasivitetit nuk patën të bëjnë asgjë me politikë, shtet apo vlerat bazë të një demokracie. “Mirë ka me u ba, të mirat vijnë kadal kadale” thuhej me bindje nëpër Kosovë.

Verë, 2019 
Më shumë se një dekadë para syve tanë ndodhi kapja e plotë e shtetit, dëmtimi i shtetësisë dhe u hap gremina socio-ekonomike. PDK nuk u largua nga qeverisja. Asgjë nuk u bë mirë.

Ne fakt, e mira as që erdh kadal kadale, po gjithçka u bë më keq. “Du me dal jashtë” thotë çdo i dyti i ri në Kosovë, duke e parë migrimin masiv të bashkëmoshatarëve.

Lehtësia e amnistimit nga përgjegjësia për gjendjen e sotme që mbizotëron te shumica e popullit tonë, të bën të pyetesh - a ka mbetë kush që don normalitet në këtë vend? A e kuptojmë njejtë ne normalitetin?

“Kur ka me u ba mirë?” është pyetja që më së paku bëhet sot. Çdo vit kam parë rënie të vullnetit dhe shpresës për ndryshim të njerëzit. E megjithate, a duhet të kalojnë edhe 20 vjet që dikush të kthjellët në këtë vend, apo po dorëzohemi të gjithë - apo ndoshta kthjelljën nuk e shohim njejtë unë dhe shumica e njerëzve në Kosovë. E ndoshta më me rëndësi është pyetja se ku është gabimi apo gabimet e mija në këtë përpjekje e angazhim për ndryshim?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco