Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Prishtinës

Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Prishtinës

Nga Musa Limani - 08/02/2023

Siç dihet, ngritja e busteve apo shtatoreve, u bëhen individëve për të treguar veprimtarinë e tyre historike, si dhe kontributin e dhënë për kauzën tonë kombëtare. Mirëpo, për fat të keq, kështu nuk ndodhi edhe me bustin e Prof. Faik Rexhepi nga Presheva, i cili u vendos krejtësisht në tokë pa kurrfarë baze, në një kënd të sheshit Zahir Pajaziti afër disa kafiterive, si ndonjë gur në rrugë, as që vërehet si i tillë. Çka është edhe me e keqja, as që dihet se i kujt është ky bust, sepse i mungon emri dhe mbiemri dhe prejardhja gjeografike e tij, si dhe për çfarë ngjarje bëhet fjalë. Kështu, si është vendosur busti i Prof. Faikut, paraqet një përbuzje personale të tij, si dhe të ngjarjeve që kanë të bëjnë me  rezistencën e tij, përkatësisht me demostratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 1990 (unë e di se ky ishte viti 1990, por kjo nuk është vështirë të konstatohet). 

Ulje këmbëkryq e Prof. Faik Rexhepi, ishte rezistenca e tij personale kundër hordhive barbare të policisë së ish Jugosllavisë (lexo: të Serbisë), me rastin e ndjekjes së demostrantëve, me ç’rast u tregoi bandave dhe çetnikëve serbo-sllavo-ortodoks, se kjo është tokë shqiptare den baba den dhe nuk lëvizim nga trojet tona etnike, po të mbetet vetëm edhe një shqiptar në Kosovë. 

Andaj, kam lirinë që t’u sugjerojë organeve kompetente të komunës së Prishtinë, që të përmirësojnë këtë gabim fatal, jo të mirë e të pahijshëm, e as pak korrekt ndaj këtij patrioti, si dhe ndaj demonstratave të studentëve të këtij viti, që ia lëkundën themelet ish Jugosllavisë artificiale dhe ua ndalën hovin hegjemonizmit të Serbisë dhe mbajtjes në koloni të tyre edhe më tej Kosovën.  

Andaj, duke patur parasysh rezistencën e Prof. Faik Rexhepi nga Presheva dhe qëllimet e demonstratave të studentëve të këtij viti, busti i këtij patrioti, do të duhej të vihej në një plakë (për të cilën vendosin profesionalistët e fushës) në një lartësi prej një metre lartësi e dy gjatësi, në të cilën do të shënohej: emri dhe mbiemri i personazhit dhe përmbajtja e rezistencës së tij dhe kërkesat dhe motivet e këtyre demonstratave studentore. 

Si e tillë ky bust do të duhej të vihet aty diku afër fontanës në sheshin Zahir Pajaziti, e jo në një skutë si është tani. Kështu, si është e vendosur tani dhe në vendin ku është vendosur, paraqet jo profesionalizëm dhe zhvlerësim për kontributin e dhënë të Prof. Faik Rexhepi, si dhe nuk tregon përmbajtjen dhe kohën e rezistencës së popullit shqiptar ndaj politikës hegjemoniste uzurpuese e kolonialiste dhe agresionin barbar të policisë së Serbisë ndaj studentëve shqipëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco