‘Dashuria po t’i verbojka sytë’

‘Dashuria po t’i verbojka sytë’

Nga Luljeta Aliu - 07/02/2023

Mbase shumë njerëz do të më paragjykojnë që po i bëj publike çështjet e mia private. Mirëpo njeriu ndonjëherë, në betejat që gjindet, duke u përballur me kaq shumë padrejtësi dhe duke luftuar thuajse me një sistem të tërë, sikur paska nevojë ta nxjerrë jashtë dhimbjen dhe ngarkesën, sikur po besoka se ndoshta një forcë madhore në univers do ta dëgjojë ankesën dhe nevojën për mbështetje. Njeriu në hallin e tij shpeshherë fillon të shpresojë në një forcë mbinatyrore qëllimmirë e të drejtë, një forcë që do ta kthente drejtësinë në vend. Dhe mbi të gjitha, kur i nxjerrë jashtë vetes shqetësimet, shpirti dhe mendja qetësohen sadopak. Edhe pse e din se nuk do të ketë ndoshta asnjë tjetër rezultat, thjeshtë nevoja për ta larguar ngarkesën shpirtërore të shtyn të shkruash.

Nesër prapë jam në gjykatë, prapë për çështjen e njejtë me të cilën jam torturuar nga sistemi jonë i drejtësisë që prej vitit 2017. Prapë do të mbajmë seancë për masë sigurie për tokën dhe shtëpinë, të cilat i kemi krijuar gjatë martesës. Pa dijeninë time, ish-burri im, tokën e ka regjistuar në emër të babait të tij, gjë që e kam kuptuar tek pas disa vitesh pasi është blerë toka. Masa e sigurisë është një masë që duhet të vendoset nga gjykata mbi pronën, në mënyrë që ajo të mos tjetërsohet, të mos shitet, deri sa gjykata të vendosë në çështjen e ndarjes së pasurisë. Prej vitit 2017 prona është në kontest gjyqësor. Megjithatë, ish-burri dhe familja e tij kanë arritur që në Drejtorinë e Urbanizmit ta legalizojnë tani edhe shtëpinë në emër të ish-vjehrrit. E gjithë kjo, përkundër që kërkesa për masë të sigurisë ende është duke u shqyrtuar në gjykatë. Anomalia në këtë rast, sipas mendimit tim, ekziston në mungesën e një rregullimi adekuat administrativ në kadastër dhe në urbanizëm, sepse në momentin kur Gjykata e Apelit e kthen lëndën në rigjykim, masa e sigurisë për pronën po u largoke. Kjo është totalisht e pakuptimtë, dhe mbi të gjitha, shumë problematike për qytetarët në njërën anë, dhe ngarkesë administrative për kadastrin e urbanizmin në anën tjetër. Nuk do të duhej të largohej një masë e sigurisë nga prona, vetëm pse çështja është kthyer në rigjykim, por do të duhej të largohej tek kur vendos gjykata se nuk ekziston e drejta fare në atë kërkesë të qytetarit.

Tjetra anomali administrative në këtë çështje ishte se matjet e gjeodetit që kanë shkuar në urbanizëm nuk dihet si janë bërë, kur ato duhet të bëhen në shtëpi, e vetëm unë jetoj aty me vajzat. Si ka pasë mundësi një gjeodet të bëjë matje të shtëpisë time pa praninë time? Dhe si ka mundur urbanizmi të lëshojë një çertifikatë të legalizimit përderisa ajo pronë është në kontest gjyqësor? Dokumentet që i ka dërguar ish-vjehrri im janë të shënuara me adresën e shtëpisë, por ai nuk ka jetuar kurrë këtu. Dhe jo vetëm shtëpia ime, por shtëpitë e të katër djemve të tij, të gjitha të ndërtuara nga djemtë sa ata kanë qenë të martuar, të gjitha po legalizohen në emër të ish-vjehrrit. Dhe e dini pse? Sepse kështu mashtrojnë njerëzit e ligj me prona, duke pretenduar se i kanë të trashëguara nga prindërit, në mënyrë që grave të tyre të mos iu takojë pjesa e pronës që iu takon sipas ligjit.

Kështu që të dashura vajza e gra, hapini sytë e bëjini katër, mos u mashtroni si unë me besu në dashuri e në drejtësi, por prej fillimit kërkoni dokumentet, faturat e kontratat në lidhje me pronën dhe ruajini si sytë e ballit. Dashuria po t’i verbojke sytë, kanë thënë gjithmonë. Jo të gjithë njerëzit janë të drejtë e të sinqertë, edhe pse jeni të martuar me ta.

Zoti na ndihmoftë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco