"Epika" e pseudoheronjve të Big Brother-it

Nga Ismail Lauka - 04/02/2023

Kemi degjuar këngë të bukura epike për heronjtë legjendarë  si, Gjergj Elez Alia, apo Muji e Halili. Kemi dëgjuar këngë të tilla edhe për figura të vërteta historike si, Skenderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari e shumë e shumë të tjera. Në të dy rastet është estetizuar qëndresa heroike dhe sakrifica sublime, në emër të lirisë së atdheut.

Por ja që këto ditë po lind një "epikë" e re, kushtuar "superheronjve" të Big Brother-it. Koha e pseudoheronjve lind edhe pseudorapsodë e pseudokompozitorë, të cilët, per të fituar disa "like" më shumë, janë gati që "talentin' e tyre ta vënë në dispozicion të flamës më  të madhe që ka kapluar Shqipërinë.

 Natyrisht, 'kryeheroi" i këtyre krijimeve nuk ka si të mos jetë Luiz Ejlli.

"Dhe shqiptarët kudo janë / Luiz Ejllin n'zemër kanë!'

Po përse e kanë atë në zemër shqiptarët? Sepse, vazhdon epika tjetër, "n'daç talent, n'daç kangtar/ në Big Brother asht i parë!'

A thua çfarë heroizmi ka bërë Luizi ne këtë front të ri të shqiptarëve? Këtë e sqaron një tjetër "epikë": "Ditë e natë zgjuar qëndron/ sepse Kiarën dashuron!'

Dhe si në çdo epikë tjetër, edhe këtu, fitimtar del 'superheroi", por ndryshe nga epikat tradicionale, ku derdhet gjak në emër të kombit e të atdheut, në këto të rejat, në kuadrin e taktikave dhe strategjive të tij për të fituar, "kryeheroi" nuk kursehet as nga hilet ndaj kundështarëve. Por rapsodi popullor nuk ka pikë dyshimi se, në fund të fundit, është ai që do të triumfojë dhe do marrë 100 mijë eurot për të cilat zhvillohet beteja për jetë a vdekje: "Turbullon edhe kthjellon/ Ti Big Brother-in e fiton!"

 Dhe mos harroni se këto vargje epike janë shkruar para se Luizi të puthte Kiarën. Tani që u bë edhe ky heroizëm i rrallë, shikoni si do shpërthejë lirika e Big Brother-it. Ndaj mos iu ndani "shtepisë më të famshme" në Shqipëri, as " kanalit kombëtar më të ndjekur" në trojet shqiptare- Top Channel.

S'keni parë gjë akoma! Lum kush te rrojë!


 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco