Kokën lart, Sali Berisha!

Kokën lart, Sali Berisha!

Nga Blerim Gashani - 06/12/2022

Ata mund të të urrejnë, mund të të fyejnë, mund të të sulmojnë.

Por historinë nuk mund ta ndërrojnë. Sepse historinë e përbëjnë faktet. E, faktet janë kokëforta, tepër kokëforta.
Ja, disa - vetëm disa - nga këto fakte:

"....Edhe pse klikat enveriste dhe mendësia komuniste në shumë grupe shqiptarësh janë ende prezente dhe të gjalla, diktatura më e poshtër ka kohë që është rrëzuar. Dhe, kur të bëhet pyetja e pashmangshme “kush e rrëzoi regjimin stalinist në Shqipëri, kush ishte prijës i demokratëve të rinj, kush e mbajti peshën e të qenit në krye të atyre që po i mposhtnin hekurat e diktaturës”, ata që e duan dhe ata që e urrejnë, ata që as e duan e as e urrejnë Sali Berishën, do të duhet të përgjigjen se ishte ky që i dha dërrmën klikës që kishte ngulfatur jetën e shqiptarit për gjysmë shekulli.

S’ka përgjigje tjetër! S’ka! Gjithçka është relative në këtë botë. Por, lideri i demokratëve që i ka pensionuar komunistët e Shqipërisë, është absolutisht Sali Berisha. Dhe, fati i tij historik (të cilin e kishte kërkuar me aq ngulm) ishte ky! S’do të ketë më vend në histori për një tjetër lider që e rrëzon komunizmin në Shqipëri. Ka marrë fund! Bëni një vend në histori, ju lutem!
Ajo që nuk do t’i ofrohet asnjë lideri të ardhshëm të shqiptarëve dhe i është ofruar Berishës, është hapja e vendit më të izoluar në botë. Pas një mbylljeje dhe vetëkënaqjeje hermetike dhe paranojake, që zgjati gjysmë shekulli, Sali Berisha u dha frymë shqiptarëve. U çeli dritaren për të shikuar se ka një botë tjetër nga ajo imagjinare me të cilën ishin ushqyer mendjet e tyre të lodhura. Të huajve u çeli derën që të vijnë e të binden se Shqipëria nuk është një vend ekzotik.

Ai ishte kambana e një vendi të harruar, që po zgjonte veshët dhe zemrat e evropianëve, së pari, dhe pastaj tërë botës. Sali Berisha pati fatin e madh të rikthejë lidhjet jo vetëm diplomatike të shtetit të tij. Prandaj, ju lutem krijoni edhe pak vend në historinë e shqiptarëve!

Pas më shumë se një gjysmë shekulli, në të cilin në Shqipëri u lindën dhe u rritën gjenerata që nuk e dinin se ka një vend si Kosova, Berisha ua tregoi haptas dhe qartë se matanë bjeshkëve, ku vetë ai ishte lindur, jetonin vëllezërit e tyre shqiptarë. Emrin ia thonë Kosovë dhe është djep i shqiptarisë, u tha Salihu atyre shqiptarëve që çuditeshin se si këta njerëz fliskan shqip. Të mësuar se vëllezërit e tyre janë kinezët e rusët dhe se këta kosovarë ishin vetëm shokët e idealit, Sali Berishës iu dashtë shumë kohë për t’i bindur për shqiptarët matanë bjeshkëve.

Tanimë Shqipëria dhe Kosova janë një dhe nuk do të ketë nevojë që një lider t’i afrojë këta edhe një herë. Ishte Berisha ai që e bëri këtë. Ai i priu bashkimit shpirtëror dhe fizik të shqiptarëve. Dhe, natyrisht se duhet bërë vend edhe pak në historinë më të re për këtë burrë!

“Amerikanët ikën”, shkruante në radiogramin e shkurtër që larot ia kishin dërguar diktatorit menjëherë pas luftës së dytë botërore. Ata nuk do të ktheheshin deri pas rënies së diktaturës. Mungesa e çdo komunikimi dhe çdo relacioni tjetër (përveç fyerjeve dhe etiketimeve nga larg që diktatori mediokër ua bënte amerikanëve), me pasardhësit e Woodrow Wilsonit, kishte shkaktuar një zgavër të thellë në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën. Pastaj, në skenë u paraqit Sali Berisha dhe marrëdhëniet u rivendosën, jo vetëm me amerikanët.
Por, historia Saliut i kishte rezervuar edhe një befasi. Asnjë kryetar i SHBA-ve në histori nuk kishte vizituar Shqipërinë. Sali Berisha kishte thyer akullin. I pari lider i shqiptarëve në histori, kishte pritur kryetarin e superfuqisë botërore. Bush, përveç nderit që po i bënte Shqipërisë, kishte sjellë edhe lajmin për pavarësinë e Kosovës, të cilin (ai) e shpalli më 10 qershor (!?) 2007. Liderët e tjerë të shqiptarëve nuk do ta kenë këtë fat! Ka vetëm një herë të parë, apo jo? Prandaj, bëni edhe një hapësirë në analet e historisë shqiptare.

Po mos kishte ndjenjën e dhembshurisë dhe tmerrin në sy, pak kush do ta mbante gazin kur shihte ushtrinë e Shqipërisë para 15 vjetësh. Ushtarë të lodhur, të pluhurosur e me patika të Kinës, përpiqeshin të mbanin disa armë kineze në supet e tyre të shkallmuara. As hierarki, as makineri, as arsenal e as logjistikë s’kishte kjo ushtri që të përgjigjej (bile formalisht), kur ushtria serbe (i thoshin jugosllave) filloi të hynte në fshatrat e tyre në vitin 1999. Vetëm një lider si Sali Berisha do të besonte se kjo forcë e mjerueshme (kuazi)ushtarake mund të bëhet anëtare e aleancës më të madhe ushtarake në botë. Dhe jo vetëm që e kishte këtë vizion, por Sali Berisha e përmbushi këtë.

Fati historik e kishte dërguar liderin e guximshëm në anëtarësimin zyrtar në Bukuresht. S’mund të ketë më një fat të tillë. Ka përfunduar! Berisha, me një anglishte shumë më të dobët se frëngjishtja e tij, e kishte nënshkruar anëtarësimin në NATO. S’do të ketë më rast të dytë! Liderët e tjerë të ardhshëm të shqiptarëve do të kenë rrugën e shtruar për çështjet e sigurisë dhe të strategjive ushtarake. A s’është kjo e mjaftueshme për të ndërtuar një piedestal të bukur të historisë për këtë lider?!

Gjatë Shqipërisë së errësirës, kishte një ligj që dënonte me vdekje largimin nga Shqipëria. Shumë shqiptarë s’kishin pasur nevojë t’u lexohej kjo në gjykatë. Ata kishin përjetuar sanksionimin e lirisë së lëvizjes në lëkurën e tyre të ngatërruar në telin me gjemba të kufirit shqiptar. Trupat e tyre të ngrirë dhe grirë nga pushka e ushtarit të diktaturës apo nganjëherë të qytetarit vigjilent, tregojnë më së miri çmimin e lirisë së lëvizjes. Dhe, kush do të thoshte se do të vinte një ditë që shqiptari i Shqipërisë do të udhëtonte pa frikë dhe pa pengesa në tërë botën. Ishte Sali Berisha që kishte fatin të nënshkruante lirinë e lëvizjes për shqiptarët. Ata që nuk mund të udhëtojnë lirisht, e dinë se kjo e arritur duhet të shënohet në histori. Dhe, e dinë se edhe kjo aureolë dhe dafinat e kësaj fitoreje i takojnë Sali Berishës.
.......
Prandaj, ju mund ta doni apo ta urreni, ta nderoni apo ta shani, ju mund ta pasoni apo totalisht ta refuzoni Sali Berishën. Mirëpo, duke futur në funksion mendjen e shëndoshë, duhet ta pranoni një të vërtetë: Sali Berisha ka lënë një trashëgimi në jetën e shqiptarit. Dhe ka lënë gjurmë në histori, pjesë e së cilës është bërë. Ju ngordhalaqë të lodhur xhelozie, bëni mirë ta pranoni këtë një ditë e më parë! Kjo ju bën nder juve, jo atij! Ai tashmë është nderuar në mënyrë bujare nga historia!..."

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco