Reagimet ndaj vrasjes së femrave

Reagimet ndaj vrasjes së femrave

Nga Daut Dauti - 01/12/2022

Reagimet, sidomos në mediat sociale, ndaj vrasjes së femrave në Kosovë janë të mëdha dhe ashtu duhet të jenë. Kjo bëhet për shkak se kjo gjë tashti është bërë e mundshme. Poashtu, edhe për shkak se është shtuar numri i vrasjeve të këtij lloji dhe, si pasojë, edhe reagimet. Në një masë të vogël këto vrasje kanë ekzistuar edhe më herët, por nuk janë ditur aq shumë si sot.

Megjithatë, ekziston një histeri në këto reagime. Ekziston tendenca që të gjithë burrat e Kosovës të cilësohen se posedojnë prirje të vrasësit të grave, dhe si të tillë, edhe fajtorë. Kjo nuk është e vërtetë dhe burrat tjerë, pos vrasësit, nuk kanë pse ndjehen fajtorë. Natyra e krimit është individuale, prandaj edhe përgjegjësia. Madje, përqindja e vrasjeve të femrave në Kosovë, edhepse e lartë, është nën mesataren e vrasjeve të këtij lloji që ndodhin në rajon por edhe në botë.

Krimin më të rëndë në Kosovë të kësaj natyre e ka kryer një ushtar amerikan në vitin 2000 kur e dhunoi dhe e vrau një vajzë (fëmijë) 11 vjeçare. Ky ka qenë një krim makabër. Ushtari e rrëmbeu vajzën nga shtëpia e saj, e dhunoi e vrau e pastaj u mundua t’i zhdukte gjurmët sa që e vorrosi edhe viktimën ku mendoi se nuk do të gjindej.

Në aktakuzën e prokurorit ushtarak amerikan, ky ushtar si shtesë të akuzës, e pati edhe faktin se në Kosovë kishte shkuar në mision paqësor dhe për ta mbrojtur popullsinë e jo për ta dhunuar. Për shkak të natyrës së rëndë të krimit, gjykata pa hamendje ia shqiptoi dënimin me burg të përjetshëm.

Reagimet tona atëherë kanë qenë normale. Nuk u akuzua tërë ushtria amerikane e as populli amerikan si dhunues i femrave. Dhe kështu duhet. Një ushtar nuk është si tërë ushtria e as tërë populli.

Prandaj, të sillemi edhe ndaj rasteve tjera të vrasjeve në Kosovë sikur me rastin e këtij ushtari amerikan. Të kërkojmë dënime të njejta edhe për vrasësit tjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco