Fuqizimi i kombit shqiptar nuk mund të vijë me shfaqje

Fuqizimi i kombit shqiptar nuk mund të vijë me shfaqje

Nga Agim Nesho - 27/11/2022

Takimi i përfaqësuesve të dy kuvendeve të popullit tonë në 110 vjetorin e Pavarësisë së shtetit Shqiptar nuk kishte asgjë historike, përveç faktit të takimit të tyre.

Një komb i ndarë padrejtësisht nga historia me atdhetarë të lodhur, që duan ta shikojnë bashkë por nuk dinë se ku është pengesa. Të vetmit që ju afruan fakteve të mos suksesit të kësaj ideje të madhe, e cila në popull është realizuar, ishin Kurti dhe Konjufca.

Për Kurtin ky projekt nuk mund të jetë vepër personale dhe e ambicieve individuale, por për solemnitetin e takimit nuk arriti të prekë ‘plagën’ që kombi këto kohë po vuan; Ndërsa Konjufca tha hapur se ajo që na largon janë qëndrimet ndaj nacionalizmit serb, i cili jo vetëm mohon Kosovën por kërkon që kombi Shqiptar të mos ketë të ardhme.

Për atë që mendon se përfaqëson Shqiptarët, Edi Rama, ose ja kanë dhënë këtë rol për ta luajtur, ky takim duhet të mbetej vetëm një shfaqje. I bindur në vizionin e tij, të cilin e shikon me afër me A. Vuçiç sesa me patriotët ‘demode’ të Kosovës, ai inskenoi sot një shfaqje festive për ta shitur atë tek Shqiptarët e etur dhe atdhetarë që duan të gjërat të ecin përpara.

Sot, Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me ndarjen e tortës me shqiponjë, me koreografinë e flamujve apo deklarata për president të përbashkët. Ai lartësoi Rugovën dhe UCK, pavarësisht se Rugovën e mohoi në Parlamentin e Kosovës, ndërsa udhëheqësit e UCK-së i la ti kryqëzojë miku i tij Vucic, i cili përgatiti dosjet për ‘krimet’ e tyre.

Ai sot nuk shau njeri gomar në sy të një heroi si Haradinaj, as nuk foli për veprën e tij të çmuar si Ballkani i Hapur apo ndryshimi i kufijve, që në ‘mediokrit’ shqiptarë në të dy anët e kufijve nuk e kemi kuptuar asnjëherë.

Qëllimi i tij në këtë shfaqje ishte të shiste përpara përfaqësuesve të dy vendeve projektin e tij famëkeq të Portit të Durrësit, duke e shitur atë me hekurudhën dhe portin e ri që do të ndërtojë, për të zhdukur efektin e ndërtimeve që do të bëjë dhe borxhin e madh që do t’ju lërë shqiptarëve, që edhe kur të bashkohen do të jenë në gjendjen e një shteti të falimentuar.

Sot Edi Rama me këtë shfaqje perfekte i dha shpresë lakeut të Moskës se politika e tij ballkanike nuk do të ndryshojë por do t’i mbetet besnik kornizës së marrëveshjes së Nish-it, se nuk do ta mbështesë Kosovën në qëndrimet e saj, por do të vazhdojë si ‘lider i gjithë shqiptarëve’ ti realizojë marrëveshjet nga Tirana, ashtu sic ka dëshirë Vucic.

Kjo maskaradë nuk mund të vazhdojë më. Populli Shqiptar po kërkon me ngulm ndryshim, i cili duket se po vjen shpejt. Kosova duhet të kuptojë se nostalgjia dhe dashuria për mëmëdheun nuk duhet ti pengojë për të ndalur prishësit e ëndrrave të saj.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco