Dikush duhet t’i japë fund anarkisë në arsim

Dikush duhet t’i japë fund anarkisë në arsim

Nga Syri.net Kosova - 06/10/2022

Katrahura në arsim,  do të lërë pasoja të thella për vite me radhë. Përgjegjësia është e përbashkët, qeveri, SBASHK, politikë, shoqëri civile, media,  etj etj.  Në vend që ta shuajmë një konflikt dramatik, kush më pak e kush më shumë, i fryu zjarrit “sindikalist”.

Vërtet Albin Kurti po dashka ta rrëzojë veten? Domethenë, Albini qenka futur si Kalë i Trojës në gjirin e sindikalistëve të arsimit, i paska mobilizuar ata në bojkotin e shkollës dhe e ka shkaktuar një krizë, nga e cila eventualisht qeveria mund të shkojë prej shpie.

Konspiracionet si këto, natyrisht që marrin si përgjigje një video si ajo e Lëvizjes Vetëvendosje, që nxiti debate të ashpra në opinionin kosovar.  Prej që mbahet mend veprimtaria e SBASHK-ut, vetëm për një gjë të shkon mendja: Rritja e pagave.

Kur vinin zgjedhjet, Thaçi i rriste rrogat, sepse kjo konvertohej në mijëra vota më shumë. Krerët e SBASHK-ut, para zgjedhjeve me ish-pushtetarët nënshkruanin marrëveshje e kontrata, që më pas harroheshin.

Dalëngadalë, presioni sindikal në arsim, e shndërroi në kauzë çështjen e pagave. Askush më nuk fliste për planprograme, mësimdhënie, kushtet e shkollave, teknologjinë, tepricën e kuadrit arsimor, nivelin profesional të stafit, PISA-n....Vetëm rritje pagash.

Shumica e kërkesave sindikaliste, janë përqëndruar te xhepi i mësuesve. E drejtë, mësuesit meritojnë më shumë, meritojnë mbështetje dhe respekt, por a e meriton kjo shoqëri këtë traumë nga bojkoti gati i rregullt i procesit mësimor?

Çfarë i pengonte armatën e mësuesve, që ta zhvillonin mësimin sipas kontratës së punës që e kanë me shtetin e pas mësimit, t’ja mësyenin qeverisë për të shprehur brengat e tyre, për të protestuar, për ta ushtruar një të drejtë që ua garanton Kushtetuta?

Ata zgjodhën, t’i godisnin fëmijët, t’i privonin nga e drejta për shkollim, e garantuar gjithashtu me ligje e me kushtetutë.

T’i harrojmë për një moment prapaskenat politike dhe ndërlidhjet me një orkestrim rezistence në nivel nacional, kundër pushtetit të Albin Kurtit.

Çfarë do të ndodhte sikur secili sektor, t’i bashkohej një bojkoti të tillë në sektorin publik? Përhapja e kësaj metode anarkike, e kolapsin shtetin.  Ka ardhë dita që kësaj praktike rrënuese t’i jepet fund.

Sistemi arsimor ka pësuar një tronditje të thellë sërish, pas një dyvjeçari të rëndë në pandemi, ku shkolla përjetoi periudhën më të keqe.

Nëse SBASHK-u e degradoi metodën e vet të reagimit për të realizuar një kërkesë financiare, pa e analizuar mirë situatën, qeveria dështoi në parandalimin e krizës.  Pushteti e ka fuqinë ekzekutive gë mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe nuk mund t’i bëjë bisht përgjegjësisë e as të justifikohet.

A duhen paguar apo jo mësimdhënësit për muajin që hynë në grevë? Kjo nuk është punë e analistëve të Facebook-ut as e panelistëve në studiot televizive. Është çështje rregullative dhe ligjore. Palët ndjekin procedurat, deri në gjykatë nëse nuk ka zgjidhje tjetër.

Një gjë duhet të qartësohet një herë e mirë në këtë vend, sidomos te shkolla. Mësimi është i shenjtë, nuk guxon as të mendohet që të bojkotohet.

Rrahman Jashari, që është simboli metaforik i kësaj beteje sindikaliste, duket se e ka humbur arsyen. “Nuk i kompensojmë orët”-thotë ai dhe koleget e SBASHK-ut. Për procesin mësimor, kalendarin, kurrikulat, vendos MASHT-i e jo SBASHK-U.

Për reformë, testim, etj, vendos MASHT-i e jo SBASHK-u. Si shpjegohet që në kohën kur po bëhet ligji i pagave, që do të ndikojë në rritjen e të ardhurave për mësimdhënësit, organizohet një bojkot i tillë? Pse SBASHK-u nuk qe kaq i ashpër me ish-pushtetarët?

Edhe në këtë rast, çdo e mirë e ka një të keqe e çdo e keqe e ka një të mirë. Shteti është i krijuar për t’i thënë stop anarkisë.  Ky bojkot, duhet ta ketë një përgjigje të prerë, pavarësisht presionit publik. Në fund të fundit, nëse është në kundërshtim me ligjin, asnjë ministër i Financave nuk do të guxonte ta nënshkruante një vendim me kosto milionëshe.

Për Rrahman Jasharin, e udhës do të ishte një dorëheqje. Në asnjë rrethanë, nuk mund të vendoset interesi material mbi të ardhmen e fëmijëve.

Ashtu si krejt arsimi, edhe SBASHK-u, si organizatë me rëndësi, do të duhej të reformohej. 

Kauza sindikale e drejtë, gjithnjë has në mbështetje, por kur devijon,  siç i ndodhi SBASHK-ut, atëherë të çon në qorrsokak.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco