Gazetaria britanike dhe afarizmi gjerman

Gazetaria britanike dhe afarizmi gjerman

Nga Daut Dauti - 22/09/2022

Dëshironi t’i besoni gazetarisë britanike apo afarizmit gjerman? Ata që e njohin botën votojnë për gazetarinë britanike. Tjerët, shumica, ngjiten për efikasitetin e afarizmit gjerman.

Dokumentari ‘Skandal! Bringing Down Wirecard’, paraqet fuqinë e gazetarisë në rrëzimin e kompanive të fuqishme, që merren me aktivitet kriminal, siç është rasti i kompanisë gjermane ‘Wirecard’. Pos mashtrimeve të shumta, kjo kompani është marrë edhe me shpërlarje të parave, pornografi, ndihmë të terroristëve, etj.

Por, si të vërtetohen dhe publikohen këto aktivitete kriminale ndaj një komapnie që ka qenë e formuar më 1999, dhe deri më 2020 shpesh ka qenë më e fuqishme se ‘Deutsche Bank’? ‘Wirecard’, kompani gjermane e shtrirë me degë në tërë botën, ka qenë aq e fuqishme sa që me të është mburrur edhe Merkel.

Në vitin 2015 gazetari i ‘The Financial Times’, Dan McCrum, i kishte rënë në gjurmë kësaj pune të dyshimtë. Ai filloi të botonte artikuj që bënin me dije për aktivitetin e dyshimtë të ‘Wirecard’, por pak kush besonte. Me siguri shumë njerëz kanë pyetur: Si është e mundur që gjermanët, të cilët njihen për efikasitet në punë, të merren me këso gjërash?

Prandaj, artikujt, në vend që ta dëmtonin këtë kompani, filluan të krijonin kundër efekt: investimet dhe aksionet në ‘Wirecard’ rriteshin vazhdimisht. Madje, për bizaritet, në vitin 2019 një bankë japoneze investoi në këtë kompani 900 milionë euro. Megjithatë, ‘Wirecard’ ishte shqetësuar seriozisht nga ‘Financial Times’. Kjo kompani ka qenë aq e fuqishme sa që ka angazhuar njerëz (lexo: kriminelë), për t’i frikësuar gazetarët. Ata që nuk ka mund t’i fikësoj, i ka joshur me para. Këtë gjë tenton ta bëjë edhe me gazetarët e ‘Financial Times’, por kot. Sikur Dan McCrum të dëshironte, mund të merrte dhjetëra, ndoshta edhe qindra, milionë euro nëse hiqte dorë nga artikujt. Por, ai nuk iu dorëzua kësaj joshjeje.

Aktiviteti kriminal i ‘Wirecard’ ka qenë aq i guximshëm sa që e ka përgjuar edhe kryeredaktorin e ‘Financial Times’. Janë përdorur edhe mënyra tjera të frikësimit. Gazeta nuk heq dorë, por detyrohet që gazetarit Dan McCrum, t’i krijoj kushte pune në një bunker brenda redaksisë, ku nuk ka mundësi të përgjimit. Gazetari në fjalë, i ndihmuar nga disa kolegë të tij, detyrohet ta heq edhe modemin nga llaptopi, e më vonë të mos përdorë asnjë mjet elektronik. Ka qenë sikur të mbrohesh nga një shërbim sekret i ndonjë shteti të fuqishëm. Në këtë aspekt, ‘Wirecard’, për t’i frikësuar dhe shantazhuar ata që guxojnë të flasin, ka angazhuar ish shefin e shërbimit sekret të Libisë. Në momente tjera, shohim se si kjo kompani ka bashkëpunuar edhe me shërbimet tjera sekrete, siç është ai rus, austriak, etj., me rastin e ndikimit në zgjedhjet e Austrisë. 

Më në fund, artikuj pas artikuj, gazeta boton të gjitha dokumentet inkriminuese të kësaj kompanie sa që shteti gjerman detyrohet ta formoj një komision për t’i vërtetuar akuzat. Komisioni nxjerr në shesh se shumica e veprimtarisë ka qenë kriminale dhe fiktive. Reth 1.9 miliardë euro, të deklaruara si kapital apo investime në botë, nuk kanë ekzistuar. Komisioni nxorri në pah edhe probleme tjera dhe ‘Wirecard’ u mbyll. Drejtori i saj, Marcus Broun, u burgos kurse menagjeri, Jan Marsalek, u zhduk.

Zhdukja e Marsalekut ka vënë në pah një problem tjetër. Ai është austriak, njeri pa kualifikime shkollore, por me aftësi menagjeriale në financa. Sidomos në atë të mashtrimeve. Mediat kanë bërë me dije se Marsalek gjendet në Rusi dhe nën mbrojtjen e sigurimit sekret rus. Duket se ‘Wirecard’  ka qenë operacion shumë më i gjërë se që mendohet.

Në fund duhet lavdëruar gazetarinë e cila triumfon ndaj krimit. Por, nuk duhet harruar as ndihmën që gazetarit në këtë rast ua ofrojnë ‘short sellers’ – një grup i veçantë i specialistëve financiarë që merren me mbikqyrjen e kompanive të dyshimta nga e cila gjë fitojnë edhe ata. Ky grup, i përbërë nga britanikët, gjermanët dhe sidomos dy vajzave amerikane, e kanë furnizuar gazetën me informata esenciale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco