Pse po hesht opozita, me kë është? - Nuk i kundërshton propozimet antikombëtare e antishtetërore!

Pse po hesht opozita, me kë është? - Nuk i kundërshton propozimet antikombëtare e antishtetërore!

Nga Idriz Morin - 19/09/2022

Nëse dokumentet e publikuara janë të karakterit zyrtar, pavarësisht nëse janë në tryezë apo jo, duhet që të flasë opozita, me aq sa e lejon besueshmëria e informacioneve të publikuara.

Janë tri propozime kyçe, nga shpalimi i ‘dokumenteve’, të cilat e kërcënojnë seriozisht identitetin tonë.

1. Status special për veriun.

2. Serbia të kthehet në një fuqi rajonale ekonomike dhe financiare (mbase edhe politike) pas ndihmës enorme që premtohet t’i jepet Serbisë! Dhe

3. Serbia, për 10 vjet, të garantohet, se askush nuk do t’ia kërkojë njohjen e Kosovës! Edhe pse ajo do të detyrohet “ta pranojë”.

Derisa dje i bëmë një shqyrtim këtyre pikave kyçe, nga infot e publikuara, dhe që sidomos për pikën e tretë ka një mospajtim të gjerë edhe nga ekspertë të fushave të caktuara e profesor e politikanë, sot mendojmë se do të duhej të ishte opozita që do të duhej të shprehej.

Ne nuk i kemi asnjë borxh Serbisë, për t’i bërë lëshime të reja, dhe derisa nuk ofrohen të njëjtat kushte për shqiptarët, dhe tri komunat shqiptare, të Kosovës Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvexhë. Po ashtu siç kemi kërkuar unë dhe autor të tjerë, që çështja shqiptare e Sanxhakut duhet të vihet në rend dite, dhe të kërkohet një shkallë më e lartë autonomie, pasi ekzistojnë kushtet dhe rrethanat. E kjo duhet të nisë me futjen e gjuhës shqipe të obligueshme në të gjitha shkollat, me krijimin e kushteve për kthimin në identitet të shqiptarëve të Sanxhakut, që me dhunë brutale, shkelje nga më të rëndat të të drejtave të njeriut dhe etnike, Serbia, ia ka dalë që t’i çojë në asimilim gjuhësor, por jo edhe t’i shkrijë në identitetin serb. Megjithatë ka jo pak që e quajnë vetën boshnjak apo mysliman, dhe e dinë qartë se janë shqiptarë, përveç se i kanë ruajtur mbiemrat tipik shqiptarë e madje edhe të fiseve, Shkreli, Lajçi, Gashi etj., ka të paktën njerëz të moshuar që e pohojnë se janë shqiptarë dhe flasin shqip, sikurse ekziston edhe një pakicë të rinjsh, që duan dhe e promovojnë kthimin në identitet origjinar!

Por, pse po heshtë opozita?

Një opozitë aq agresive që e kemi parë ndaj pushtetit aktual, Kurti-Osmani, tani e ka rastin për të treguar devocionin kombëtar dhe shtetëror, duke i kërkuar të bëjnë maksimumin, dhe jo siç kërkojnë disa të pranohen propozimet, dhe njëri prej tyre me gjysmë kushti, si ai për njohjen nga pesëshja e BE-së!

Opozita, hiq reagimet për energjinë, krizën ekonomike dhe ndonjë çështje tjetër, nuk ka ushtruar asnjë kauzë serioze të interesit nacional. Madje, në vend të ushtrimit të trysnisë ndaj institucioneve dhe Qeverisë, siç bënte Vetëvendosja për bisedimet në Bruksel, ajo po bën shumë më shumë trysni, që Qeveria t’i pranojë ofertat në tryezë, madje edhe e akuzon me pretekstin se po i zvarrit proceset.

Një kahje e tillë e kundërt energjie, një barrikadim i tillë, në raport të zhdrejtë me interesin shtetëror e kombëtar është vërtetë shqetësues, se nga çfarë interesa dhe motive sillen ato!

Kosovës i është kërkuar t’i kryejë kompromiset e dhimbshme me pakon Ahtisari, por fatkeqësisht në kundërshtim me vendimin e GJND-së, i hyri bisedimeve edhe në Bruksel, në emër të bisedimeve të proklamuara si teknike! Bisedimet shkuan aq larg, sa përveç tjerash u nënshkrua edhe një marrëveshje asociacioni që doli në 23 pika antikushtetuese.

Prandaj, për ato shkelje që janë vërtetuar edhe nga Gjykata Kushtetuese nuk kemi pse ligështohemi dhe kërkojmë të bëjmë kompromise. Përkundrazi, as këtë qeveri dhe asnjë që mund të vie më pas, nuk duhet lejuar që të veprojë në kundërshtim me interesat shtetërore e kombëtare!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco