Gracka e raportit të Dick Marty-t

Gracka e raportit të Dick Marty-t

Nga Muhamedin Kullashi - 16/08/2022

Marty ishte autorizuar nga Komisioni i Asamblesë parlamentare i Këshillit të Evropës (në Starsburg) të bëjë një raport, pas botimit të librit të ish Prokurores së Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Jugosllavinë Carla Del Ponte, me 2008, ku përmenden disa dyshime për « heqjen e organeve të të burgosurëve serb nga ana e përgjegjësve të UCK-së ».

Megjithkëtë, Florence Hartmann, ish-zëdhënse e Tribunalit, në artikullin e saj “Kosova: Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin e organeve » (“Le Temps”, Gjenevë, 16 prill, 2008), shprehë habi përse Del Ponte u beson këtyre thashethemeve për heqje të organave ndonëse vet « pranon se nuk kishte as një pikë prove për të vazhduar hetimin ». Ajo pranon pokështu se hetuesit nuk kishin patur qasje te burimet e gazetarëve. Këta, në fakt, kishin refuzuar të zbulojnë identitetin e burimeve të tyre, për shkak të mungesës së elementeve të besueshme që do mbështesnin deklaratat e tyre. » C’është e vëreta, për këto supozime, që vinin kryesisht nga Serbia, përveq Tribunalit, kishin bërë hetime edhe UNMIK-u dhe EULEX-i. Mirëpo këto hetime nuk sollën asnjë provë[…] Vlen të ceket se Marti në një letër drejtuar në zyrtare të lartë të Gjyqit penal ndërkombêtar shkruan se « ai nuk ka prova » për pohimet e veta për trafikim të organeve.

Në « hulumtimin e tij të thelluar » z. Marty operon me tri përfytyrime kryesore: UCK-ja si “organizatë thelbësisht mafioze”, shoqëria kosovare që nuk ka shoqëri civile, e përcaktuar « me një strukturë shumë klanike » dhe me ligjin e heshtjes (omerta), ndërkaq shteti i Kosovës del i themeluar dhe i kapluar nga strukturat mafioze. Z. Marty e zhvillon hetimin e vet mbi rrjetet kriminale, në mbështetje të këtyre përfytyrimeve, ndonëse i ndodhë ndonjëherë t’i nyancojë ato duke sjell fakte që mund të problematizonin karakterin global të këtyre nocioneve mbi UCK-ën apo shoqërinë kosovare. .

[…] Mirëpo, në vend se të shpjegoj lindjen dhe aktivitetet e një lëvizje të rezistencës së armatosur me domosdosinë që një popull i rrezikuar të mbrohet nga një agresion ushtarako-policor, Marty, si specialist i mafiave, sheh tek bërthamat e rrezistencës në Drenicë vetëm një « strategji globale, të paramenduar dhe evolutive » të « Grupit të Drenicës », të paraqitur si një rrjet i « krimit të organizuar » me në krye « shefin e bandës » së UCK-ës, Hashim Thacin, Kryeministrin e tashëm të Kosovës.(fq.15)

[…]Paraqitja e shoqërisë kosovare si një organizëm kriminel dhe mafioz, është zhvilluar në veçanti, duke filluar nga vitet 80, nga makina e propagandës së shtetit serb, nga mediat e tij dhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve(SANU), propagandë kjo që bashkërendiste dhe arsyetonte, njëherit, terrorin policor. Kjo propagandë do ta stigmatizojë si « terroriste » dhe « mafioze » njësoj si UCK-ën e Thaçit poashtu edhe lëvizjen e rezistencës politike, të drejtuar nga LDK-ja e Rugovës.

Ndërtimi i imazhit të UCK-ës dhe të shoqërisë kosovare si organizma mafioze, në skemën e Martyt, mbështetet edhe me përdorimin e shpesht të termit « ilegal », i cili zbatohet mbi shumë aktivitete të luftëtarëve apo të qytetarëve kosovarë në kushte të okupimit.

Përkufizimin e shoqërisë kosovare, e veçanërisht të UCK-ës dhe partive politike që u sajuan nga ish-anëtarët e saj, si një organizëm klanor dhe mafioz, Marty don ta mbështesë edhe te supozimi se me 1999, « një grusht i të burgosurëve ka qenë dërguar në Shqipërinë qëndrore për t’i vrarë atje pasi t’u jenë nxjerrë veshkët në një klinikë të improvizuar ». Ky supozim për një krim të tmershëm, i ndërtuar nga disa gjurmë e rëfime të dëshmitarëve, në të shumtën e rasteve jo të drejtpërdrejt, ka për qëllim të paraqesë retrospektivisht si të urryer « natyrën e vërtetë » të UCK-së dhe të strukturave politike që kanë dalë nga gjiri i saj.

Luftërat në Ballkan, me tmerre reale, me krime të ndyra, kanë qenë të shoqëruara poashtu edhe me thashetheme dhe fiksione, disa prej të cilave morën dukjen e një hetimi koherent.

Kësisoji, thashethemet për heqjen e organeve të të burgosurëve serb nga pjesëtarët e UCK-ës, u shoqëruan në vitin 2006 e 2008 me rrëfimin, që e transmetuan mediat e Beogradit (e përditshmja “Kurir”, fjala vjen), se Bernard Kouchner-i paskësh marr pjesë, si mjek, në heqjen e organeve të të burgosurëve sërb, se trupat e KFOR-it e kanë përgaditur këtë operacion, dhe se transplantimi i organeve është bërë në një bazë ushtarake të NATO-së në Gjermani. Këto thashetheme u transmetuan në mediat serbe nga persona që thonin se janë burime të Carla Del Pontes.

Një thashetheme e ngjashme kishte qarkulluar për një Kryeministër tjetër të Kosovës, z. Bajram Rexhepin, me 2002. Porsa u zgjodhë, në disa media të Serbisë, doli akuza se ai i paska « prerë kokat civilëve serb ». Kjo thashetheme mori trajtën e një dosje hetuese, e përgaditur nga ekspertët serb. Nebosa Covic, përfaqësues i Sërbisë në një komision të përbashkët me përfaqësuesin e UNMIKU-ut dhe me atë të qeverisë së përkohshme të Kosovës pat deklaruar z. Rexhepi si ushtarë i UCK-ës dhe si mjek mbahej fajtor se « i kishte prerë kokat e civilëve serb ».

I dërguari special i OKB-ës në Kosovë, z. Steiner, kishte kërkuar ekpertizën e kësaj dosje. Pas një muaji, ai pat deklaruar : « U pajtuam me z. Covic se në atë dosje nuk ka asgjë inkriminuese për Kryeministrin Rexhepi ». Por, megjithkëtë, mediat e Sërbisë bën zhurmë të pandërprerë edhe për këtë rast.[…]

[…]Motivet politike të z. Marty shpërfaqen përgjatë tërë tekstit të raportit të tij. Si kundërshtar i vendosur i ndërhyrjes së NATO-së kundër trupave serbe që masakronin civilët shqiptarë në Kosovë, ai i kushtohet, siç patëm rastin të vejmë në pah, stigmatizmit të UCK-ës, të shoqërisë kosovare dhe të shtetit të Kosovës, si « organizma mafioze kriminele ».Metoda e « hulumtimit të tij të thelluar » mbështetet te prosedet e ekstrapolimit : disa dukuri negative që cilësojn një organizatë ushtarake ose disa sektorë të një shoqërie dhe të një shteti shtrihen arbitrarisht mbi tërësinë e këtyre organizmave

[…] Në të përditshmen beogradase “Danas”, me 20 dhjetor 2010, presidenti i Serbisë, z. Tadic, lidhur me raportin e Marty-t deklaron: « Pas botimit të raportit Marty për krimet ndaj sërbve, dhe megjithë parimin e prezumimit të pafajësisë, bashkësia ndërkombëtare do ta perceptoj në mënyrë krejtësisht tjetër çështjen e Kosovës. Sërbia ka pritur vite të tëra që instancat ndërkombëtare të bëjnë një raport të tillë. Ne kemi kërkuar që të gjitha krimet të ndriçohen, por këto kërkesa nuk u patën marrë seriozisht. Tani, imazhi është i ndryshëm dhe unë i jam mirënjohës, për këtë, Dick Marty-t.” Kryetari Tadic shton se një hetim i gjerë për rastin e ngritur nga Marty do të duhej “të ndriçoj procesin e formimit të ashtuquajturit shtet i Kosovës”.

Pra, megjithë prezumimin e pafajësisë megjithë faktin se supozimi për trafikimin e organeve nga disa anëtarë të UCK-ës mund të jetë i pavërtetë, kryetari i Sërbisë Tadic pret që perceptimi i çështjes së Kosovës, por poashtu edhe perceptimi i konflikteve të tjera në ish-Jugosllavi do të jetë, në saje të këtij raporti, krejtësisht tjetër. Kësisoj shpërfaqet intenca e zyrtarëve serb që raporti i Marty-it të përdoret, para opinionit botëror si mjet për revidimin e realitetit historiko-politik të rolit të Sërbisë në Ballkan në dy decenitë e fundit.

Kësodore, përgjegjësia e Sërbisë për katër luftëra të agresionit (kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës), me gjithë kortezhin e krimeve masive mbi popullësitë civile do të duhej tani të fshihej me supozimin, e pavërtetuar me asnjë provë se “një grusht të burgosurish serb”, para se të jetë vrarë, “ka pësuar heqjen e veshkëve në një klinikë të improvizuar” në Shqipëri, nga pjestarët e UCK-ës. Kështu, është tani egërsia e një krimi të supozuar që do të duhej të ndriçojë “natyrën e vërtetë” të një lëvizje për çlirim dhe të një shteti të ri në Ballkan.

Kah fundi i raportit, z. Marty pranon se hetimi i tij nuk ka sjellur diçka të re: “Kjo nuk është ndonjë risi dhe nuk është ndonjë ekskluzivitet i Kosovës », duke shtuar se « Krimi i organizuar është po aq i rrezikshëm në Serbi, në Mal të Zi, në Shqipëri (…) ai njëherit konstaton « madje edhe një bashkëfajësi të çuditshme dhe shqetësuese midis bandave të ndryshme. »(fq.28) Ne do të mund të shtonim se hetohen po kështu edhe bashkëfajësi të çuditshme midis atyre që duan me çdo kusht të besojnë dhe t’i bindin të tjerët për « të vërtetën » e krimeve e për të cilën nuk kanë asnjë provë të besueshme.

Mirëpo, pikërisht me përqëndrimin te një krim i supozuar, Marty ka arritur të tërheq vëmendjen e mediave dhe të trondisë opinionin e gjerë dhe Gjykatën Penale ndërkombëtare në Hag.

Me këto të meta, raporti i Dick Marty-t nuk mund të jetë një kontribut për një analizë më objektive të së kaluarës së mbrujtur me konflikte, nuk mund të jetë kontribut për të vërtetën dhe drejtësinë. Me qasjen e tij të kufizuar, me njënashmërinë e qëndrimeve të tij politike dhe me tezat e tij ai edhe më pak mund të pretendojë të kontribuojë për një « pajtim të mirëfilltë » dhe për një « stabilitet afatgjatë në rajon ».

Tani, më 2022 i takon Marty-t t’ia shpjegoj Gjykatës penale ndërkombëtare në Hagë përse shteti i Sërbisë dëshiron ta vrasë atë, siç ka pohuar vet ai së voni.

Nga autori: Artikullin me këtë titull e kam shkruar në mbarim të vitit 2010 pas publikimit të Raportit të senatorit zviceran Dick Marty. Artikulli im u botua në gazetën pariziene on line « Mediapart ».

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco