Sinjale të papërgjegjshme 'për ta shantazhuar' vendimin e Gjykatës së Apelit

Sinjale të papërgjegjshme 'për ta shantazhuar' vendimin e Gjykatës së Apelit

Nga Mehmet Gjata - 16/08/2022

Tani pas vendimit të Apelit dhe përcaktimit të ZRRE-së për ta pranuar të njëjtin, dhe se “brenda afateve të përcaktuara ligjore, ZRRE do të ndërmarrë veprime për zbatimin e tij”, nuk ka mbetur shumë vend, as hapësirë për shumë llafe të tjera, për politizimin e mëtutjeshëm të rastit, për mburrje dhe për t’i atribuar meritat gjithandej drejt rrahagjoksëve për këtë rikthim çmimi të energjisë elektrike. Nuk ka vend në asnjë mënyrë për të shantazhuar me reduktime eventuale të rrymës, siç po dalin në dritë disa sinjale nga kompanitë, qoftë publike, qoftë private, përfituese nga ngritja e çmimeve të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar publikisht (nëpërmjet disa deklaratave të zyrtarëve të këtij asociacioni për shumë medie kosovare, ndër to edhe për Buletinin Ekonomik) se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë. Dhe, që në fillim, duhet thënë se ZRRE-ja ka vepruar mirë dhe siç duhej të veprojë një institucion i shtetit ndaj vendimeve të gjykatave.

Siç dihet, në muajin prill, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pezulluar zbatimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.

ZRRE-ja me këtë rast shfrytëzoi të drejtën ligjore të ankimimit në gjykatën e shkallës më të lartë, duke vazhduar të aplikojë faturat me çmim të ngritur edhe gjatë muajit prill, përkundër vendimit të Themelores.

Ndërkohë, të mërkurën, Gjykata e Apelit vërtetoi se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ishte i drejtë, duke arsyetuar me këtë rast në aktvendim se “ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar”.

Tani kjo është gjendja rreth rikthimit të çmimit të energjisë elektrike në pozicionin zero, përkatësisht në kthimin e mëparshëm të çmimeve, atyre pa rritje. Në pozicionin e para 9 shkurtit të sivjetshëm, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë, pati vendosur për rritjen e çmimit të energjisë.

ZRRE pas vendimit të Gjykatës së Apelit, në përgjgjet për Buletinin Ekonomik ishte tërësisht e qartë dhe e saktë në përcaktimin për ta pranuar këtë vendim: “Ju njoftojmë që Zyra e Rregullatorit për Energji e ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe brenda afateve të përcaktuara ligjore, do të ndërmarrë veprime për zbatimin e këtij aktvendimi”.

Tani, pas këtij vendimi të Apelit dhe përcaktimit të ZRRE-së për ta pranuar të njëjtin, se “brenda afateve të përcaktuara ligjore, do të ndërmarrë veprime për zbatimin e tij”, nuk ka mbetur shumë vend, as hapësirë e mundësi për shumë llafe të tjera, për politizimin e mëtutjeshëm të rastit, për mburrje dhe për të atribuar meritat gjithandej drejt “rrahagjoksëve” për këtë rikthim çmimi të energjisë elektrike. Nuk ka vend as për subjektet politike opozitare që të rrahin gjoksin dhe t’i thurin lavde vetvetes për “meritat” e rikthimit të çmimit siç ishte para datës 9 shkurt.

Dhe, ç’është më e qenësishmja, pas këtij vendimi të Apelit (fundja, njësoj vendosen dy instanca gjyqësore- masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të rrymës), nuk ka vend në asnjë mënyrë, dhe në asnjë çast për të shantazhuar eventualisht, siç po dalin në dritë disa sinjale nga kompanitë, qoftë publike, qoftë private, përfituese nga ngritja e çmimeve të energjisë elektrike, që gjykatat e Kosovës e vlerësuan vendimin si të paarsyeshëm dhe të jashtëligjshëm.

Madje, është fare e pa takt, e diskutueshme dhe e papërgjegjshme, tendenca për të ngarendur për ta shantazhuar këtë vendim gjykate me reduktime të ashpra të energjisë elektrike për konsumatorin shumicë kosovar, që duhet pranuar, megjithë vështirësitë financiare nga gjendja sociale në vend, çmimet e ngritura i pranoi heshtazi, pagoi ato me vështirësi dhe me sakrifica dhe në njëfarë mënyre, i kreu obligimet si konsumator i disiplinuar.

Dhe, prandaj, është fare e papranueshme edhe tendenca për t’u shantazhuar ky konsumator me mospasje të rrymës nga ana e KOSTT-it, qoftë e bërë vetëdijshëm, qoftë nga mosdija, për shkakun se tani kanë rënë poshtë çmimet e ngritura sipas kërkesave të mëparshme të tyre.

Reduktimet me energji elektrike mund të kthehen sërish në Kosovë. Një paralajmërim të tillë e ka bërë menjëherë pas lajmit për vendimin e Gjykatës së Apelit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ngutshëm dhe vrullshëm, goxha i revoltuar dhe pa e fshehur revoltën.

Po e ritheksojmë se paralajmërimi i KOSTT-it vjen pa humbur kohë, thuaja menjëherë pasi që Gjykata e Apelit vërtetoi atvendimin e Themelores për pezullimin e tarifave të shtrenjta të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji( ZRRE). Për të qenë tërësisht korrekt dhe për të parë më drejtëpërdrejtë pikëpamjet e KOSTT-it pas vendimit të Apelit, por edhe për të vlerësuar lexuesi vet për faktin se a ka tendencë shantazhuese KOSTT-i në këtë kumtesë alarmuese, Buletini Ekonomik e sheh të arsyeshme ta botojë thuaja tërësisht komunikatën e KOSTT-it:

Komunikata e plotë:

“Kriza globale energjetike e cila u karakterizua me rritje të jashtëzakonshme të çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare, pashmangshmërisht u reflektua edhe në Republikën e Kosovës sidomos në periudhën e stinës së dimrit kur konsumi i energjisë elektrike arriti në vlerat më të larta dhe ndikoi edhe në rritjen e importit të energjisë elektrike.

Për të përmbushur përgjegjësitë për krijimin e kushteve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe operimin e sigurt dhe të besueshëm të sistemit të transmetimit përveç tjerash, KOSTT sikurse të gjitha kompanitë e tjera të rregulluara të sektorit të energjisë siguron operimin nga të hyrat e lejuara maksimale sipas aprovimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Në situata kur të hyrat e realizuara nuk reflektojnë kostot reale, aplikohet procesi i përshtatjeve tarifore me qëllim të ruajtjes së likuiditetit të kompanisë dhe mundësimit të kushteve për ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve. Si rrjedhojë e çmimeve enorme të importit të energjisë elektrike dhe të hyrave jo adekuate për mbulimin e kostove, deri më tani janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj Sistemit Elektroenergjetik të Evropës Kontinentale të cilat kanë kosto, si dhe janë shkaktuar borxhe të ndërsjellta në mes të kompanive në sektorin e energjisë.

Devijimet e mëdha ndaj sistemit interkonektiv nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe paraqesin obligime financiare shtesë për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese. Situata e krijuar nga kriza energjetike globalisht ka nxitur ndërmarrjen e masave proaktive përmes mekanizmave të formave të ndryshme qoftë përmes përshtatjeve tarifore apo subvencionimeve të ndryshme të sektorit të energjisë në botë. KOSTT ngre zërin për pamundësinë e mbulimit të kostove të shkaktuara dhe atyre që pritet të ndodhin në qoftë se nuk ndërmerren masa të shpejta për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes se tarifave apo subvencionimit.

Nëse nuk ndodhin këto veprime atëherë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike në vend, do të aplikohet masa për reduktimin e konsumit si dhe rrezikohet seriozisht Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E. Kërkesat që tarifa e energjisë të kthehet në vlerën e mëhershme e rrezikon sigurinë e operimit të sistemit, dëmton Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, marrëveshjet e tjera me institucionet ndërkombëtare si dhe arritjet e KOSTT në pavarësimin e operimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës. Rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e krizës globale të energjisë dhe ka prekur të gjitha vendet Evropiane, prandaj është i domosdoshëm reflektimi i kësaj kosto-je në të hyra shtesë”, thuhet në këtë kumtëse nga KOSTT.

Mirëpo, KOSTT-i sikur ka harruar që në një rast të vetëm, në gjithë këtë komunikatë, të thotë se çka ka bërë kjo kompani pas ngritjes së çmimeve për të siguruar ndonjë sasi të munguar të energjisë elektrike, cilin projekt konkret e ka ofruar KOSTT-i për ta realizuar, me qëllim të zbutjes sadopak të mungesës së rrymës, cilin projekt me emër dhe shpresëdhënës nga energjia rinovuese ia ka imponuar Qeverisë aktuale, e cila poashtu, pos retorikës shterpe, nuk është se po bënë diçka konkrete për të siguruar energjinë e munguar.

KOSTT-i, po kështu, duhet t’i tregojë publikut edhe për nivelin e pagave të punonjësve të vet, që për rrethanat kosovare janë stratosferike, dhe nuk janë shumë larg atyre perëndimore, sikundër që është dashur bile me një fjali, të thuhet se si u menaxhuan gjithë këto subvencione të Qeverisë së Kosovës, para të kosovarëve të varfër, për ta stabilizuar sistemin elektroenergjetik të Kosovës.

KOSTT-i duhet ta thotë ndonjë fjalë edhe për paratë e fituara nga eksporti i energjisë elektrike, si janë menaxhaur ato mjete, kah kanë shkuar paratë përveç rritjes së rrogave në KEK dhe në hallkat e tjera të sistemit elektroenergjetik të Kosovës etj, etj.

Dhe, nëse, eventualisht nuk është në kompetencën e tyre të tregojnë për këto çështje goxha të rëndësishme për funksionimin në sistemin elektroenergjetik të vendit, doemos, nuk do të duhej të jetë nën kompetencën e tyre as alarmimi e vlerësimi për vendimin e të dy gjykatave të Kosovës. Aq më pak, do të duhej të jetë kompetencë e KOSTT-it, shantazhimi nëpërmjet alarmimit “që të ndërmerren masa të shpejta për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes së tarifave apo subvencionimit, për t’iu shmangur reduktimeve”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco