Kosovar, mos rri po duku në protestën e 7 korrikut

Kosovar, mos rri po duku në protestën e 7 korrikut

Nga Syri.net Kosova - 06/07/2022

Opozita në Shqipëri u rikthehet këtë të enjte protestave kundër regjimit të Edi Ramës. Kapja e thellë e shtetit, zhytja në korrupsion sistematik, trafiqet e drogës, krimi i organizuar dhe futja nën kontroll e çdo institucioni të pavarur, e ka shndërruar shtetin shqiptar, në një Banana Republikë.

Opozita e rithemeluar pas ndryshimit në lidershipin e së djathtës, ka ngjallur shpresën për një kthesë të fortë politike.

Është korrekte që politika kosovare, mban një qëndrim neutral ndaj luftës për pushtet në Shqipëri, megjithatë në rastin e protestës së 7 korrikut, ka një arsye bindëse për të mos qëndruar indiferent.

Në periudhën më të tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës, kryeministri i Shqipërisë shihet shpesh “gju më gju” me presidentin serb. Edi Rama është bërë partner i ngushtë i Aleksandër Vuçiqit në nismën e rrezikshme të Ballkanit të Hapur, që kundërshtohet nga Kosova.

Pa pikë turpi, Rama po përpiqet ta shfajësojë e amnistojë për të kaluarën gjenocidiale e kriminale, kreun e Serbisë, ish-zëdhënës i Milosheviçit.

Politika që ndjek qeveria e majtë shqiptare, në raport me Serbinë, mund të ndikojë në shtimi e ca turistëve serbë në brigjet shqiptare, megjithatë është duke e dëmtuar Kosovën. Kjo nuk po e ndal Ramën të zhytet edhe më thellë në miqësinë me Vuçiqin.

Në përpjekje për t’u shfaqur si protagonist, Rama më tepër po lëkundet brenda sharlatanizmit të tij. Një herë u përpoq të shtynte përpara një plan të mbrapshtë për ndarjen e Kosovës, ndërsa tash është duke e shtuar presionin ndaj Prishtinës zyrtare për Ballkanin e Hapur.

Protesta e 7 korrikut është kundër veprimeve të dëmshme, vendimeve të gabuara dhe politikave të dyshimta, që po ndjek regjimi i Ramës. Kjo është një protestë edhe në mbrojtje të interesit të Kosovës dhe të interesave nacionale në përgjithësi.

Kosovarët, do të duhej të ndanin ca orë që të jenë aty, në mesin e protestuesve. Edi Ramës duhet t’i dërgohet edhe një mesazh nga Prishtina. Nuk mund t’i kthesh shpinën Albinit e Vjosës, e të krekosesh sa herë je bashkë me Vuçiqin.

Rama ka qejf të duket si ‘babai’ i kombit, por mënyra se si po vepron, e ka shndërruar në një monstrum politik të demokracisë, me një kosto tashmë të pariparueshme nëse mbetet edhe më tej në pushtet.

Zëri i Kosovës në protestën e 7 korrikut, e kompleton këtë nisje të një revolte masive për shpëtimin  e Shqipërisë nga një regjim autoritar, që po shkel mbi dinjitetin, liritë dhe interesat e shqiptarëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco