Hija e shteti tim apo një epitaf varri për shtetin që e ëndërronte Rugova

Hija e shteti tim apo një epitaf varri për shtetin që e ëndërronte Rugova

- 04/07/2022
(Generalli e ’çbenë’ hu policin e shtetit, pamje e parë kjo nga pikëvështrimi i një idealisti të dëshpëruar me shtetin e tij) Në vitet 80-90, kur ishim studentë apo po sa kishim përfunduar studimet, për herë të parë, kishim mundësi t’i vizitonim vendet perëndimore. Gjatë atyre vizitave, për herë të parë, po e shihnim rregullimin shtetëror të perëndimit, po e provonim civilizimin dhe kulturën perëndimore, po habiteshim me zhvillimin ekonomik dhe me mirëqenien e popullsisë, po ngazëlleheshim me arkitekturën e qyteteve, me muzetë, me libraritë, me bibliotekat, me ndërtesat qindravjeçare të universiteteve dhe, padyshim, me katedralet e bukura që, zakonisht, ishin ngritur në mes të qyteteve. Në Kosovë, mbretëronte dhuna policore serbe dhe varfëria. Si të rinj, një numër i madh nga ne, i ndërtuam ëndrrat që edhe vendin tonë, nëse ndonjëherë do të arrinim ta bënim, ta bëjmë sikur vendet të cilat i përmenda dhe i vizitonim në atë kohë. Ndërtimit të kësaj ëndrre dhe të këtij ideali të madh për të ardhmen e vendit i ndihmoi shumë edhe ardhja e Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës. Duke mos dashur ta elaboroj më gjatë tërë atë situatë politike, vetëm po e përmendi se, pas luftës, disa nga ne që ishim idealistë, ende e ushqenim në veten tonë atë ideal dhe atë vizion për Kosovën e lirë. Figura e Ibrahim Rugovës, jo si politikan, por si mendësi dhe orientim politik dhe kulturor ishte një lloj guide se nga duhej të shkonim. Dhe erdhën ‘komanantët’ që na u bënë ‘generalla’ dhe që e shpërfaqen menjëherë, në formën më të egër të mundshme, primitivizmin mesjetar, pangopshmërinë e një skllavopronari dhe injorancën e paditurinë tmerruese të një analfabeti. Me ‘hu në krah’, me rekrutimin e grupeve parapolitike të myhybëve dhe të zgjedhësve, me ndihmën e e intelektualëve të mëdhenj antrirugovistë dhe me ndihmën e intelektualëve të paditur e sahanlëpirës, duke e keqpërdorur, deri në shkrryerje, emrin e UÇK-së, duke instaluar të paditurit dhe analfabetët në organet shtetërore, ata gllabëruan gjithçka materiale që mundën, u futen në parlament dhe në qeveri, vodhën në tenderë dhe në ndërmarrja publike, uzurpuan prona, toka dhe pasuri publike, blenë për vete dhe për dashnore xhipa e vetura luksoze, ndërtuan shtëpi, blenë vila dhe banesa nëpër Dubai e vende të huaja duke u shndërruar në faudalë të urryer nga gjithkush përveç nga sahanlëpirësit e tyre. E shteti mbeti! Në të vërtetë, nga ideali fillestar i shtetit që do t’i ngjante çdo shteti perëndimor, mbeti vetëm hija e shëmtuar e asaj ëndrre. Komanantët ndërtuan sistemin më të keq arsimor në Ballkan, ndërtuan sistemin më të keq shëndetësor në Ballkan, ndërtuan sistemin më të keq juridik në Ballkan. Komanantët dhe argatët e tyre servilë nga partia e Ibrahim Rugovës, gati sa nuk e bënë poçavër këtë vend. Dhe erdhën islamistët nga vendet që nuk e njohin Kosovës të cilët, duke e përdorur mungesën e çdo shprese të qytetarëve, pashtetësinë, injorancën dhe varfërinë e skajshme të shtresave më të ekspozuara të popullsisë, ngriten një superstrukturë të tillë sociale dhe para shtetërore saqë, tashmë, e njëjta është aq e fuqishme sa e sfidon, gati me forcë, përkatësinë kombëtare e shtetërore, vet shtetin por edhe karakterin e shtetit laik dhe sekular të Kosovës. Dhe nuk u ‘zbëthen’ as generallat. Ata, po ua prishI qejfin dikush, e rrahin edhe policin që i ndalon në komunikacion por edhe gjykatësin që, po supozojmë, do ta kishte guximin t’i dënojë. Rugova mund të ishte flagmatik, i ngadalshëm, jo i aksionit, por ai kishte ide të qartë për shtetin për të cilin punonte dhe luftonte. Edhe ne disa, idetë i kishim të qarta por, ose u shitëm lehtë për një kokërr pushtet dhe një grusht para, ose u ‘përjashtuam’ nga aktivitetet dhe partitë. Tash kemi pushtetin e komanantëve që të ‘çbenin’ hu dhe primitivizmin antikombëtar antikulturor islamik që po përhapet shpejt dhe po e shpërfytyron karakterin oksidental të kombit tonë. Dhe derisa kjo ndodhë, vendi zbrazet, njerëzit ikin dhe ata që mbesin bëhen gjithnjë e më të varfër dhe gjiothnjë e më të manipulueshëm dri në masën sa do të rrezikohet edhe shteti. Bibliotekat, opera, teatrot, librat nuk janë më pjesë e jetës dhe e shtetit tonë. Kohë skterrike për vizionin mbi shtetin të Ibrahim Rugovës! Kohë generallësh e servilësh!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco