Policia

Policia

Nga Daut Dauti - 04/07/2022
Policia
Në Kosovë, sa më kujtohet, policia më ka ndaluar katër herë për shkak të kalimit të limitit të shpejtësisë. Unë nuk kam problem me këtë punë dhe i paguaj dënimet menjëherë dhe pa asnjë diskutim. Një herë, kur më ndaluan në Llabjan, që është mesi i rrugës Gjilan Prishtinë, në kerr i kisha disa qindra libra të miat që i kisha marrë nga botuesi dhe të cilat shiheshin pasi që i kisha vënë prapa meje në karrika. Policit, që po e shkruante dënimin, i thashë:’A bon me ta dhanë ni libër në vend të pagesës së dënimit’. Polici nuk e kuptoi humorin tim dhe u egërsua mjaft. Por, unë nuk fola më tej.
Dy herave tjera nuk më dënuan edhepse duhej. Kjo ishte për shkak se unë atëherë punoja në kryeministri dhe policët e shihnin një afri të tyre me qeverinë. Ata e mbanin në mend kur unë dy herë në konferencë për shtyp e kisha lavdëruar policinë tonë për shkak se e meritonin. Në fakt, unë flas mirë për Policinë e Kosovës edhe sot. Madje, edhe nëse gabojnë. Gabojnë edhe policët dhe gabimi shqyrtohet. Në realitet, policia është dashur të më dënojnë mua më shumë se tjerët m’u për shkak se unë isha në qeveri dhe duhej të isha shembull i mirë për tjerët e që nuk isha. Por, unë nuk mund t’i detyroja policët të më dënonin.
Në Britani të Madhe vetëm një herë më ka ndaluar policia kur isha duke vozitur. Një makinë e tyre vinte pas meje dhe unë e dija se do të më ndalnin se nuk më punonin ‘shtopat’ e frenave. Ata më përcollën gjatë derisa e vërtetuan këtë gjë. Kur u ndala në një semafor, kerri i tyre erdhi paralel aq afër sa gati na prekeshin kerret. Në atë rast njëri polic e zgjati dorën dhe më trokiti në dritare. Unë e hapa dritaren dhe ai më tha me shumë mirësjellje që të ndalem diku ku nuk e pengonim komunikacionin. Dhe ashtu u bë.
‘Arsyeja që të ndalëm është se dritat e frenave nuk të punojnë dhe kjo është gjë e rrezikshme’- më tha polici.
Unë e dija që nuk punonin dhe e kisha lënë që t’i rregulloja, por nuk i vinte rendi kësaj pune. Që t’i ikja dënimit e gënjeva policin.’Nuk e paskam diktuar’- thashë. Me policinë angleze nuk ka diskutim. Ata të fusin në burg bash me qenë edhe djali i kryeministrit. Bile në rastet e personaliteteve, ata veprojnë edhe më ashpër. Nuk ta falin gabimin në asnjë mënyrë.
Megjithatë, nuk më dënuan. Polici më tha që ta çoja kerrin te mjeshtri e t’i rregulloja ‘shtopat’. Ma dha një letër dhe më tha që ta nënshkruante mjeshtri kur ta rregullonte dhe pastaj ta dërgoja letrën në stacionin më të afërt të policisë. Ashtu veprova dhe nuk u dënova.
Për kalim të shpejtësisë në Britani nuk të ndalë policia se dënimi vjen me postë në shtepi dhe i ilustruar me fotografi për dëshmi të shkeljes së rregullave. As këtu nuk ka diskutim me policinë. Në shtetin modern, qytetari nuk ka rast e as mundësi të përlahet me policinë. Këtë gjë e di mirë qytetari. Nëse një gjë e tillë ndodhë dhe kur rasti shkon në gjykatë, gjykatësit janë të ashpër ndaj atyre që nuk i respektojnë rregullat. Kur qytetari vepron me dhunë ndaj organit shtetëror duke e refuzuar vendimin, gjykata këto raste i merr si vetëgjygjësi dhe shqipton dënime pa mëshirë.
Kur ne në Kosovë e arrijmë këtë nivel të qytetarisë dhe funksionimit të shtetit, atëherë kemi të drejtë të ankohemi pse nuk na pranojnë në Interpol, pse disa shtete ende nuk e njohin Kosovën, pse nuk na i heqin vizat, pse …. ?
Deri atëherë ne i kemi dy mundësi:1.T’i rregullojmë këto gjëra, dhe 2. T’a lëshojmë Kosovën dhe t’a lëmë vendin në duar të kaubojëve (loparëve).
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco