Përcaktuesit e 'haramit' dhe të 'hallallit

Përcaktuesit e 'haramit' dhe të 'hallallit

Nga Murteza Osdautaj - 29/06/2022
PËRCAKTUESIT E ‘HARAMIT’ DHE TË ‘HALLALLIT’
(Apo çka duhet të jetë e lejuar dhe e ndaluar për bashkësitë fetare në Kosovë)
Aq shumë ka degraduar manifestimi i besimit sa, po dole në Prishtinë, disa kafene mbyllen në kohë të xhumasë dhe disa të tjera edhe mund të të mos ofrojnë një birrë për arsye se është ‘haram’. Krejt kjo nga shkaku se pronarët e kafeneve janë ‘besimtarë’ të devotshëm.
Por harrohet një gjë. Të jesh besimtar është, thjeshtë, çështje personale dhe kjo, në një shtet modern dhe tek një komb që shenj identifikimi nuk e ka fenë por gjuhën, kulturën, doket e zakonet, nuk duhet kurrë të jetë pjesë e manifestimeve dhe dukurive shtetërore dhe shoqërore sikur po ndodh në Prishtinë.
Unë nuk do të lejoj kurrë që dikush, në kundërshtim me bindjet e mia, të më përcaktojë se çka është e lejueshme apo e palejueshme (arabisht: haram dhe hallall) për mua. Unë kam besimin tim, kam mënyrën time se si e besoj zotin dhe kam mënyrën time të sjelljes që nuk e cenon karakterin sekular të shoqërisë dhe shtetit tim dhe që nuk e dëmton, në asnjë mënyrë, identitetin tim kombëtar i cili fillimet i ka tek qëndresa e Skënderbeut dhe lëvizjet komb formuese të shekullit 18 e 19. Gjithashtu, me sjelljen time publike, kujdesem që, me asnjë formë manifestimi, të mos nxisë asnjë formë të parehatshmërisë dhe të paqetësisë së asnjë besimtari, cilitdo besim që t’i takojë.
Në këtë kontekst, sillem sikur do të duhej të sillej një shqiptar besimtar i cilitdo besim fetar. Kjo ngase të jesh shqiptar nuk do të thotë se je i një besimi të veçantë. Të jesh shqiptar do të thotë se mund të jesh mysliman suni, mysliman shii, katolik, protestan apo ortodoks dhe, njëkohësisiht, të flasësh shqip, të sillesh shqiptarçe dhe ta respektosh tjetrin shqiptarçe.
Çdo dalje prej kupolës etnike shqiptare, me çfarëdo manifestimi identitar joshqiptar, është manifestim që për mua paraqet shqetësim, parehatshmëri dhe iritim. Unë irritohem nga shqiptari ortodoks i cili, edhe pse shqiptarët kanë kishën e tyre nacionale, e shkruan në statusin e tij se është ortodoks grek. Irritohem nga çdo shqiptar katolik apo protestant që me cilëndo formë kapërcen kufijtë e besimit të tij duke e prekur identitetin shqiptar.
Derisa manifestimet joshqiptare të krishtera janë më fine, paraqitjet joshqiptare islame janë shumë më të ashpra dhe shumë më primitive. Ardhja e pjesëtarëve të klerit mysliman nga Arabia, mënyra e shëmtuar e veshjes dhe e paraqitjes së tyre, predikimi i sjelljeve më primitive islamo-arabe nga shekulli i 7 dhe i 8-të, e kanë prekur dhe po e prekin në esencë konceptin e shqiptarizmës dhe të oksidentalitetit kulturor shqiptar. Predikimi i jetës sipas konditave, zakoneve dhe riteve kulturore arabe të shekullit 7 dhe të tetë, sulmimi i çdo zakoni shqiptar joislam, denigrimi i çdo riti shqiptar të parakrishterë, sulmimi i çdo figure historike shqiptare që ka ndikuar në krijimin e shqiptarizmës si identitet kombëtar dhe sulmi frontal mbi imazhin dhe paraqitjen kulturore oksidentale të shqiptarëve është një sulm direkt apo indirekt në identitetin historik kombëtar të shqiptarëve.
Ne, vërtetë, jemi vonuar në krijimin e kombit. Ne vërtetë Biblën dhe Kuranin i kemi përkthyer tepër vonë në gjuhën tonë. Neve, vërtetë, për shekuj me radhe, otomanët na i ndaluan shkollat dhe gjuhën. Neve vërtetë, për këto shkaqe, na u ndal ora historike dhe territoret tona u copëtuan pas çdo disfate ushtarake të Perandorisë Otomane por ne kishim brum kulturor për të mbijetuar si komb edhe kur Otomanët e braktisën Shqipërinë duke e lënë në mëshirën e fqinjëve grabitqarë.
Këtë shkrim dua ta përfundoj duke konstatuar se, fatkeqësisht, manifestimi i islamit tek ne është forma më primitive e paraqitjes së këtij religjioni. Duke e ditur se në Maroko, që në shekullin e nëntë, kishte universitet, duke e ditur se në Spanjë civilizimi islam arriti majat dhe u bë qendër e botës, duke e ditur se, në mesjetë, Bagdati ishte Parisi i sotëm për botën, nuk kam se si të mos irritohem me islamin primitiv që po mbillet në Kosovë duke e dëmtuar seriozisht imazhin laik të vendit dhe identitetin sekular të shtetit. Të shohësh gra e vajza të mbështjella me të zi, të shohësh djem e burra me pantallona të shkurtra e me mjekra të pakrehura, të dëgjosh në rrugë dhe në kafene përshëndetjen ‘selam alejkum’ në vend të përshëndetjes së bukur shqipe ‘tungjatjeta’ apo ‘tymirmeq’ është një prapakthim dhe një degradim i qenies shqiptare. Gjithsesi, duke mos e mohuar të drejtën e gjithsecilit për të besuar, duhet kujdesur, pambarimisht që të mos rrezikohet, në cilëndo formë, karakteri sekular i shtetit dhe identiteti perëndimor kulturor i shqiptarëve.
Ataturku këtë gjë e bëri me ligj dhe me ushtri duke e krijuar kombin modern turk edhe pse edhe komb po shënon dekadencë në orientimin sekular dhe demokratik të Turqisë!
Derisa një birrë në një kafene të Prishtinës mund ta kem ‘haram’ sipas pikëpamjes së besimtarëve fanatikë islamë, po këta besimtarë kur hapin biznese publike duhet ta kenë ‘HARAM’, me ligj, çdo akt dhe manifestim që e ndërmarrin dhe që shkon në dëm të identitetit kombëtar dhe shtetëror të Kosovës. Shteti i ndare nga feja eshte thelbi i ngrehines shteterore te Kosovës dhe këtë s’mund ta rrezikojë secili e as një pronar kafeneje ne sheshet e Prishtinës i cili, jo paqëllim, e mbyllë lokalin ne vakt të xhumasë dhe i sheh me urrejtje klientët që mund ta kerkojnë një birrë!
Liria fetare duhet të shtrihet vetëm deri të e drejta dhe liria e secilit individ për të besuar në Zot dhe për ta ushtruar lirshëm besimin e tij. Çdo dalje nga ky kufi, çdo imponim (haptas apo fshehtas) duhet të sanksionohet me ligj për të gjitha bashkësitë fetare të vendit, e sidomos për Bashkësinë islame dhe Bashkësinë ortodokse. Të dyja këto bashkësi, çdo ditë, po e sulmojnë dhe po e dëmtojnë thelbin sekular dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës. Të dyja këto, në iso, po e sulmojnë apo po e mohojnë, haptas apo me ‘isharete’, edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.
Kur teprohet, edhe mjalta është vdekjeprurëse!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco