Zhbllokojeni Trustin, rritni pagat

Zhbllokojeni Trustin, rritni pagat

Nga Syri.net Kosova - 23/06/2022

Sytë e kosovarëve sot janë te Kuvendi i Kosovës. Do e mbështesin apo jo tërheqjen e re nga Trusti? Rreth dy miliardë euro kursime, kryesisht mbahen në tregjet jashtë vendit. Para pak vitesh në kohën e krizës financiare, humbjet mbërritën 100 milionë. Më pas pati një rikuperim.

Sado të sigurta të jenë tregjet financiare, sot, asgjë nuk është më e sigurtë. As fondet e Trustit.

Stabiliteti financiar i Kosovës nuk varet prej këtij fondi, por natyrisht një prekje e radhës, ndikon te gjenerata që do të përfitojë në moshën e pensionimit.

Megjithatë, aksionari janë kontributdhënësit, ndërsa përfaqësuesit e zgjedhur nga sovrani kanë ndërmarrë një nismë ligjore që mundëson një tërheqje të dytë.

Herën e parë, tërhoqën një pjesë e madhe, pozitë e opozitë. Kriza e thellë, inflacioni rekord, e ka futur botën në një fazë kritike.

Në këto rrethana, Kosova, si një vend i vogël, me ekonomi të dobët, e varur nga importi, nuk e ka luksin të mos reagojë sipas mundësive.

Qeveria po mburret vazhdimisht për rritjen e fortë ekonomike duke e krahasuar me vitin e pandemisë, kur izolimi e bllokoi çdo gjë. Rritja e vërtetë, në fakt, është inekzistente, pavarësisht treguesve zyrtarë.

Me pagën mesatare të para një viti, sot nuk përmbush dot as nevojat kryesore familjare.  Kurti dhe ministri i tij i Financave thonë se po e shtojnë buxhetin. E vërtetë. Sa më shumë rriten çmimet, konsumatorëve u shtohet kostoja, e kështu edhe në arkën e shtetit përfundojnë më tepër fonde.

Por, ky inflacion i pandalshëm, mund të ndikojë në rënien e konsumit. Edhe Kosova po rrezikohet nga një periudhë depresioni, por askush nuk flet për këtë. Qeveritarët, deputetët, politikanët në përgjithësi që janë njerëz të pasur, duhet ta vendosin veten në pozitën e shtresës së mesme, nëse ka mbetur një e tillë ende.

Qeveria në një farë mënyre po e teston durimin e popullatës. Sa më pak reagohet, aq më indiferentë bëhen qeveritarët. Asnjë masë serioze nuk po ndërmerret. Si rrjedhojë, ka nisma si kjo e Trustit.

Nuk është më e mira, është e kontestueshme, megjithatë e ka një arsyetim të fortë në këtë moment kritik ekonomik dhe social. Tërheqja mund të ndikojë në shtimin ose së paku në mosrënien e fuqisë blerëse.

Kjo qeveri në vitin e dytë mund të rrisë rrogat për të përballuar inflacionin, por nuk po e bën. Përballja me krizën ekonomike është sfiduese për ekipin e Kurtit. Kjo kohë kërkon vendime të guximshme. Ashtu siç po i ndërmerr në dialogun me Serbinë, duke pranuar marrëveshje që dikur i shante, njësoj le të veprojë edhe për gjendjen ekonomiko-sociale.

Nuk mund të thuash se kemi buxhet më shumë, e këndej njerëzit po marrin realisht më pak, sepse të ardhurat e tyre janë zhvlerësuar nga inflacioni.

Së paku tërheqjen nga Trusti mos e bllokoni, rritni pagat dhe shtojeni mbështetjen e kategorive sociale.

Nëse nuk bëni diçka, atëherë më mirë çojeni vendin në zgjedhje. Le të vijë një qeveri e re.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco