Aleanca trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup është aleancë proruse dhe anti-BE

Aleanca trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup është aleancë proruse dhe anti-BE

Nga Sali Berisha - 22/06/2022

Nesër në Bruksel mblidhet samiti i BE. Ky samit mblidhet në një kohe kur Rusia me agresionin e saj ndaj Ukrainës ka ndezur flakët e luftës në zemër të Europës dhe po kërcënon paqen botërore.

Në një vendim historik, samiti do të vendosë akordimin e statusit të vendit kandidat, Ukrainës në luftë dhe Moldavisë së kërcënuar nga agresioni rus.

Ky është një vendim politik i një rëndësie historike për mbarë Europën dhe mesazhi më i duhur që BE i dërgon agresorit rus.

Në samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive anëtare të BE-së që mbahet nesër në Bruksel është e ftuar, në një akt respekti ndaj popullit shqiptar, orientimit të tij europian dhe euroatlantik, edhe Shqipëria, por janë ftuar gjithashtu edhe 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ftesa është së pari vullnet, por edhe përfillje dhe respekt. Pikërisht në këtë moment historik, aleanca trilaterale Beograd - Tiranë - Shkup rreshtohet haptazi në anën e Rusisë dhe kundër BE-së.

Drejtuesit e këtyre vendeve, që në dekada kanë përfituar miliarda e miliarda euro nga taksapaguesit europianë si ndihma të Komisionit Europian dhe ndihma bilaterale të vendeve anëtare, zgjodhën jo të falenderojnë për ftesën dhe të solidarizohen me praninë e tyre me BE-në dhe vendimet e tij, por të bojkotojnë samitin e Bashkimit Europian dhe të rreshtohen haptas në anën e Rusisë.

Ky është një akt antihistorik i këtyre gangsterëve politikë, që tradhtojnë interesat jetike të kombeve të tyre.

Aleksandër Vuçiç nuk shkon në samit sepse atij i është kërkuar publikisht të zbatojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe ai me refuzimin e ftesës së Brukselit e bën të qartë se ai e ka bërë përfundimisht zgjedhjen e tij.

Presidenti i serbomadhisë,Vuçiç, midis BE-së dhe Rusisë ka zgjedhur përfundimisht këtë të fundit.

Midis tre këtyre gangsterëve, dy prej tyre, Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë dhe Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut, vende anëtare të NATO-s, me refuzimin e ftesës së BE-së, duke shfrytëzuar si pretekst veton e Bullgarisë, tradhtojnë Aleancën Atlantike në të cilën vendet e tyre janë anëtare dhe me urdhër të padronit të tyre Aleksandër Vuçiç, bëjnë kauzë të përbashkët me të dhe rreshtohen në anën e tij dhe të Rusisë.

Këta vasalë mjeranë, midis Bashkimit Europian dhe padronit të tyre Vuçiç, duke bojkotuar samitin e Brukselit, zgjedhin përfundimisht padronin e tyre në Beograd dhe Putinin.

Shqipëria renditet kështu në anën e zezë të historisë dhe kjo është goditja më e rëndë që Shqipëria dhe kombi shqiptar marrin që nga viti 1944.

Me këtë qendrim antishqiptar Edi Rama provon përfundimisht se vendimet themelore për Shqipërinë dhe shqiptarët merren në Beograd dhe në Moskë dhe jo absolutisht në Tiranë.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë vendim antishqiptar dhe antieuropian e pro-serborus të Edi Ramës, iu bëj thirrje shqiptarëve të ngrihen në mbrojtje të ëndrrës së tyre europiane, identitetit dhe vokacionit të tyre perëndimor!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco