Vetpersonifikimi si shtatore, Albini Kurti në bronz!

Vetpersonifikimi si shtatore, Albini Kurti në bronz!

Nga Artan Behrami - 24/05/2022

Në histori dëshiron të hyjë jo për atë çfarë ka bërë, por për atë çfarë ka synuar të bëjë! Jo për veprat që i ka përfunduar, por për idetë që i ka nisur. Kurti dëshiron të festohet si hero jo për ëndrrat që i ka jetësuar, por për ‘makthet’ që i ka ngulfatur! Më shumë është i preokupuar se si do ta vlerësojë historia, sesa si të bëjë veprime që ia sigurojnë atij një vend në histori.

Të gjitha vendimet që i merr sot, Albin Kurti nuk i përshtat me ‘Zeitgeist’ të juve që jeni duke lexuar këtë OpEd, por me ata që do ta lexojnë pas 50 vjetëve. Albin Kurti veten e sheh si shtatore. Në njërën anë mban lapsin për nënshkrim, në dorën tjetër barometrin e pulsit dhe të gjykimit të kosovarëve që ende nuk kanë lindur! Dhe kur je i mbuluar nga bronzi, nuk ka vend për mendim ndryshe, për negociata, për dialog, për elasticitet.

E vërteta e tij është e çimentuar, e ngrirë, e pandryshuar! Kurti nuk do të vendosë asnjëherë nënshkrimin e tij në asnjë marrëveshje me Serbinë. Ngurtësinë dhe hezitimin për dialog ai do të mundohet ta mbulojë me retorikë patriotike dhe nacionaliste. Frikën do të mundohet ta paraqesë si patriotizëm! Logjika e shëndoshë thotë se meqë Kurti i ka thyer tashmë të gjitha parimet, pse mos ta pranojë edhe një marrëveshje me Serbinë? Por, në botëkuptimin e Kurtit, logjika është e kthyer gjithmonë kokëposhtë! Për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë ekziston vetëm një parakusht. Guximi!

Por, Kurti është frikacak, është populist, nuk është burrështetas. Nga frika dhe mungesa e guximit, dialogun e ka demonizuar në nivelin e një babaroke. Dhe, tani, në histori mendon të hyjë përmes retorikës, duke u shndërruar në antipod të gogolit që vetë e ka krijuar! Askush nuk i ka faj që me kohë i ka munguar guximi, vizioni dhe durimi i Thaçit dhe i Rugovës për të krijuar marrëdhënie me aleatët strategjikë të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, historia e Kosovës dhe ajo botërore i shpërblen me shtatore vetëm personalitetet për veprat e tyre! Adem Jashari ka hyrë në histori për flijimin e familjes për liri. Adem Demaçi ka hyrë në histori për sakrificën kundër regjimit komunist jugosllav dhe represionit sistematik të Serbisë.

Ibrahim Rugova për rezistencën paqësore dhe orientimit properëndimor të Lëvizjes Shqiptare në Kosovë. Hashim Thaçi për rolin e tij si Drejtor Politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për përfaqësimin e jashtëzakonshëm të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë, që solli intervenimin humanitar të NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, për  shpalljen  e pavarësisë dhe krejt procesin e shtetndërtimit.

Por, hajde që analizën time do ta praptojë koha. Ku duhet ta vendosim shtatoren e Albin Kurtit? Shtatorja e tij nuk mund të mund të vendoset në Sheshin “Adem Jashari”, ngase ishte kundër përdorimit të armëve kundër regjimit të Millosheviçit. Ngase, duke u tërhequr nga UÇK-ja, Kurti asnjëherë nuk ndoqi rrugën e Jasharëve dhe të UÇK-së. As në sheshin Nëna Tereze, sepse kurrë nuk ishte përbashkues, por ishte epiqendër e të gjitha përçarjeve në dy dekadat e fundit. As në sheshin Skënderbeu, sepse në Lëvizjen Vetëvendosje ende mban fyesit, përbuzësit dhe urrejtësit e figurës më të ndritur kombëtare! As në sheshin Ibrahim Rugova, të cilin e urrente për së gjalli, por edhe për së vdekuri! As në sheshin Medeline Albright, të cilën e kishte kërcënuar. As në sheshin Bill Clinton, të cilin e kishte kundërshtuar në 1999, duke dalë kundër Konferencës së Rambujesë. As në rrugën George Bush, për të cilin thoshte se asnjëherë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

As në rrugën Rëne Dekarti, i cili gjithmonë ishte në kërkim të së vërtetës absolute, derisa Kurti i krijon të vërtetat paralele dhe më pas kërkon nga të tjerët që t’u përshtaten atyre! Shtatorja e tij do të shkonte më së miri në një shesh që asnjëherë nuk u ndërtua. Në atë të David Koperfield. Kurti është një iluzionist, një mashtrues optik!

Prandaj, ai kurrë nuk do të ketë një shtatore të një heroi, burrështetasi ose humanisti, sepse nuk është as Adem Jashari, as Ibrahim Rugova, as Hashim Thaçi, as Adem Demaçi e as Zelensky. Albin Kurti është vetëm një “Duatëjem” i krejt këtyre. Fatkeqësisht, historia është treguar e poshtër me “Duatëjem” personalitete – për ta nuk ka lënë emra sheshesh, as shtatore e as vend në histori!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco