A po ndjek Kuvendi i Shqipërisë linjën e Serbisë, Republikës Srpska dhe Rusisë?

A po ndjek Kuvendi i Shqipërisë linjën e Serbisë, Republikës Srpska dhe Rusisë?

Nga Boiken Abazi - 12/05/2022

Rezoluta e propozuar nga një grup deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë "Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës, Bosnjë Hercegovinë" u rrëzua sot me shumicë votash dhe krijoi një situatë që mund të ketë nevojë për disa sqarime: 

1. Rezoluta të ngjashme janë miratuar vitin e kaluar edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Malit të Zi. Ndërkohë që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka kaluar një rezolutë të tillë që në vitin 2010, në përputhje edhe me Rezolutën e Parlamentit Evropian për këtë çështje. Kujtojmë gjithashtu se në vitin 2005 edhe Kongresi dhe Senati në ShBA ka miratuar një rezolutë që krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë dhe në përgjithësi në Bosnjë Hercegovinë i njeh si gjenocid dhe i dënon ato. 

2. Fakti që organizata ndërkombëtare dhe ndërqeveritare ku bën pjesë Shqipëria kanë kaluar rezoluta që e dënojnë gjenocidin në Bosnjë Hercegovinë, nuk mund të shërbejë si argument që Shqipëria mos të miratojë një rezolutë të tillë në Kuvend. Asambleja e Përgjithme e OKB-së ka kaluar rezoluta që e njohin dhe e dënojnë si gjenocid atë që ka ndodhur në Bosnjë Hercegovinë, por kjo nuk e ka ndalur ShBA-në të miratojë një rezolutë të posaçme për këtë çështje. 

3. Vitin e kaluar në Bosnjë Hercegovinë u ndalua me ligj mohimi i gjenocidit që ka ndodhur në Srebrenicë. Ky akt u çua përpara pasi Serbia, Rusia, dhe "Republika Srpska" (brenda Bosnjë Hercegovinës) kanë qenë aktive në nivel rajonal dhe më gjerë në organizata ndërkombëtare në mohimin e gjenocidit që ka ndodhur në Bosnjë. Rusia ka përdorur edhe veton në Këshill të Sigurimit të OKB-së për të rrezuar një draft rezolutë në lidhje me gjenocidin në Bosnjë Hercegovinë. 

4. Ata që e rrëzuan sot draft rezolutën në Kuvendin e Shqipërisë me argumentin se dy prej deputetëve propozues kanë thyer embargon e naftës të asaj kohe, duke kontribuar në këtë gjenocid, nuk shpjeguan nëse do kalojnë apo jo një tjetër rezolutë për këtë çështje në Kuvend. U deklarua se në datën 11 korrik do të mbahet një seancë përkujtimore në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të ketë edhe 1 minutë heshtje për këtë çështje.

Mirëpo, nëse në datën 11 korrik Kuvendi i Shqipërisë nuk kalon një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin e forcave serbe në Bosnjë Herzegovinë, duke dënuar edhe mohimin e gjenocidit, atëherë Kuvendi i Shqipërisë do përfundonte duke ndjekur një linjë që i shkon për shtat mohimit të këtij gjenocidi nga ana e Serbisë, "Republika Srpska" dhe Rusisë

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco