Si të udhëtoni me speca, sharki e çifteli

Si të udhëtoni me speca, sharki e çifteli

Nga Daut Dauti - 17/01/2022

Shkrimtari i pavdekshëm Umberto Eco e ka një libër që titullohet ‘How to travel with a salmon’. Pra, si bëhet udhëtimi nëse me vete keni një peshk të llojit salmon. Ai, një herë  e kishte blerë një peshk të madh në Stokholm dhe nga aty shkoi në Londër ku qëndroi tri ditë. Pastaj, duhej të kthehej në shtëpi (Itali) për ta ngrënë peshkun. Është tregim brilant që detajet i merrni vesh nëse e lexoni.

Edhe unë kam udhëtuar duke marrë me vete gjëra të çuditshme, por jo peshk. Unë jam nga malet dhe peshku vie rrallë në dorën dhe tavolinën time. Prandaj, tregimet e mia përshkohen me  karakter bujqësor dhe folklorik.

Në vitin 1993 kur po bëhesha gati të shkoja në Gjenëvë në një kurs, një kusheri i imi në Zvicër kishte marrë vesh dhe më telefonoi. Mes tjerash më tha:’A m’i bjen do speca djegës?’ Nuk kisha mundësi ta refuzoja për shumë arsye dhe e pyeta për sasinë. ‘Një thes’ më tha.

Dola në pazar dhe e mbusha një çantë me specat më djegës që kishte. Nuk ishte saktësisht një thes, por 10 deri në 15 kg, me siguri po. Të nesërmen filloi saga e udhëtimit. Unë kisha një vulë të Shqipërisë në pasaportë dhe më duhej ta kaloja kufrin e atëhershëm të Jugosllavisë ose në mënyrë ilegale ose duke i korruptuar policët e kufirit.

Prandaj, shkova në Preshevë dhe me disa njerëz të familjes që i kisha aty e rregulluam punën e kalimit të kufirit. Më dërguan në kufirin që ishte krijuar mes fshatit Miratoc dhe Llajan. Kur dola te kontrolli maqedon, një polic i tyre më tha ‘hape çantën’. U habit kur i pa specat. Më pyeti ku i kisha blerë dhe ku po i çoja. I tregova drejt.

‘Qyshë bre ke ble speca në Gjilan, ke shku në Preshevë, ke ardhë në Llajan e tash po don me shku n’Shkup me speca, a?’ Po, i thashë, kjo është mënyra ime. ‘Po pse bre nuk e ke lanë m’i ble n’Shkup. Edhe ma lirë, edhe nuk ishte lodhë m’i bajtë’.

Sado që kishte logjikë këshilla e policit maqedon dhe sado që ishte befasuese për mirësi, kjo punë ishte kryer. Atë natë unë fjeta në Shkup, te një familje e një shokut tim, së bashku me të. Shtëpia e tyre ishte vetëm disa metra larg Bit Pazarit. Madje unë kalova atypari dhe pashë speca me tonelata dhe shumë më të mirë e më të lirë se këta që i kisha me vete.

Në aeroportin e Shkupit dhe të Gjenevës kalova pa ndonjë problem. Të nesërmen në Gjenevë erdhi kusheriri im për t’i marrë specat. Ai erdhi nga Berni, kryeqyteti i Zvicrës që nuk ishte distancë e vogël. Në një restorant ku u takuam, para se t’ia dorëzoja çantën, e hapa që ai t’i shihte specat duke shpresuar se do të më lavdëronte për mundin tim. Sapo e çela zingjirin e çantës, restoranti u mbushë me  erë të specave. Specat, duke qëndruar të mbyllur tri ditë e tri netë, ishin zverdhur e disa kishin marrë rrugën e skuqjes. ‘Tamam për turshi’ - tha kusheriri im i kënaqur. Disa speca i ndala për vete që t’i fërgoja dhe aty më ra ndërmend se kisha bërë gabim që nuk kisha blerë edhe pak suxhuk.

Disa herë kam menduar për këtë udhëtim me speca. A ia vlenë të behët tërë ky mund për speca? Nuk ia vlenë, natyrisht. Por, ne nuk mund t’i ikim traditës dhe dëshirës për mënyrën e ushqimit tonë.

Ky nuk ka qenë udhëtimi im i parë e as i vetëmi me gjëra të çuditshme.

Disa vite më herët, kur poashtu po shkoja në Zvicër, poashtu një kusheri tjetër pati një kërkesë. ‘A po ja çon bre djalit sharkinë se ka qef m’i ra. Ia hjek mërzinë’ - më tha. Si ta refuzoja, sidomos kur ishte fjala për instrument kombëtar dhe që do të krijonte gëzim në mërzinë e gurbetçarit?

‘Po, bile edhe çiftelinë’ i thashë si në shaka , por ai i solli të dyjat.

Rrugës, në tren, e kam pa gazepin. Vinin njerëzit në kopenë time dhe kur i shihnin instrumentet, kërkonin nga unë që të ekzekutoja ndonjë pikë muzikore të shoqëruar me zërin tim. Por, unë as atëherë e as sot, nuk kam as më të voglën ide si si duhet m’i ra çiftelisë  e leje ma sharkisë që ka gjithë ato tela. Ndoshta këndoj pas disa gotave, por edhe në këto raste nuk jam i sigurtë për zërin që e lëshoj në formë të këngës. Kështu i kam dëshpëruar disa veta në tren gjatë udhëtimit nga Fushë Kosova deri në Zurich që atëherë zgjaste dy ditë e një natë.

Në kufi (Maribor), polici hyri për të na kontrolluar dhe kur i pa instrumentet pyeti të kujt janë dhe si quhen. Unë u ngrita në këmbë dhe me pak krenari e me më shumë druajtje, duke i prekur instrumentet, i thashë:’Ovo je sharkia, a ovo je çitelia’. I thashë se isha muzikant dhe se po shkoja në koncerte ku më kishin ftuar në Zvicër dhe Gjermani. Polici më shikoi me një habi të përshkuar me dyshim. Ndoshta i dukesha shumë urban për këto instrumente folklorike. Kushedi? Pasi që në fytyrë më dukej njeri i butë, unë mora guximin ta pyesje nëse dëshironte që të ekzekutoja për të. Ku do ta merrte vesh ai nëse unë dija apo jo? Ata kurrë nuk kanë patur lidhje me muzike folklorike shqipe. Por, polici duke e mbyllur derën kur po largohej, më shikoi me një nënçmim duke e shoqëruar me këto fjalë:’Bezhi bre’ (ik ore). ‘Dobro, hvala’ i thashë.

Këto kanë qenë momente interesante. Kusherinjtë e mi ndoshta i kanë harruar këto të mira që ua kam bërë, por kujtimet kanë mbetur. Unë kam sjellë gëzim në këto raste. Madje, me këto veprime, kam kontribuar në traditën e ushqimit dhe folklorit tonë. Është kontribut kombëtar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco