Kur Rusia arrinë të dështoj “sui-generis” të Kosovës

Kur Rusia arrinë të dështoj “sui-generis” të Kosovës

Nga Dren Dushi - 10/01/2022

Në bashkërendimin diplomatik të Moskës dhe Pekinit, ku inercojnë pastaj edhe qendra tjera të mëdha jo me pak ndikim në Botë, sigurisht që, bazuar në historinë e gjeopolitikës botërore, janë përcaktuar politikat të bazuara në real-politikën e Bismarkut ku Rusia kishte marrë pjesë, dhe në shkrimet e lashta të Sun Tzu-së për rastin e Kinës.

Që të dyja këto shtete, ndonëse për rastin e Rusisë e diskutueshme, kemi të bëjmë me një ekspansion të fuqisë. Kina ka arritur të kontrolloj bukur mirë, bazuar në një traditë të lashtë të diplomacisë dhe kujdesit gjeopolitik, ekspansionin e madh të fuqisë së saj, teksa Rusia, më shumë do të kopjoj të fuqishmin, ndonëse fuqia e vetme reale ruse është forca militare e cila në kushtet e një monitorimi dhe rigiditeti të konsiderueshëm global, nuk i mjafton Rusisë për ambiciet e saj, andaj ajo preferon ta përdorë atë në rastin më të vogël ku i jepet mundësia. 

Si rrjedhojë, Rusia dhe Kina kanë shumë të përbashkëta anipse jo shumë të ngjashme. Për Kinën, tashmë superfuqi shumë larg Rusisë në aspektin ekonomik, është me rëndësi që krenaria kombëtare kineze të marrë një vend më të merituar në rendin global, e që kjo duhet të bëhet duke inkorporuar sa më shumë politikat ekonomike të saj në arenën ndërkombëtare, të dominuar akoma nga bota anglo-saksone. Për dallim, Rusisë i duhet forcim ekonomik, dhe rivendosje të balancave “të prishura” nga NATO sidomos dy dekada pas rënies së murit të Berlinit. 

Si Rusia, ashtu edhe Kina, në shtrirjet kufitare të së cilave gjenden arena aq diversive, aq komplekse dhe aq problematike, saqë këto dy shtete janë kërcënim permanent për rendin aktual global, apo thënë në terma të atyre që e kanë vendosur “stabiliteti dhe siguria”. Si shembuj të këtij kompleksiteti gjeopolitik, mund të krahasohen dy shtetet respektive me raste konkrete, ku Kina do Tajvanin (e gatshëm me kuadro super profesionale dhe infrastrukturë ekonomike të zhvilluar), teka Rusia do Kazakistanin, për shkak të rrugëve dhe resurseve të mëdha energjetike. Raste tjera për Kinën janë Hong-Kongu si një gjigant tjetër financiar e i zhvillimit ekonomik, por edhe ndikimi në vende si Laosi, Pakistani, Mongolia ku secila ka karakteristikat dhe dis-balancat e veta, për dallim me Rusinë, e cila aspiron shtrirje e ndikim në Bellorusi, Ukrainë, teksa në Oseti e Abkazi, e më vonë Krime, ka bërë lojën që dikur bënte Hitleri me zonat kufitare në Çekosllovaki e Francë. 

Kufijtë e gjatë të këtyre dy shteteve, dhe karakteristikat (zhvillimi i ulët kryesisht përjashto tigrat Aziatik në rastin e Kinës lindore)  që kanë, bëjnë që këto dy shtete, sa herë të duan të kenë shtrirje ndikimi në ndonjë rajon, ta zëmë, Ballkan, apo Afrikë lindore, apo marrëveshtje që disbalancojnë ekonominë dhe fuqinë edhe në aspektin ushtarak në rastin e marrëveshtjeve me Brazilin, marrin ndonjë veprim apo fushatë kufitare siç po bën Rusia këto kohë në Kazakistan.  Në rastin tonë, të Ballkanit, Kina dhe Rusia tashmë kanë vendosur shumë elementë gjeopolitikë të cilat, kanë futur në dilemë disa shtete në rajon. 

Shteti i futur më së shumëti në dilemën ruso-kineze, është  Serbia, jo rastësisht, për shkak të historisë së saj. Investimet Kineze në Serbi tashmë nuk janë të nivelit të një “globalizmi ekonomik”, përkundrazi, tejkalojnë këtë koncpet, mund të thuhet lirisht, se investimet aktuale Kineze në Serbi, paraqesin investime strategjike Kineze për të ndihmuar Rusinë të bëjë një bllokadë të shtrirjes së NATO-s dhe BE-së në Ballkan. Serbia, presupozon pragun parandalues për Moldavinë e Ukrainën, të cilat nuk duhen parë asesi si periferi Ruse, por si periferi Evropiane nga këndvështrimi rus, meqë periferi Ruse duhet parë Serbia pra. Kur Serbia me ndihmën Kineze të jetë fuqi energjetike në Ballkanin perëndimor, që ecin drejt marrjes së statusit “vende në zhvillim”, do jetë faktor përcaktues në shumë politika të rajonit, se sa problematike do jetë energjia në të ardhmen na dha një sinjal të vogël ky vit. Për më tepër, kur Serbia të ketë një industri të ndihmuar nga Kina, duke anashkaluar çdo standard të ekosistemit që ka përcaktuar BE dhe që ka planifikuar të parapërcaktoj konkrretisht procesi i Berlinit, do ketë edhe mundësitë e mëdha ushtarake, si roja i parë i botës lindore, me në krye Moskën dhe Pekinin dhe një energji me kosto më të ulët si pasojë e injorimit të standardeve të ndotjes. 

Për ta komplikuar akoma më shumë rastin e Serbisë, Kina kryen vetëm një anë të punës, teksa Rusia kryen anën tjetër. Në politikën serbe, tashmë kanë filluar të zbatohen disa politika në verzionin “mini”, të Rusisë. Këto politika janë qasja e Beogradit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës përmes Dodikut, sikundër, përmes Listës Serbe dhe strukturave paralele në Kosovë, sikundër dhe në Mal të Zi duke politizuar Kishën. Në rastin e një krahasimi fiktiv, Mali i Zi mund të jetë Bellorusia, Bosnja mund të jetë Ukraina, dhe Kosova të jetë Krimea. Një Putin i vogël në Ballkan, si Vuçiqi, që duke përdorur e instrumentalizuar mekanizmat e tij në Prishtinë, Podgoricë dhe Sarajevë, sjell Kinën (ekonomikisht) në Evropë, dhe sjell Rusinë (ushtarakisht) në Danub. 

Në këtë rast, Kina dhe Rusia fitojnë tregje të konsiderueshme në Ballkan, teksa, neutralitetin Turk dhe largimin e NATO-s nga kufijtë e gjatë Rus dhe Kinez, mund ta vë në ndonjë ujdi diplomatike. Nuk janë të ralla mos-pranimet e karakterit sui-generis të Kosovës në fjalimet e diplomatëve rus. Madje, kur ishte rasti i Gjeorgjisë, u përmend Kosova, sikur që u përmend edhe me rastin e Krimesë, madje, nuk është larg mendësh që Kosovën, ta marrë si precedan edhe Kina për zonat të caktuara kufitare të saj ku ajo do të tregoj ekspansionin e fuqisë së saj. 

Tërë këtij kompleksiteti, për fat të keq i shërbejnë edhe disa vende të BE-së, në krye me Spanjën. Në njëfarë forme, Spanja i jep kredibilitet Rusisë, kur e merr si shembull jo “sui-generis” Kosovën, meqë po të tillë nuk e konsideron as Spanja, duke qenë se po ta konsideronte ndryshe, nuk do kishte asnjë arsye të mos e pranoj Pavarësinë e Kosovës. Mos-njohja e pesë vendeve të BE-së për Kosovën, i jep kredibilitet Rusisë, por edhe Kinës, teksa i bën dëm botës perëndimore demokratike në aspektin gjeopolitik. 
Ardhja e termocentraleve Kineze pa asnjë parametër ekologjik në Serbi, mund të jetë vetëm faza e parë e një bashkërendimi Ruso-Kinez për ndikim në Ballkan, më vonë, mund të kemi edhe forma tjera ndër-veprimi, të cilat mund të krijojnë një botë të vogël lindore midis Evropës, dhe kjo nuk është e tëra. Serbia si një mini-Rusi në Ballkan, ku herë fut Malin e Zi në krizë politike, herë kërcënon me një luftë tjetër në Bosnje, sikur që nisë aeroplanët ushtarak sa herë që policia e Kosovës ndjek ndonjë bandit në Veri të Kosovës, do e ndiej veten si një lëvizës i parë i pa-lëvizshëm në Ballkan. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco