Urime popull, pandemia 'mbaroi'

Urime popull, pandemia 'mbaroi'

Nga Syri.net Kosova - 10/01/2022

Numri i rasteve po vjen duke u rritur me shpejtësi, ndërsa menaxhimi i masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit është në nivelet më të dobëta në Kosovë.

Nëse Ministria e Shëndetësisë ka arritur rezultate inkurajuese në vaksinim, në aspektin e zbatimit të masave në fuqi gjatë pandemisë, ka ngecje serioze.

Ministri i ri, një mjek i respektuar për arritjet e tij profesionale, duket se ende nuk i ka dalë në ballë situatës.

Është mirë që doktor Latifi bashkë me kryeministrin Kurti të dalin ngapak nëpër Prishtinë si fillim, në këmbë,e jo në veturën zyrtare, të shkojë deri në qendrat tregtare ku është fluksi më i lartë i njerëzve e ta shohë nga afër gjendjen skandaloze në mospërfillljen e rregullave anti-Covid.

Të zënë me aparatet e kriptovalutave, edhe autoritetet policore sikur e kanë neglizhuar pandeminë, ndonëse gjobat vazhdojnë të shqiptohen anekënd Kosovës.

Kosova duhet të marrë shembull vendet evropiane, për mënyrën se si zbatohen masat.

Është e pakuptimtë që një person që ecën në ambiente të jashtme të gjobitet sepse nuk ka vendosur maskë, që ende mbetet e detyrueshme çuditërisht, ndërsa në hapësirat e mbyllura nuk ka fare kontroll.

Ministri me bashkëpunëtorët e tij le të dalin pak nëpër lokalet e ndryshme, ku as që të pyet kush a e ke vaksinën apo testin negativ.

Kjo është e patolerueshme, por në fakt shteti i ka mbyllur sytë ndaj kësaj paligjshmërie dhe anarkie që mund ta rrezikojë Kosovën nga vala e radhës e infektimeve.

Një shtim i papërballueshëm i rasteve, mund ta rrezikojë edhe procesin mësimor duke e kthyer variantin e dështuar online sërish, si zgjidhje alternative e domosdoshme.

Nuk mjaftojnë thirrjet e IKSHP-së përditë që të kemi kujdes, por duhet zbatim rigoroz i ligjit dhe masave që janë aktualisht në fuqi.

Gastronomët e hotelierët që janë më të zëshmit ndaj masave, janë edhe përgjegjësit kryesorë pse po lejohet një kaos i tillë.

Nëpër kafene dhe restorante, jo vetëm që hyrjet e klientelës janë pa kufizim, por prej muajsh tashmë, duhani tymoset nga të gjitha anët, edhe pse është i ndaluar.

Vallë çfarë bën Inspektorati i Shëndetësisë?

Ku është shteti?

Është e pafalshme kjo situatë, prandaj duhet veprim i menjëhershëm. Nuk mjafton që ministri i ri i Shëndetësisë, është profesionist i zoti e burrë i ndershëm.

Na duhet një menaxher efikas, që vendos rend e rregull në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë shtetërorë, që duken gati joekzistentë në këtë fillimviti.

Qeveria duhet të ndjekë praktikat evropiane, të zbatojë masat kufizuese në ambientet e mbyllura ku përhapja e virusit është shumë e shpejtë dhe të mundësojë testime të vazhdueshme përmes qendrave lëvizëse në qytet, pa pagesë për qytetarët e Kosovës.

Nëse vazhdon kjo apati, si deri tani, vala e radhës mund të jetë edhe më e rëndë.

Mbi 60 për qind janë vaksinuar, por kjo është vetëm përqindja e moshave të rritura, ndërsa varianti më i ri Omicron prek shumë edhe moshat e reja.

Pandemia nuk ka mbaruar, por nëse del në rrugët, lokalet, qendrat tregtare në Kosovë, të krijohet përshtypja se ne i dhamë fund asaj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco