Trilli kazako-Pacollian: 'Trazirat janë organizuar nga faktori i jashtëm...'

Trilli kazako-Pacollian: 'Trazirat janë organizuar nga faktori i jashtëm...'

Nga Ramazan Bekteshi - 09/01/2022

Kriza në Kazakistan eskaloi nga protestat për energji deri te urdhri i presidentit “Vrisni” (“shoot-to-kill”). Trupat ruse hynë në Kazakistan me kërkesën e presidentit kazak sipas një traktati ushtarak.

Nursultan Nazarbaiev sundoi  në këtë shtet për 30 vite me duar të forta derisa zgjodhi pasuesin e tij Kasim Tokaiev më 2019. Protestuesit, në temperatura nën-zero gradë, bërtisnin në gjuhën e tyre: “ Shal, Ket!” (Plak shporru-Nazarbaiev) duke tentuar ta rrezojnë monumentin e tij, po ashtu u vunë zjarr ndërtesave qeveritare dhe sulmuan aeroportin.

Në një adresim të tij në valët shtetërore Tokaiev i quajti demonstruesit “terroristë ndërkombëtarë”, banditë, kafshë mizore, duke apeluar te Rusia për ndihmë në shuarjen e protestave nga “paqësorët” rus me “Collective Security Treaty Organization” (CSTO). Disa protestues kanë shpall një listë të kërkesave të tyre, për një tranzicion paqësor, por regjimi i dhunoi protestuesit, vrau disa dhjetëra dhe 5000 protestues janë ndaluar, derisa 18 policë janë vrare.

Lind pyetja, si mundi Pacolli aq shpejtë ti kualifikojë demonstratat paqësore për ndryshim, si të porositura nga jashtë, derisa bashkësia ndërkombëtare i fton palët për negociata, por Tokaiev propozimin e quan si “marrëzi” dhe u zotua se do t’i shtypi demonstruesit. Si mund të pajtohet Pacolli, që “paqësorët” rus të thirren për të qetësuar situatën, një shtet që s’di tjetër pos hegjemonisë, ashtu si aneksoi Krimenë dhe tani me orekse edhe më të shtuara për okupime të reja. Si mund z. Pacolli ta japi një deklarate të tillë kur z. Blinken tha: "Historia na mëson se kur rusët hyjnë në një vend, ndonjëherë është shumë e vështirë t'i detyrosh të largohen," 

 Si mund të ngutet Pacolli, që të mbaj anën e shtypësit, derisa, demonstruesit kërkojnë liri për aktivistët e të drejtave civile dhe kthim në versionin e kushtetutës së 1993-tës, që konsiderohet të ketë më shumë tone të demokracisë së mirëfilltë dhe një qartësi të ndarjes së pushteteve, në krahasim me kushtetutën e tashme.

Pacolli harroi, se ai pos qe ka interesa afariste në këtë shtet, ai po ashtu është deputet i Kuvendit të Kosovës, që Kazakistani refuzon ta njohe pavarësinë e Kosovës, derisa, Pacolli i mbron zyrtarët kazak që e thërrasin për ndihmë Rusinë, një vend që vazhdon ta mohojë Kosovën duke ia mbajtur krahun Serbisë hegjemoniste po ashtu. Pacolli harron se është ish-presidenti i Kosovës edhe pse vetëm për 35 ditë, harron se ishte zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, një vendi mik me Amerikën e që kjo e fundit i dënoi aktet e Tokaievit ndaj demonstruesve paqësorë të shtypura me dhunë, dhe ua ndaloi internetin nga frika se mund të rigrupohen.

Të premten Tokaiev tha se forcat e sigurisë e kane rifituar kontrollin në vend me këtë deklaratë: “Rendi kushtetues është rikthyer në të gjitha rajonet”. Pacolli nuk mund të mbaj edhe anën e diktatorit që i shtyp demonstruesit dhe me dhjetëra i ka privuar nga jeta, nuk mund të mbaj anën e interesit të biznesit të tij, dhe njëkohësisht të jetë pjesëtarë i parlamentit të Kosovës, dhe njëkohësisht të jetë pro-Tokaiev, sepse këta nuk shkojnë bashke. Por, Parlamenti i Kosovës do të duhej të kërkoj sqarime nga z. Pacolli për deklaratën e tij kontroverse që nuk është në një linjë me politikat e Kosovës dhe të aleatëve tanë.

Sot në Almaty,  në qytetin më të madh, derisa qeveria dhunonte demonstruesit, një parullë e një demonstruesi shkruante: “Ne jemi rezident të Almaty-t, nuk jemi terrorist”. Por, kjo klithmë e qytetarit kazak  s’ka kuptim edhe për z. Pacolli që vazhdon të përkrahi mikun tij, diktatorin Nazarbaiev, që vazhdon të këshillohet çdo ditë me diktatorin Putin, që ky i fundit i ka shpërnda forcat e tij ruse në Gjeorgji, Moldavi, Ukraine, Siri e gjetkë, së bashku me forcat e Lukashenko-s së Bjellorusisë kundër “terroristëve të ndihmuar nga vende të huaja” ashtu si që thotë edhe Pacolli edhe pse nuk ka asnjë evidencë për këto pohime.

Deklarata e Pacollit nuk është në sinkron as me z Blinken as me politikat e Unionit Evropian që kërkojnë të respektohen “të drejtat dhe të garantohet siguria e qytetarëve” dhe “të respektohen të drejtat e protestuesve”, fatkeqësisht ai është në një linje me liderin kinez Xi Jinping kur thotë: “Kina e përkrah qeverinë kundër ‘forcave të jashtme”. Deklarata e z. Pacolli është edhe në kundërshtim me zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, zonjës Jen Psaki, duke i hedhë poshtë pohimet ruse se SHBA qëndron pas trazirave.

Z. Pacolli, duke përkrahur Ballkanin e Hapur si një ide që kundërshtohet në Kosovë, thotë: “Ardhja e mini-shengenit dhe e Ballkanit të hapur është e mirëseardhur për Kosovën. Jam pro asaj që Kosova të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ballkani i Hapur është realitet nuk do të mund ta ndalë as Kosova as Mali i zi as askush. Kjo do të ecë përpara me ose pa ne sepse ka mbështetje të BE-së dhe Amerikës”. 
Afrimi i Ramës me Vuçiqin dhe Pacollit me Ramën, në Ballkanin e Hapur nuk është një ndodhi aspak e shëndetshme. Pacolli vazhdon të përkrah Edi Ramën që politikat e tij më shumë i bashkërendit me Vuciqin gjithnjë kundër Kosovës. Në të kaluarën, Pacolli ka qenë instrument i të ‘fortëve’, në qeverisje të vazhdueshme por që s’ka lënë asnjë gjurmë. Në zgjedhjet e fundit ai pësoi dhe një debakël të radhës. Te bësh biznes si Pacolli, me një vend diktatorial por të pasur me burime natyrore, qe ka lidhje me Rusinë e që ajo ia udhëheq çështjet e sigurisë, derisa Kina në anën tjetër, që ia udhëheq infrastrukturën, nuk është rastësi, por një besueshmëri e lartë reciproke e Pacollit me keto shtete.

Pacolli shkëlqen në biznes, shkëlqen në bamirësi si askush, ka ndihmuar shumë hallexhinj, shumë të sëmurë i ka shëruar jashtë vendit, ka meremetuar shumë shkolla, rinovuar fakultete, ka ndërtuar lagje pas fatkeqësive natyrore, ka dhënë bursa, lëmoshë. Si një njeri gjeneroz, me instinkt të mprehtë për ndihmë për ata me nevojë, ai duhet ta vazhdojë atë mision si dhe artin e ndërtimtarisë që di të krijoj kryevepra botërore. Kjo është ana e shndritshme e medaljes së Pacollit sepse ajo tjetra anë është shumë e mjegulluar. Qytetari e çmon  afarizmin e Pacollit, aty ku ai shkëlqen, por jo dhe politikën, aty ku zhgënjen vazhdimisht, a s’është vota e fundit një indikator.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco