Kronikë e vrasjeve të paralajmëruara

Kronikë e vrasjeve të paralajmëruara

Nga Syri.net Kosova - 07/01/2022

Diana Kastrati dhe Lirije Qerimaj nuk jetojnë sot më, pasi u privuan dhunshëm nga jeta. Bashkëshortët i vranë, ndërsa drejtësia nuk bëri asgjë për të mbrojtur viktimat.

Dy dekada pas luftës, në Republikën e Kosovës, dhuna në familje vazhdon të mos adresohet me seriozitet.

Rastet e lartpërmendura, përbëjnë kulmin e dështimit të shtetit, që duhet t’u ofrojë mbrojtje viktimave të dhunës, por injoron kërkesat.

Pavarësisht përpjekjeve, fushatave vetëdijësuese pa fund, mekanizmat shtetërorë çalojnë fort kur është fjala për të mbrojtur gratë e vajzat, nënat e motrat.

Çdo shoqëri ka monstrumët e saj, por nëse drejtësia funksionon, edhe dëmi i tyre kufizohet dhe jetërat e pafajshme shpëtohen.

Tolerimi institucional i krimit në familje në Kosovë, është bërë rutinë dhe kjo është e frikshme.

Aq e turpshme është drejtësia në Kosovë, saqë i bie ndërmend ta mbrojë viktimën, pasi plumbat ia kanë bërë trupin shoshë!

Në këtë rast, protestat nuk kryejnë punë. Duhet reformë e thellë në polici, prokurori dhe drejtësi.

Duhet të ndryshohet edhe mentaliteti shoqëror patriarkal, që femrën e sheh si dytësore dhe të nënshtruar.

Ata policë, prokurorë apo gjykatës, që kanë në duart e tyre një vendim me pasoja për jetën e një gruaje të rrezikuar, janë pjesë e kësaj shoqërie, para se të jenë zyrtarë përgjegjës për zbatimin e ligjit.

Një polic që injoron një ankesë për dhunë, ia hap rrugën një krimi serioz.

Një prokuror që nuk tregohet i rreptë me një të dyshuar për dhunë, toleron një vepër penale me pasoja.

Një gjyqtar që shqipton minimumin e dënimit ose e lë të lirë një dhunues që terrorizon familjen, përdhunon, vulos një tragjedi të mëvonshme.

Rastet që po na përsëriten, janë të parandalueshme, por shteti po dështon sërish të veprojë.

Edhe sa jetë duhet të mbarojnë tragjikisht, që dhuna në familje, të merret me seriozitet nga autoritetet kosovare?

Politika ndëshkimore, është e mjerueshme. Dhunuesit zakonisht lihen të lirë, potencialisht të aftë për të ushtruar sërish dhunë.

Kjo duhet të ndryshojë.

Qeveria dhe Parlamenti, do të duhej ta trajtonin me urgjencë dhunën familjare dhe dështimin e mekanizmave të siigurisë për të mbrojtur viktimat.

Nuk duhet të kursehen fondet për të mbrojtur vajzat e gratë e rrezikuara. Shteti duhet të garantojë siguri, të forcojë kornizën ligjore dhe të mos kursejë nga masat ndëshkuese as zyrtarët përgjegjës, që me vendimet e tyre skandaloze, ua hapin rrugën kriminelëve.

Dënimet më të rënda duhet të jepen për këta të fundit. Por, që të ndodhë kjo, na duhet një drejtësi e reformuar e kjo merr kohë.

Deri atëherë, viktimat mbesin në mëshirë të fatit.

E numri i tyre, është i madh. Ato nuk shfaqen në media, sepse nuk guxojnë as ta lajmërojnë dhunën.

Kur shteti të injoron, ku të ankohesh pastaj?!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco