Kafshatë që s'kapërdihet është Asociacioni

Kafshatë që s'kapërdihet është Asociacioni

Nga Syri.net Kosova - 08/12/2021

Kundërshtimi që ia bën kryeministri i Kosovës Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, nuk ka pse ta befasojë askënd. Albin Kurti iu kishte prirë protestave masive kundër ‘Zajednicës’. Ardhja në pushtet e Vetëvendosjes, për asnjë moment nuk e ka lëkundur Kurtin nga qëndrimet e mëparshme.

I ulur pashmangshëm në tavolinën me fusnotë,’dhuratë’ nga qeveritë e mëparshme, kreu i qeverisë së Kosovës po përballet me një presion të shtuar nga Brukseli që të zbatojë Marrëveshjen për formimin e Asociacionit.

Përballë spanjollit Borrell që udhëheq politikën e jashtme evropiane, Albin Kurti sërish refuzoi që të shtyjë përpara zbatimin e marrëveshjes që ka rezultuar antikushtetuese, edhe pse e miratuar në Kuvendin e Kosovës.

BE dhe Serbia, tani janë në një frekuencë për Asociacionin, ndërsa në anën tjetër Kosovës i mbetet ose të mos nënshtrohet duke kërkuar marrëveshje të pranueshme me Serbinë, ose të pranojë edhe një ‘kafshatë që s’kapërdihet’ në këmbim të asgjëje.

Vuçiqi e do patjetër Asociacionin, pasi dështoi pazari për ndarjen, ndërsa betohet se nuk do ta njohë kurrë Republikën e Kosovës. Borrelli gjithashtu e do Asociacionin pavarësisht se Kosovës nuk i jepet asgjë në këmbim. As liberalizim vizash, as njohje nga Serbia.

Ky nuk është dialog as i sinqertë e as i drejtë.

Kosova ka mbetur si në geto, për shkak të refuzimit të pesë vendeve të BE-së që ta njohin pavarësinë. Të gjitha vendet në Ballkan, me përjashtim të Kosovës kanë të drejtë të lëvizin lirshëm pa viza në hapësirën e Shëngenit.

Brukseli i sugjeron Prishtinës zyrtare t’u bashkohet Vuçiqit e Ramës në ‘Ballkanin e Hapur’, që të bëhemi një farë ‘bishti’ i Serbisë, sërish pa njohje, pa liberalizim vizash.

Një pyetje sfiduese do të ishte se çka ndodh nëse Serbia e pranon Kosovën si shtet nëse bëhet Asociacioni?

Por, kjo nuk është në rendin e ditës në politikën e Beogradit. Pse atëherë, duhet të rrezikojë kaq fort vendi ynë?

Asnjë pakicë në Evropë, nuk ka të drejta e privilegje si pakica serbe në Kosovë. Çfarë u duhet Asociacioni? Që të na bëhet një Bosnjë e dytë?

Jostabiliteti në Bosnjë, është argument serioz pse nuk duhet lejuar një mekanizëm antikushtetues si Asociacioni.

Nëse duan ta bëjnë një OJQ, siç edhe lejohet me ligj, le ta bëjnë dhe të mbështeten në aktivitetet e tyre. Por, jo të krijohet një strukturë e re shtetërore, një nivel i tretë pushteti, që nuk parashihet me asnjë ligj dhe as me Kushtetutë.

Kjo Marrëveshje për Asociacionin, është dëmi më i madh që na kanë lënë ish-pushtetarët, por gjithsesi, nuk është alibi që qeveritarët e tashëm të vajtojnë e të shfryjnë mbi të kaluarën.

Kuvendi e ka miratuar e Kuvendi mund ta shfuqizojë si marrëveshje antikushtetuese.

Në dialogun me Serbinë, Kosova ka pranuar çka i është ofruar në tryezë e si rrjedhojë, është fusnota, është Zajednica e plot marrëveshje të tjera, të cilat në fakt as që zbatohen.

Kurti përveç refuzimit, duhet të veprojë konkretisht se si do ta heqë nga skena Asociacionin. Nëse do ta bëjë përmes Kuvendit, i duhen dy të tretat, i duhet bashkëpunimi me opozitën dhe me pakicat.

Nëse dëshiron që qytetarët të vendosin, duhet të krijohet mundësia ligjore përmes referendumit.

E fundit fare, nuk e zbaton dhe ngel kështu si ka ngelur, një marrëveshje në letër, pa vlerë.

Kosovës megjithatë nuk i duhet statuskuoja, por përparimi, dalja nga ngërçi. Situata është bërë edhe më e vështirë që kur Tirana zyrtare ka forcuar marrëdhëniet me politikën zyrtare të Serbisë, që e lufton egërsisht pavarësinë e Kosovës.

Presion për Asociacionin, presion për Ballkanin e Hapur, kërcënime në kufi. Të gjitha këto, janë sfiduese për Kosovën, por rezistenca do të tregojë se më në fund, nuk mund të pranojmë çdo gjë që na ofrohet në dialog.

Në fund, me siguri edhe ndërkombëtarët, edhe Serbia do të na marrin më seriozisht.

Atëherë nis dialogu i vërtetë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco