Për një pulë të rrasin në burg, vjedh miliona shëtitesh si bos

Për një pulë të rrasin në burg, vjedh miliona shëtitesh si bos

Nga Syri.net Kosova - 06/12/2021

 

Qeveria po mburret shpesh se po shkatërron grupe kriminale, por niveli i drejtësisë në Kosovës është më keq si i mjerueshëm.

E patë vendimin për rastin e dhunimit në Gjilan? Apo rastin e vjedhjes së pulave? Apo tash së fundmi, rastet e dy ish-kryetarëve të komunave Istog e Gjilan?

Me një fjalë, sipas gjykatave kosovare këta që palojnë milionat, mund të shijojnë pasurimin e tyre të paligjshëm, duke u amnistuar nga drejtësia.

E këta të tjerët, për një krim të vogël siç mund të jetë vjedhja e një pule, dënohen me gjobë ose me burg.

Ndaj të pafuqishmëve drejtësi e rreptë, e ndaj të fortëve, nënshtrim. Kjo pra është drejtësia kosovare sot edhe me pushtetin e ri.

Sigurisht, nuk ka faj për pak muaj Albin Kurti me ekipin e tij në këtë aspekt, sepse sistemi i drejtësisë është i pavarur. Një reformë e nisur me kundërshtime të forta, duhet të sjellë forcimin e prokurorive e gjykatave dhe kjo merr kohë.

Ka një kalbje të sistemit në përgjithësi. Amnistimi i krimit është alarmant. Nuk mjafton një raport ndërkombëtar në të cilin thirren politikanët, se ne jemi të parët në rajon për sundimin e ligjit.

Po flasim për një rajon të zhytur në paligjshmëri e korrupsion shtetëror, ku disa tregues mund të na rendisin pak më mirë në listën e vendeve me sundim të dobët të ligjit.

Çfarë drejtësie është ajo që konstaton se nëse një femër hyp në një veturë me një ose disa meshkuj apo rri në një hapësirë të përbashkët me ta, i bie që pajtohet edhe për afera seksuale?

Ky është skandali i shekullit dhe një trup gjykues që e shkruan një vendim të tillë, nuk do të duhej më ta kishte të drejtën për të gjykuar askënd.

Sipas kësaj logjike, aventurat seksuale do të duhej të shpërthenin në Kosovë, sepse gjykata u ka dhënë të drejtë burrave që janë në zyra me gratë të mos rrinë duarkryq!!!

Sipas politikës ndëshkimore që ndjek sistemi gjyqësor në vendin tonë, ke llogari të zhvatësh buxhete milionëshe të parave të taksapaguesve, por nuk ia vlen barra qiranë me mikro-hajni si vjedhja e një pule.

Një drejtësi që fal dhunuesit e hajdutët, amniston banditët e të korruptuarit, është gremina e sigurtë për çdo demokraci.

VETTING-u është i pashmangshëm, por jo kontrolli politik i sistemit.

Ka potenciale në radhët e gjykatësve dhe prokurorëve tanë, që mund të punojnë si duhet, mund të udhëheqin me guxim e  profesionalizëm, por së pari duhet të çlirohen nga klanet kriminale, grupet e interesit që dirigjojnë vendimet dhe prapaskenat politike, ku janë ndarë deri tash postet në gjykata dhe prokurori.

Avokatët në Kosovë, kur ke ndonjë rast abuzimi të vogël, edhe nëse je i pafajshëm, janë shumë të pasigurtë nëse do e fitojnë rastin. Por, kur bëhet fjalë për miliona, ata të thonë 100 për qind, se rasti është i fituar.

Dhe kështu ndodh.

Në drejtësinë që e udhëheq parimi i shitblerjes dhe ndikimit, i dobëti e pëson gjithnjë, ndërsa të fortit, sado që e shkelin ligjin, shpëtojnë pa iu hyrë ‘therë në këmbë’.

Albin Kurti dhe partia e tij kanë fituar zgjedhjet që ta ndryshojnë këtë realitet të hidhur. Po bëhet një vit gati dhe gjërat ende nuk kanë filluar të ndryshojnë

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco