Paqja e nxehtë

Paqja e nxehtë

Nga Blerim Reka - 05/12/2021

Vizitat e fundit të Vuqiqit dhe Dodikut në Moskë dhe mbështetja e Putinit për interesat serbe në rajon, ngjallën apetitet luftë-nxitëse të Beogradit. Militarizimi i shpejtuar i Serbisë dhe kërkesa e Republika Srpska për dërgimin e ushtrisë ruse atje, alarmuan NATO-n.

Kremlini, jo rastësisht riktheu vëmendjen në Ballkan, për të mbuluar stacionimin ushtarak në kufijtë e Ukrainës; në acarrimin më të madh me SHBA, e para takimit virtuel Bajden-Putin. Në Ukrainë po testohet paqja botërore dhe retë e luftës po mbulojnë Detin e Zi. Frika, mbetet arsyeja e vërtetë e luftës, do thoshte Thukididi.

Ballkani, ndërkaq ndodhet midis luftës së ftohtë dhe paqes së nxehtë. Mirëpo viti 2021, nuk është 1991. Atëherë, asnjë nga vendet ndërluftuese të Ballkanit nuk ishin anëtarë të NATO-s. Aleanca Veri-Atlantike ishte forcë paqe-krijuese, e sot mbetet forcë paqe-ruajtëse.

Tre dekada nga ato luftëra, gjysma e gjashtë shteteve ballkanike janë anëtare të NATO-së. Në dy të tjera, ka paqeruajtës ndërkombëtar (KFOR dhe EUFOR) dhe vetëm një është kundër NATO-s, e me bazë Ruse. Serbia, e rrethuar nga NATO, e din se ndezja e luftës së re, do të ishte vetëvrasëse për Beogradin.

Mirëpo, shteti më i militarziuar në rajon, po vazhdon të kërcënojë me luftë. Përmes “botës serbe”, Vuqiqi, iu rikthye filmit të luftës së shefit të tij - Millosheviq. Ai film përfundoi me shpërbërjen e shtetit jugosllav. Ky i riu, nga aventura luftë-nxitëse e Vuqiqit, do përfundojë ngjashëm: me Serbinë e tkurrur në Pashallëk të Beogradit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco