Pse duhet drejtësia e pavarur? Mjafton një shikim drejt Austrisë

Pse duhet drejtësia e pavarur? Mjafton një shikim drejt Austrisë

Nga Enver Robelli - 02/12/2021

■ Hetimet e prokurorisë çuan në dorëheqjen e kancelarit Sebastian Kurz

■ Vazhdimi i hetimeve ndikoi që Kurz të largohet përfundimisht nga politika. Këtë vendim e mori sot

■ Në maj të vitit 2019 nënkancelari Christian Strache dha dorëheqje pasi u zbulua se para se të merrte postin kishte takuar një gjoja mbesë të një oligarku rus, të cilës i kishte premtuar se sapo të marrë pushtetin do t’ia shesë gjysmën e Austrisë, përfshirë edhe një gazetë

■ Në dhjetor 2019 Strache u përjashtua nga partia.

■ Në fund të nëntorit të këtij viti Strache kërkoi publikisht ndihmë financiare nga përkrahësit dhe miqtë për të mbuluar shpenzimet e avokatit gjatë ballafaqimit me drejtësinë

■ Si Kurz ashtu edhe Strache e shihnin politikën si shou, si qëllim në vetvete dhe si vetëshërbim. Stili i tyre i politikës ishte një përzierje mes brutalitetit, kurtheve, intrigave, amoralitetit në ushtrimin e posteve publike. Dy ego të mëdha dhe mendje të varfra

■ Këto zhvillime në politikën austriake tregojnë se sa e rëndësishme është drejtësia e pavarur. Kur ajo funksionon, të pushtetshmit bien. Sepse duhet të bien. Nëse politikanët nuk ndëshkohen për keqpërdorimet e tyre, atëherë një shoqëri nuk ka gjasa të dalë nga tuneli i së keqes 

■ Dorëheqje sot paralajmëroi edhe kancelari Alexander Schallenberg. Ai tha se posti i kancelarit dhe i partisë qeverisëse ÖVP duhet të ushtrohen nga një person. Schallenberg, diplomat shumëvjeçar, me gjasë nuk ka ambicie të merret me politikë partiake. Ka supozime se mund të jetë sërish ministër i Jashtëm

■ Kurz dhe Strache u larguan nga politika, por drejtësia do të merret me ta edhe në të ardhmen. Një ditë të dy mund të dalin para gjyqit

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco